Flet Prof.Dr.Elmaz Sherifi: Shpejtësia me të cilin po shoqërohet procesi, po vërteton hipotezën se Reforma në Drejtësi ka qenë e pastudiuar, dhe për të “mbuluar” mungesën e gjyqëtarëve, po shkurtohen gjykatat

161
Sigal

Harta e re gjyqësore ka sjellë përçarje edhe mes figurave, që përbëjnë sistemin gjyqësor avokatët e gjyqtarët

Migena Neli

 “Ulsi Manja, e “argumenton” uljen e numërit të gjykatave pas 102 vjetëve, për t’i “shërbyer” popullit”

Harta e re gjyqësore ka sjellë përçarje edhe mes figurave, që përbëjnë sistemin gjyqësor avokatët e gjyqtarët. Ndërsa ka pasur tërheqje nga gjyqtarët dhe është pranuar implementimi i këtij sistemi të ri të gjykatave, duket se avokatët vijojnë ta kundërshtojnë me forcë vendimin. Për çështjen kemi zhvilluar një intervistë me ish-deputetin dhe juristin Elmaz Sherifi.

Si e shihni ndarjen e re administrative të gjyqësorit pasi ju jeni ish-deputet dhe jurist?

Ndarja e re administrative e pushtetit gjyqësor po përcillet me shumë shqetësim nga shqiptarët, sepse po shkurtohen në maksimum gjykatat duke i larguar shërbimet, do të rriten shumë shpenzimet e qytetarëve, do të shtyhen edhe më shumë proceset gjyqësore për dosjet që kanë vite pa u gjykuar. Pas shpalljes së Pavarësisë, vetëm më 1920 ministri i Drejtësisë të Shqipërisë Hoxhë Kadria/Prishtina i dërgoi Këshillit Kombëtar që kryente fuksionin e pushtetit legjislativ projekt ligjin për rritjen e numërit të gjykatave në disa Prefektura e Nënprefektura, që t’i vihej në ndihmë popullit në dhënien e drejtësisë, ndërsa ministri i drejtësisë i qeverisë Rama, Ulsi Manja, e “argumenton” uljen e numërit të gjykatave pas 102 vjetëve, për t’i “shërbyer” popullit !

 “Shpejtësia me të cilin po shoqërohet procesi po vërteton hipotezën, se Reforma në Drejtësi ka qenë e pastudiuar, dhe për të “mbuluar” mungesën e gjyqëtarëve, po shkurtohen gjykatat”.

A është studiuar fizibiliteti për mbylljen e Gjykatave lidhur me kohën, hapësirat, projektin inxhinierik (godinat, sallat) kostot e lëvizjes së qytetarëve, gjyqtarëve e të paraburgosurve?

Shpejtësia me të cilin po shoqërohet procesi po vërteton hipotezën, se Reforma në Drejtësi ka qenë e pastudiuar, dhe për të “mbuluar” mungesën e gjyqëarëve, po shkurtohen gjykatat, për të rritur vuajtjet e qytetarëve, të cilët edhe me më shumë gjykata, dosjet e tyre që kanë vite që qëndrojnë në “sirtaret e harresës”, dhe nuk kanë mundur të shqyrtohen nga një gjykatë kompetente dhe e pavarur. Mos dhënia e drejtësisë është shoqëruar me humbjen e besimit te një proces i rregullt ligjor, te shteti i së drejtës, i cili “largohet” edhe më shumë si mundësi, çka mund të kërkohet si zgjedhje vetëgjyqësia, si padurim nga rritja e krimit dhe e vështirësive ekonomike.

A mendoni se përqëndrimi i sistemit të drejtësisë në 3 Gjykata rrit kontrollin politik mbi drejtësinë?

Jo nuk e mendoj se kontrolli politik mbi drejtësinë do të rritet nga përqëndrimi i gjykatave, pasi besoj se drejtësia si paanësi lidhet me ndërgjegjen juridike të gjyqtarëve.

 

Një skenar i tillë i reduktimit të gjykatave sipas ekspertëve është aplikuar në Moldavi. A është ky vend për t’u marrë shembull nga Shqipëria pasi synojmë edhe integrimin në Bashkimin Europian?

Asnjë model i huaj nuk mund të shërbejë si shembull për Reformën Administrative të pushtetit gjyqësor. Jo pa qëllim solla si shembull përkushtimin e ministrit të drejtësisë Hoxhë Kadria në rikrijimin e institucioneve politike e juridike të Shqipërisë më 1920. Edhe në diktaturë pushteti gjyqësor drejtohej nga partia, por gjykatat ishin në çdo rreth. Le të studiojmë përvojën shqiptare edhe në këtë fushë duke e zhveshur nga ideologjia politike dhe e përqasur te standardet më të përparuara të shteteve më të përparuara të BE, ku presim të antarësohemi institucionalisht.

A mendoni se protestës së avokatëve duhet t’u bashkohen edhe qytetarët, të cilët presin drejtësinë në dyert e këtyre gjykatave?

Shoqata Kombëtare e Avokatëve ushtroi një të drejtë kushtetuese e ligjore, që ka si motiv mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, që kanë vite që dremisin në “dyert e mbylluara” të gjykatave. Zgjimi nga mosbesimi është alternativa e vetme e zgjidhjes së padrejtësive! Faleminderit.