Harresë zyrtare e mësueseve vullnetare në mërgatë

761
Abdurahim ASHIKU
Më 7 Mars, në Ditën e Mësuesit, kryeministri Rama shpërndau dekorata për disa mësuese të shquara në edukimin shkollor të fëmijëve… E meritojnë… Më 7 Mars, në Ditën e Mësuesit, as kryeministri Rama dhe as ministrja Nikolla nuk thirrën asnjë mësuese nga ato që vullnetarisht, pa asnjë shpërblim, të rrezikuar nga segmente ekstreme greke, u mësojnë fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë si të shkruajnë, lexojnë e këndojnë fjalën madhështore shqipe… Jo vetëm që nuk i thirrën… Jo vetëm nuk i dekoruan… Por, nuk i përmendën as me emrin e përgjithshëm… Mësuese të gjuhës shqipe në mërgatë… Ermal Meta është fitues në një festival prestigjioz. I lumtë! Pas i vjen historia e ngjitjes në maja shoqëruar me miliona disqe e miliona euro… Mësueset e gjuhës shqipe në Greqi, tash 17 vjet, nga 7 marsi 2001, po bëjnë atë që nuk ia merr mendja askujt. Po mbledhin fëmijët dhe u mësojnë si të lexojnë, shkruajnë dhe këndojnë gjuhën e nënës. I mbledhin pa asnjë shpërblim dhe pa asnjë mbrojtje ligjore…

I mbledhin edhe nën trusninë e qarqeve të njohura ekstremiste greke duke u përballur me heroizmin që u përballen Rilindësit e Mëdhenj të Kombit dy shekuj më parë, ndaj Dritëro Agolli i quajti “Rilindës të kohës sonë”. Afro një muaj më parë mbi ta u ushtrua dhunë psikologjike, u mbyllën shkollën me dryn në një kohë kur një ditë më parë dyert e saj i kishte hapur krye bashkiaku i Hanias në Kretë dhe pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një punonjës i lartë i Ambasadës Shqiptare në Athinë… Për ngjarjen u shkrua vetëm në facebook… Mediat shqiptare, partitë shqiptare, heshtën… Po kush janë këta “Rilindës të kohës sonë”? Janë bij të popullit shqiptar, mësues që tërë ditën punojnë në punë “të bardhë” a në “punë të zezë” për bukën e ditës dhe në mbrëmje, pasi siç thotë Çajupi… “Drekë e darkë kthehen dhe i bëjnë vetë”, mbledhin fëmijët në mjedise nga më të pabesueshme dhe u mësojnë të këndojnë shqip me zë të lartë, edhe mbi libra, edhe mbi nota mbi pentagram… Askush, as nga “opozitat” dhe as nga “pozitat” këto 27 vjet nuk është kujtuar për ta, për t’i regjistruar si mësues në mërgatë, për t’u dhënë pagë për punët që bëjnë, për t’u dhënë një “Fletë nderi”, për nderin që i bëjnë Kombit, për një ligj që t’i mbrojë, për marrëveshje që mos dhunohen klasat ku ata shkruajnë heroikën e një kohe të re. Askush…


Sigal