Banka Botërore: Çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve mund të rrisin me 8.4% nivelin e varfërisë në Shqipëri

126
Sigal

Varfëria mund të bëhet më e mprehtë dhe me e thellë në vendet e Ballkanit Perëndimor si pasojë e rritjes në rekorde të çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë, analizoi së fundmi Banka Botërore në raportin e rregullt ekonomik rajonal.

Nivelet e mirëqenies në Shqipëri do të bien me rreth 4 për qind nga inflacioni i lartë, ndërsa varfëria do të rritet me rreth 8.4 për qind.

Me rritjen e shpejtë të çmimeve në të gjithë botën, Banka Botërore përditësoi kufijtë e varfërisë relative në vlerë nominale.

Në vendet e varfra me të ardhura të ulëta kufiri i varfërisë është 2,15 dollarë amerikanë në ditë, në vendet me të ardhura mesatare të ulëta kufiri i varfërisë është 3,65 dollarë në ditë dhe në vendet me të ardhura mesatare të larta ku bën pjesë edhe Shqipëria ky kufi është 6,85, nga 5.5 dollarë që ishte vitin e kaluar.

Banka Botërore e indeksoi kufirin e varfërisë për vendet si Shqipëria me rreth 21 për qind brenda një viti, por të ardhurat e familjeve në decilin më të varfër në vend nuk janë rritur me të njëjtën ritëm gjatë vitit të fundit, duke bërë që edhe familje të tjera të përfshihen në nivelin varfërisë.

Përpara COVID-19 Rajoni kishte bërë përparim të dukshëm në uljen e varfërisë. Midis 2016 dhe 2019, shkalla e varfërisë vlerësohet të ketë rënë me rreth 10 pikë përqindje. Përmirësimet në mirëqenie ndaluan kur kriza e shkaktuar nga pandemia i çoi në recension të gjashtë ekonomitë e Ballkanit në vitin 2020. Numri i të varfërve u rrit me 155,000 persona të rinj.

Në vitin 2021 ekonomitë e Rajonit pësuan rritje të shpejtë ekonomike, e cila ndikoi në uljen e varfërisë mesatarisht me 3.5 pikë %, ku u vlerësua se rreth 547,000 kishin dalë nga varfëria.

Në Shqipëri varfëria pësoi rënie me më shumë se 6 pikë % në vitin 2021 në raport me vitin 2020, si rrjedhojë edhe disa ndryshimeve metodologjike në vlerësimin e fenomenit nga Banka Botërore.

Sipas skenarëve bazë në vitin 2022 varfëria në rajon parashikohet të bjerë me rreth 1 pikë përqindjeje, ekuivalente me rreth 144,000 njerëz. Sipas skenarëve bazë, varfëria në Shqipëria parashikohet të bjerë më tej në vitin 2022 me 2 pikë përqindje.

Mirëpo në mungesë masave mbështetëse nga qeveria rritja e çmimeve të ushqimeve do të rrisë me tej shkallën e vlerësuar e varfërisë (sipas standardeve të të ardhurave të mesme të larta).

Ndikimet mesatare në humbjen e mirëqenies janë të mëdha dhe të  larmishme nga -4.9 për qind në Shqipëri në -10.2 për qind në Maqedonia e Veriut. Në decilin më të varfër humbjet janë edhe më të mëdha.

Banka Botërore: Çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve