KLSH kallëzon penalisht drejtorin e drejtorisë Rajonale Tatimore Berat dhe 2 ish drejtorë

573
Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga auditimi mbi zbatimin e legjislacionit tatimor, të ushtruar në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, Elbasan dhe Berat, ka konstatuar gjatë periudhës 2013 – 2014 mospërputhje në veprimtarinë e administratës tatimore me kërkesat e kuadrit rregullator në procedura dhe të meta e mangësi në zbatimin e legjislacionit dhe akteve administrative që rregullojnë veprimtarinë e administratës tatimore në procesin e realizimit të të ardhurave tatimore dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
Në DRT, Elbasan
Nga drejtuesit e Drejtorisë Rajonale Tatimore Elbasan, lidhja e marrëveshjeve për shlyerjen e borxhit tatimor me subjektet tatimpagues është bërë jashtë afatit. Të ardhura të munguara, në total në shumën prej 142,140,306 lekë. Këto janë të krijuara për shkak se nga inspektorët e kontrollit operacional nuk janë aplikuar penalitete për veprime e aktivitet jo në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 9920, ndaj 52 subjekteve në shumën prej 112,740,306 lekë. Nga inspektorët e kontrollit në terren nuk janë aplikuar penalitete sipas ligjit për konstatimet që nuk përputhen me kërkesat ligjore, të evidentuara gjatë kontrolleve në terren, në 95 subjekte në shumën prej 28,760,000 lekë. Për 27 subjekte nuk janë aplikuar penalitete në shumën prej 640,000 lekë, për mosdhënie informacioni tatimor administratës tatimore në zbatim të përcaktimeve në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008. 
Nga auditimi u konstatuan gjithashtu mospërputhje të veprimtarisë me kërkesat e kuadrit rregullator në fuqi në lidhje me: 
(i) plotësimin dhe mbajtjen e evidencave mbështetëse dhe regjistrin e tatimpaguesve, 
(ii)dokumentacionin në dosjet e tatimpaguesve, 
(iii)kontrollet për verifikimin e ambienteve ku ushtrohet aktiviteti për efekt të deklarimit dhe pagesës së tatimit në burim për qerat, -kontrollin tatimor dhe atë në terren, -funksionimin e kontrollit të brendshëm, -bashkëpunimin me DRT e tjera të administratës tatimore dhe me të tretët. 
Në DRT Berat
Dëm ekonomik në shumën prej 58,796,460 lekë. për shkak se nga auditimi i marrëdhënieve të DRT Berat me Degët e Thesarit në këtë rajon, rezultuan 18 subjekte të biznesit që nuk kishin deklaruar të ardhurat, duke shmangur detyrimet tatimore në shumën prej 5,131,156 lekë. Nga auditimi i raporteve të kontrollit tatimor rezultuan 43 subjekte që kanë shmangur detyrimet tatimore në shumën prej 45,142,131 lekë. Nga auditimi i procedurave të ndjekura nga Drejtoria e Vlerësimit të të Ardhurave Tatimore dhe Kontabilitetit rezultuan shkelje të procedurave si dhe fshehje dhe shmangie nga pagimi i detyrimeve tatimore në 805 raste, në shumën prej 8,523,173 lekë, për veprime jo në përputhje me kërkesat e neneve 126, 116.1 dhe 117 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, dhe neneve 30.5, dhe 33.1, të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” i ndryshuar. Të ardhura të munguara në shumën prej 4,805,000 lekë, për shkak kryesisht se nuk janë regjistruar dhe kontabilizuar penalitete të vendosura nga DRT Berat në 39 subjekte të biznesit, të cilat ushtrojnë aktivitet në territorin që mbulon ky institucion por që janë të regjistruar në DRT Tiranë dhe Fier, për shkelje të ndryshme në raport me kërkesat e ligjit 9920. Gjithashtu, nga auditimi i Raporteve të Kontrollit Tatimor të DRT, Berat, u konstatua se nga subjektet e biznesit janë mobilizuar fonde nga individë të ndryshëm për qëllim të biznesit në formë huaje pa vërtetuar prejardhjen e tyre, burimin e krijimit dhe mënyrën e marrjes, pasi nuk kanë kaluar fondet nëpërmjet sistemit bankar apo nëpërmjet kontratave ligjore të huamarrjes dhe kreditimit, fenomen ky i konstatuar dhe nga auditi i brendshëm i DPT, i cili i ka kërkuar nëpërmjet rekomandimeve, DPT dhe DRT Berat, marrjen e masave për të kërkuar nga subjektet dokumente që vërtetojnë burimin e fondeve të marra në formë huaje. DPT dhe DRT Berat nuk kanë marrë masa të mëtejshme në vlerësim të rekomandimeve të Auditit të Brendshëm, për rikontroll dhe investigim të mëtejshëm të këtyre rasteve si dhe nuk kanë adresuar problemin tek institucionet e ngarkuar me ligj si Drejtoria e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, në bazë të kërkesave të nenit 18.1 të Ligjit nr. 9917, datë 19.05.2008, duke krijuar në këtë mënyrë, me veprime e mosveprime, mundësinë që individë të ndryshëm të përdorin subjektet e biznesit për të futur në rrugën e legalizimit fonde më burime të paligjshme të krijimit, me qëllim pastrimin e tyre. 
Kryetari i KLSH kërkon masa disiplinore
Kryetari i KLSH, me vendimin nr. 60, datë 30.06.2015, i ka rekomanduar DRT, Elbasan marrjen e 8 masave organizative, 15 masave disiplinore dhe 6 masave me qëllim kërkimin për shpërblimin e dëmit në shumën prej 142,140,306 lekë, si të ardhura të munguara në Buxhetin e Shtetit. Me vendimin nr. 61, datë 30.06.2015, Kryetari i KLSH, me qëllim përmirësimin e punës në të ardhmen, i ka rekomanduar DRT, Berat marrjen e 10 masave organizative, 2 masave disiplinore për largim nga shërbimi civil dhe 11 masave të tjera disiplinore, marrjen e 6 masave për kërkimin për shpërblimin e dëmit në shumën prej 4,805,000 lekë, si të ardhura të munguara dhe në shumën prej 58,796,460 lekë si dëm ekonomik ndaj Buxhetin të Shtetit. 
KLSH kërkon kallzim penal ndaj drejtorëve të DRT
KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre për Drejtorin e DRT Berat G. G. dhe ish-Drejtorët e DRT Berat M.D dhe T.M., per konsumimin e elementëve te veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi kane lejuar miratimin në bilancet e subjekteve te shumave të konsiderueshme monetare në lidhje me hua të marra nga subjekte të tjera jashtë procedurave normale ligjore dhe për të cilat nuk është bërë asnjë deklarim nga ana e strukturave përkatëse të DRT te Beratit, si dhe jane favorizuar subjekte tatimpaguese në zhbllokimin e llogarive bankare, për të cilat DRT Berat kishte vendosur më parë bllokimin e tyre. 
Sigal