Maksim Haxhia: Jemi kundër bojkotit, por qeveria të na dëgjojë

176
Sigal

Drejtuesi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia ishte në qytetin e Vlorës për të biseduar në lidhje me bojkotin e Dhomës së Avokatisë së këtij qyteti në seancat gjyqësore dhe masat e sigurisë. Në fjalën e tij, Haxhia e ka vendosur theksin te sugjerimet që i ka paraqitur Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor, por edhe qeverisë për të mos vazhduar më tej bojkoti i seancave. Haxhia sqaron gjithashtu se Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka qenë kundra bojkotit të menjëhershëm të masave të sigurisë, por njëkohësisht është në mbështetje të çdo vendimi që do të marrë Dhoma e Avokatisë së Vlorës. Në një kohë kur stoku i dosjeve të pashqyrtuara sa vjen e po rritet në Gjykata, kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia ka sjellë një zgjidhje për këtë problem. Ai ka propozuar që për të eliminuar stokun, të “përdoren” si gjykatës, avokatët. Ai ka deklaruar se këto avokatë të marrin statusin e “gjyqtarit të përkohshëm” dhe të merren me çështje të lehta e që janë në vëzhgim nga shtetit. Për këtë, thotë se nuk është e nevojshme të ketë dalë nga shkolla e magjistraturës apo të ketë kaluar Vettingun. “Heqja e shumë institucioneve nga rrethet, jeta nuk bëhet vetëm në Tiranë. “Nuk kemi shpresë te qeveria, se ajo e di që është masë ekstreme, dhe që ka një faturë shumë të madhe që do rëndojë në xhepat tanë, qeveria nëse do e miratojë këtë hartë do të tregojë dhe për t’iu shmangur akuzave që po pengojnë reformën në drejtësi. Qeveria duhet të ulet me ne”, tha Haxhia. Ai shtoi se bojkoti i avokatëve javën e parë ka qenë i shkëlqyer, mirëpo thekson se nuk ka vend që të arrihet deri në grevë, pasi thekson se propozimet e tyre janë të pranueshme.