Ndërkohë që Shqipëria po mplaket, vendi po shpopullohet dhe qytetarët po varfërohen, bashkë me paratë po largohen jashtë edhe bizneset me investimet e huaja. Në 2021 dolën jashtë vendit në kanale zyrtare rreth 7.6 miliardë euro, ndërsa në 2010 regjistroheshin 4.9 miliardë euro, pra një rritje me 54%. Këto flukse dalëse vjetore janë sa një e dyta (1/2) e vlerës së prodhimit të brendshëm bruto në vend. Vetëm në tremujorin e parë 2022 dolën mbi 1.9 miliardë euro ose 30 % më shumë se në 2021.
- Tremujori i parë i vitit shënoi 30% më shumë para në dalje krahasuar me periudhën 2021.
- Në tremujorin e parë 2022, u shënuan flukset dalëse të regjistruara mbi 1.9 miliardë euro., krahasuar me tremujorin e parë të 2010 janë dyfishuar.
- Në 2021 regjistrohen 6 milionë euro si transferta shtetërore.
Shqipëria po mplaket, fshatra dhe qytete të tëra po shpopullarizohen, sepse në Shqipëri nuk ka të ardhme, as për të mbijetuar, ka pllakosur mjerimi, papunësia. Mirëpo, para zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri duke vizituar biznese private, premtoi siguri për bizneset. Raportet tregojnë panoramën se si goditen xhirot e biznesit. Arratisen dhe bizneset shqiptare, pas bizneseve më të mëdha nga vendet e BE-së i “vënë drynin” aktiviteteve në Shqipëri, mbyllen 141 kompani me më shumë se 50 punonjës, kryesisht në fushën e industrisë dhe biznesit.
1- Çdo vit gjysma e GDP Produkt i Brendshëm Bruto del jashtë
Open Data Albania po analizon flukset korrente të parasë, që dalin nga Shqipëria sipas Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë. Bilanci i Pagesave është dokumenti bazë ku prezantohen marrëdhëniet e vendit më jashtë, dhe çdo transaksion ekonomik e financiar i vendit me botën që e rrethon. Flukset dalëse mund të jenë më të larta seç reflektohen në shifrat zyrtare, pasi një pjesë nuk regjistrohen dhe deklarohen duke bërë kalim në rrugë informale. Në 2021 shënohen si flukse dalëse korrente në kanale zyrtare rreth 7.6 miliardë euro, ndërsa në 2010 regjistroheshin 4.9 miliardë euro, pra një rritje me 54 përqind.Këto flukse dalëse vjetore kanë një peshë relativisht të lartë, mesatarisht janë sa një e dyta (1/2) e vlerës së prodhimit të brendshëm bruto në vend. Në tremujorin e parë 2022, u shënuan flukset dalëse të regjistruara mbi 1.9 miliardë euro. Këto flukse monetare të dala jashtë vendit rezultojnë 30 përqind më të larta se në 2021, krahasuar me tremujorin e parë të 2010 janë dyfishuar. Referuar qëllimit të kryerjes së këtyre transaksioneve dhe transferimeve vërehet se flukset dominuese janë për blerje mallrash jashtë vendit, që përbëjnë rreth 60 përqind të flukseve dalëse. Në 2021 rreth 5 miliardë euro ishin flukse dalëse për import mallrash, 35 përqind më të larta se në 2020. Përveç rikuperimit në 2020 nga pandemia, rritja i atribuohet edhe rritjes së çmimeve ndërkombëtare. Flukset e parasë për blerje shërbimesh janë kategoria e dytë me peshë më të lartë në flukset totale, mesatarisht 29 përqind e flukseve dalëse janë për shërbime. Shërbimet mund të jenë të ndryshme si: transporti, sigurimi, udhëtim, financiare, komunikacioni, qeveritare, kompjuteri dhe informacioni, biznesi, kulturore dhe personale, konstruksioni dhe shërbime të tjera. Flukset dalëse gjeneruar nga puna kanë një peshë të ulët ndaj flukseve totale më pak se 1 përqind, kjo ka qenë në vlerë 10 milionë euro në 2011 si më e ulëta në vite dhe 35 milionë euro vlerë më e lartë e shënuar në 2013. Dy vitet e fundit flukset rezultojnë përkatësisht 23 dhe 21 milionë euro, duke shënuar rënie me 21 dhe 9 përqind. Ndërsa të ardhurat që gjenerohen nga Investimet dhe që transferohen jashtë vendit janë kategoria e tretë referuar peshës mesatarisht 6 përqind e fluksit total vjetor. Lloji i investimit mund të jetë: investime të huaja direkte, investime portofoli (hua dhe letra me vlerë), dhe investime të tjera (si psh hua nga FMN). Të ardhurat nga investimet janë dividendi dhe interesi që del jashtë Shqipërisë. Interesi përfshin të ardhura nga hua dhe letra me vlerë të borxhit. Flukset më të ulëta i kanë shënuar në 2013 rreth 78 milionë euro, ose 66 përqind më pak se viti 2012. Pas 2013 dominon trend rritës i flukseve dalëse, me vlerën më të lartë në 2021 rreth 590 milionë euro ose 8 përqind e flukseve totale. Gjatë periudhës së shqyrtuar rritja në flukset nga investimet tejkalon 60 përqind. Ridërgesat nga migrantët ose remitancat dalëse njihen si dërgesa nga individë, që gjenerojnë të ardhura në vend, rasti me shtetësi shqiptare që kanë rezidencë permanente jashtë, kanë dyshtetësi apo kanë lënë shtetësinë shqiptare për një shtetësi të huaj. Dërgesat e tyre në ekonomitë e mëparshme regjistrohen flukse dalëse. Flukset më të larta që individët rezidentë jo të përhershëm në Shqipëri dërgonin në vendet e tyre kanë rezultuar në 2010 në masën 7 milionë euro, ndërsa vitet pasuese shfaqen në rënie në 6 milionë euro e deri në vlerë e ulët 1 milionë euro në 2017. Transaksione ose flukse dalëse korrente mund të jenë transfertat e qeverisë si: subvencione dhe ndihma shtetërore, asistencë teknike, dëmshpërblimet e ngarkuara nga traktatet e paqes, kontributet qeveritare për buxhetet administrative të organizatave ndërkombëtare ku aderojmë etj. Në 2021 regjistrohen 6 milionë euro si transferta shtetërore.
Gjithashtu transferta korrente kryhen dhe nga sektorët e tjerë, si: dhurata, trashëgimi, kontribute dhe pensione nga fonde pensioni, primet e sigurimit (jojetësor) në raste fatkeqësish, kontribute dhënë për qëllime fetare, shkencore, kulturore, organizatave të ndihmës humanitare; pagesa për anëtarësi në organizma pa qëllim fitimi. Këto përbëjnë rreth 2 përqind të flukseve totale vjetore. Në 2010 janë regjistruar si transferta të tilla që dilnin nga vendi rreth 140 milionë euro. Ndërsa në 2021 regjistrohen 162 milionë euro ose 15 përqind më shumë.
- Investitorët shqiptarë drejt Kosovës, 600 biznese vendosen në Prishtinë
Rreth 600 biznese aktive shqiptare operojnë në tregun e Kosovës duke financuar me rreth 60 milionë euro. Sipas raportit të Bankës së Kosovës, Shqipëria arrin të jetë investitori i pestë më i madh në Kosovë. Ekspertët shprehen se shkak janë lehtësirat fiskale, por po ashtu dhe skemat e rifinancimit. Biznesmenët shqiptarë po e shohin Kosovën gjithnjë e më shumë si një mundësi e mirë për zhvillimin e investimeve të tyre. Vetëm në 6 mujorin e parë të këtij viti vlera e financimeve arriti në vlerën e 60 milionë eurove. Eksperti i ekonomisë Genti Beqiri shprehet se rifinancimi i aktiviteteve në disa sipërmarrje, ka ndikuar që investitorët shqiptar ta shikojnë Prishtinën si një mundësi më të mirë.” Një shifër rekord në këtë aspekt. Kryesisht në sektorin e ndërtimit, hidrokarburit apo ndërmjetësimit financiar” .
3-Jo vetëm emigracion, edhe investimet po ikin jashtë vendit, niveli më i lartë që nga viti 2011
Ndërkohë që Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri këtë vit po shënojnë vlera rekord, një tendencë të ngjashme shfaqin edhe investimet shqiptare jashtë vendit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin 2022, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit arriti në 60 milionë euro, tre herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është njëkohësisht edhe niveli më i lartë që prej vitit 2011. Në pjesën dërrmuese, investimet shqiptare janë kanalizuar në kontribute direkte në kapitalin e shoqërive të kontrolluara jashtë vendit, ndërsa një pjesë më e vogël ka shkuar në formën e huave të dhëna për kompanitë bija. Investimet direkte dalëse sidoqoftë kanë ende një peshë të ulët në raport me Investimet e Huaja direkte në Shqipëri, me rreth 9.5% të tyre për 6-mujorin 2020. Bilanci neto i Investimeve të Huaja direkte ishte negativ, për një vlerë të përgjithshme prej 574 milionë eurosh, në rritje me 27.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shifrat e BQK-së tregojnë se deri në fund të marsit 2022, stoku i investimeve shqiptare në Kosovë kishte vlerën e 282 milionë eurove. Me këtë shifër, Shqipëria është investitori i pestë më i madh në Kosovë. Ndërkohë, flukset e reja të investimeve shqiptare në Kosovë për 6-mujorin e parë të këtij viti kishin vlerën e 30.4 milionë eurove, në rritje me pothuajse 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Prania e ndërmarrjeve shqiptare në Kosovë është e përqendruar kryesisht në sektorin tregtar dhe atë financiar. Në Kosovë veprojnë disa prej operatorëve më të mëdhenj shqiptarë të distribucionit të mallrave të konsumit, kompani të shitjes me pakicë, si edhe banka, kompani sigurimesh dhe operatorë të shërbimeve të pagesave. Përveç Kosovës, të dhënat për praninë e sipërmarrjes shqiptare jashtë vendit janë të pakta dhe të fragmentuara. Disa prej grupeve të mëdha të biznesit në vend, si Balfin apo Union Grup/UFT kanë prani të tyre edhe në Austri, Zvicër, Kroaci apo Maqedoninë e Veriut, me aktivitet kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në shërbimet financiare.






















