Familja Mankollari u godit nga makina në rrugën e Patokut/ Vdes maturanti ekselent, zgjohet e ëma, por babai është ende në koma

127
Sigal

Një 16-vjeçar ka humbur jetën në spital 15 ditë pas aksidentit të rëndë që ndodhi në rrugën e Patokut në Kurbin, ndërsa prindërit e tij janë ende në spital në gjendje të rëndë. E ëma është zgjuar, por i ati është endë në koma.

Flavio Mankollari, nxënës ekselent i vitit të dytë në gjimnazin “Qemal Stafa” mbeti i plagosur në këtë aksident bashkë me 4 persona të tjerë, por nuk mundi t’ia dalë për shkak të plagëve të marra në disa pjesë të trupit.

Makina ku udhëtonte familja Mankollari, prindërit dhe 16-vjeçari, u përplas kokë më kokë me një makinë tjetër dhe, sipas ekspertizës, shkak për aksidentin tragjik ishte parakalimi i gabuar i mjetit që drejtohej nga shtetasi Sh.Ll. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 23 tetori, përgjatë rrugës së Lagunës së Patokut.

Gjimnazi “Qemal Stafa” reagoi dje me trishtim për vdekjen e maturantit të shkëlqyer.

“Shumë lot sot në shkollën tonë nga nxënës e mësues, kësaj here jo lot gëzimi por lot trishtimi, për një humbje të parakohshme. Me keqardhje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të një nxënësi të shkëlqyer ekselent i cili ne, shokëve dhe shoqërisë do të na mungojë shumë Flavio Mankollari,  si pasojë e një aksidenti automobilistik.

Një nxënës ekselent, një fëmijë i kompletuar, një yll djalë i cili i dha dhe kishte shumë për ti dhënë shoqërisë. Një nxënës që mbylli me 10.0 klasën e 10-të, i cili do të shijonte bursën e ekselencës si një qemals sivjet dhe që gjatë gjithë jetës së tij shkollore nuk njeh një notë 9-të të marrë dhe vetëm sjellje shembullore dhe një zë i ëmbël, i fuqishëm në jetën shkollore, promovues i vlerave dhe virtyteve njerëzore! Të duam shumë Flavio, do të të kujtojmë gjithmonë me mall në çdo moment të bukur të jetuar për këto kohë që kaluam bashkë!

U prehsh në paqe yll i bukur!”-thuhet në reagimin e gjimnazit.