Tre bosët e call centrave i shpëtuan SPAK-ut, rol kyç një grua, mbrojtja policore dhe hapja e pikave të reja të mashtrimit
Pas denoncimit të gazetarëve të emisionit “Le Lene”, SPAK nisi aksion kundër një call centeri që kishte zhvatur miliona euro përmes mashtrimit me pasoja të rënda përmes investimeve të rreme.
Qëllimi kryesor i SPAK, ishte të arrestonte “kokat” e mashtrimit, por dyshohet se u dekonspirua nga policia, tre vëllezërit nga Tropoja, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj shpëtuan nga prangat para se agjentët e BKH-së dhe policia të niste aksionin. Tre vëllezërit u informuan nga mburoja policore për të cilën paguanin çdo muaj, ndërsa SPAK arrestoi gjashtë ushtarë të tyre; Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi, Odeas Kuqi. Si derivat i tre vëllezërve të call centerave po hetohet nga SPAK 29-vjeçari David Prendi, pronar i kompanisë Infinite, me zyra tek kulla “Alban Toer”, aty ku u përqendrua operacioni i SPAK-ut.
Nga punëtor ndërtimi në bos call centerash
Deri në vitin 2018, kur nisi të ekspozohej dhe të lëkundej perandoria e mbretit të mashtrimit Amant Josifi, Agim Prekajishte thjeshtë një punëtor ndërtimi në Itali. Jeta e tij ndryshoi kur njohu Nazen, një operatore e zonja e call centerave në Tiranë dhe më pas një nga menaxheret kryesore e skemave të mashtrimit me vlerë dhjetëra milionë euro.
Naze dhe Agim Prekaj nisën të ndërtonin gradualisht rrjetin e tyre të mashtrimit, i cili do t’u sillte fitime marramendëse. Zonja Naze Prekaj njihet në botën e errët të call centerave si truri që qëndron pas ngritjes dhe ‘suksesit’ të rrjetit të mashtrimit të qytetarëve evropianë përmes platformave të rreme. Aktiviteti kriminal është ushtruar gjithnjë nën mbrojtje të fortë policore.
Paratë e aktivitetit kriminal i kanë investuar në pasuri të paluajtshme në emrin e njerëzve të afërt dhe të besuar. Bëhet fjalë për dhjetëra milionë euro. Vetëm përmes një ndërtuesi me emër në Tiranë dyshohet se kanë pastruar mbi 100 milionë euro. Ndërkaq, edhe pas goditjes nga SPAK, Agim Prekaj, gjithnjë nën mbrojtje e një segmenti të korruptuar në Policinë e Shtetit, po hap pika të reja call centerash nëpër Tiranë në emrin e ushtarëve të tij të besuar.
Si u zbulua rrjeti kriminal
SPAK ka njoftuar rrethanat se si ra në gjurmët e këtij rrjeti kriminal në Tiranë. Hetimi ka nisur më 9 janar 2026, pasi gazetarë italianë të emisionit Le Iene, që transmetohet në Mediaset, dorëzuan prova të mbledhura gjatë investigimit të tyre. Hetimi u nxit edhe nga denoncimet e disa qytetarëve italianë që thanë se ishin mashtruar.
Gazetarët arritën të futeshin në Call Center duke infiltruar një shtetas italian, i cili punoi aty dhe tregoi nga brenda se si funksiononte skema. Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar një Call Center që punonte në godinën Atti Toer, në rrugën “Ibrahim Rugova”, pranë Katedrales Ortodokse. Nga aty, një grup i organizuar dyshohet se ka mashtruar kryesisht shtetas italianë, duke i bindur të investonin në platforma të rreme kriptomonedhash.




















