Gjykata Kushtetuese spanjolle e deklaroi rezolutën e Parlamentit të Katalonjës si antikushtetuese e të pavlefshme

691
Dr. Erjon Muharremaj
Zv. Dekan
Fakulteti i Drejtësisë Universiteti i Tiranës

Vijon nga nr i kaluar

Ato kufizoheshin në marrjen e vendimeve dhe nxjerrjen e ligjeve të përgjithshme në përputhje me kushtetutën dhe ligjet serbe. Gjykata Kushtetuese serbe mori kompetencën të shfuqizonte aktet ligjore të institucioneve kosovare. Për më tepër, Asambleja e Kosovës humbi të drejtën e vetos për amendamentet e ardhshme të Kushtetutës serbe. Masat diskriminuese kundër shqiptarëve u përforcuan nga një sërë ligjesh që u miratuan me qëllim konsolidimin e mbizotërimit të minoritetit serb në Kosovë. Investimet u rezervuan për zonat me shumicë serbe dhe shtëpitë e reja të ndërtuara në Kosovë ishin vetëm për serbët, të kufizuara në bashki të veçanta mono-etnike. Ligji “Për aktivitetet e organeve të Republikës në rrethana të veçanta” u miratua për shtypjen e të vetmes gazetë në gjuhën shqipe ‘Rilindja’, shkrirjen e Akademisë së Arteve dhe Shkencës të Kosovës dhe heqjen nga puna të mijëra shqiptarëve të punësuar në sektorin publik. Botimet në gjuhën shqipe ishin ndaluar, Instituti i Studimeve Shqiptare në Prishtinë ishte mbyllur, emrat e vendeve ishin ndryshuar rregullisht nga shqiptarë në serbë, të gjithë punonjësit shtetërorë që mbështetnin lëvizjen për pavarësi u pushuan nga puna. Filloi zbatimi praktik i një programi për serbizimin e Kosovës duke sjellë refugjatë serbë të luftës nga Bosnja dhe Kroacia, ku disa prej tyre u sistemuan në godinën e Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e shpallur si Pasuri Botërore nga UNESKO. Për më tepër, Kosova u përdor vazhdimisht si një mjet për të nxitur pasionet nacionaliste nga grupet kriminale paraushtarake që kishin kryer krime mizore gjatë luftërave në Bosnje dhe Kroaci. Madje, udhëheqësi më famëkeq i një grupi të tillë, Arkani, u zgjodh si përfaqësues i njërës prej zonave elektorale për në Asamblenë e Serbisë. Në një nga fjalimet e tij, ai i quajti banorët shqiptarë të Kosovës si ‘të ardhur rishtas’ nga Shqipëria në pesëdhjetë vitet e fundit, dhe ata duhen konsideruar si ‘turistë’. Parlamenti serb imponoi masa që synonin krijimin e një programi uniform mësimor për të gjitha shkollat në Kosovë, duke përmbushur kështu planin për serbizimin e saj. Të gjitha këto, nuk kanë asgjë të përbashkët me situatën e popullsisë së Katalonjës. Nenet 137 e vijues të Kushtetutës spanjolle garantojnë të drejtën e vetëqeverisjes për të gjitha njësitë administrative territoriale: bashkitë, provincat dhe Komunitetet Autonome (siç është Katalonja, brenda Mbretërisë së Spanjës, me statusin e një Rajoni Historik), ku të gjitha këto gëzojnë të drejtën për t’u vetëqeverisur lirisht, për realizimin e interesave dhe të drejtave të tyre. Pika 2 e nenit 138 të Kushtetutës spanjolle sanksionon se ndryshimet midis statuteve të Komuniteteve Autonome nuk nënkuptojnë në asnjë rast privilegje ekonomike apo sociale. Të gjithë spanjollët kanë të njëjtat të drejta e detyrime në cilëndo pjesë të tërritorit të Spanjës. Asnjë autoritet nuk lejohet të marrë çfarëdolloj mase që mund të pengojë eventualisht në mënyrë direkte apo indirekte lirinë e lëvizjes e të vendosjes në cilëndo pjesë të territorit. Më tej, neni 148 u garanton Komuniteteve Autonome kompetenca në lidhje me organizimin e institucioneve të vetëqeverisjes, ndryshimin e ndarjeve administrative brenda tyre, planifikimin e territorit, politikat e strehimit, veprat publike, transportin, bujqësinë, peshkimin, pyjet, gjuetinë, promovimin e zhvillimit ekonomik brenda objektivave të politikës kombëtare ekonomike, promovimin e kulturës, kërkimit, monumenteve me vlerë, etj. Katalonja vetëqeveriset lirisht e në mënyrë demokratike nëpërmjet organeve të veta që përfshijnë Parlamentin, Presidentin (e Generalitat-it, siç emërtohet Katalonja) dhe Këshillin Ekzekutiv (qeveria). Pra vetëqeverisja në Katalonjë është në nivelin më të lartë, brenda një demokracie e një shteti të së drejtës. Pëveç këtyre, Gjykata Kushtetuese spanjolle e ka deklaruar antikushtetuese Rezolutën 1/XI të Parlamentit të Katalonjës të 9 Nëntorit 2015, e cila shënonte fillimin e procesit politik që kishte si objektiv krijimin e shtetit të pavarur të Katalonjës, si republikë. Në vendimin e saj të 2 dhjetorit 2015, Gjykata Kushtetuese spanjolle argumentoi se kjo rezolutë binte ndesh me parimet e ligjshmërisë dhe të demokracisë. Veçanërisht në lidhje me këtë të fundit, gjykata theksoi se parimi i demokracisë lidhet me dy premisa themelore të rendit kushtetues: pluralizmin politik dhe pluralizmin territorial. Pluralizmi politik është një nga vlerat e larta të mbrojtura nga Kushtetuta spanjolle, gur themeli i sistemit të bashkëjetesës, të cilin e ka shfytëzuar vetë Parlamenti i Katalonjës për hartimin e rezolutës së tij. Përveç pluralizmit gjuhësor dhe kulturor që mbrohen gjithashtu prej kushtetutës, rëndësi i duhet kushtuar edhe dimensionit të njohjes së autonomisë së kombësive dhe rajoneve. Liria e parlamentit të Komunitetit Autonom është e kufizuar prej kushtetutës. Asnjë asamble ligjvënëse nuk mund të hartojë politika që bien ndesh me kushtetutën. Në rastin konkret, Parlamenti i Katalonjës i ka dhënë të drejtën atij vetë dhe Qeverisë së Katalonjës që të shkelin parimin e ligjshmërisë dhe të sovranitetit të popullit të Spanjës, pjesë e të cilit është edhe populli i Katalonjës. Kjo, në kushtet kur Kushtetuta u njeh të gjithë individëve të drejtën e promovimit të veprimtarisë politike, të shprehjes lirisht të kombësisë së tyre, të drejtën e organizimit dhe të krijimit të partive politike, madje edhe të atyre që kanë në programin e tyre shkëputjen nga Spanja. Por kjo mund të realizohet vetëm në përputhje me procedurat kushtetuese. Uniteti i kombit spanjoll nuk pengon njohjen e të drejtës së kombësive dhe të rajoneve për autonomi. E drejta për autonomi është në themel të Kushtetutës, së bashku me parimin e unitetit. Duke ushtruar këtë të drejtë, Komunitetet Autonome janë të lira të ndjekin politikat e tyre, brenda kornizës kushtetuese, e si e tillë, Katalonja vetëqeveriset në përputhje me Kushtetutën. Duke qenë se shteti i Spanjës është i mbështetur në parimet e shtetit të së drejtës dhe lejon zhvillimin e aspiratave të kombësive e rajoneve brenda tij, Gjykata Kushtetuese spanjolle e deklaroi rezolutën e Parlamentit të Katalonjës si antikushtetuese e të pavlefshme. Siç u theksua më lart, prej popujve pritet që të ushtrojnë të drejtën e vetëvendosjes brenda kuadrit të shtetit ku jetojnë. Një shtet si Spanja, ku qeveria është përfaqësuese e të gjithë popullit apo popujve që jetojnë në territorin e tij, mbi bazën e barazisë, pa diskriminuar dhe që respekton parimin e vetëvendosjes në marrëdhëniet e tij të brendshme, gëzon të drejtën të ruajë sovranitetin e tij territorial sipas të drejtës ndërkombëtare. Por, kur kur një populli i mohohet çdo ushtrim i të drejtës së tij për vetëvendosje brenda shtetit pjesë e të cilit është, siç ishte rasti i Kosovës nën Serbinë e Millosheviçit, lind e drejta për shkëputje nga një shtet i tillë brutal, në zbatim të parimit të vetëvendosjes. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB e la të hapur statusin e Kosovës, në pritje të zgjidhjes përfundimtare, duke mbajtur plotësisht parasysh Marrëveshjen e Rambujesë. Këshilli i Sigurimit zëvendësoi në mënyrë të pakthyeshme sovranitetin e Republikës Federative të Jugosllavisë mbi Kosovën me atë të OKB. Zgjidhja përfundimtare, pavarësia e Kosovës, erdhi si shprehje e vullnetit të popullit të saj. Nuk mund të luhet drama e Hamletit pa patur skenën e fantazmës. Kjo dramë është luajtur në kurrizin e popullit shqiptar të Kosovës. Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, rastet e Katalonjës dhe të Kosovës janë shumë të ndryshëm prej njëri-tjetrit dhe përpjekjet serbe për vendosur shenjën e barazisë midis të dy rasteve e për të ringjallur fantazmën jugosllave janë të pambështetura juridikisht e të destinuara për të qenë të dështuara.
Sigal