Ermal Mulosmani: Sistemi hermetik i kryetarit-mbret, po e shkatërron opozitarizmin dhe shpresën

846
Sigal

NgaErmal Mulosmani 

Një nga pikat kryesore të përcaktuara nga Bundestagu si kusht për hapjen e negociatave me Shqipërinë, ishte implementimi i Reformës Zgjedhore. Pra, ndërtimi i një sistemi zgjedhor dhe rregullash ligjore që garantojnë respektimin maksimal të të drejtave dhe barazisë së subjekteve politike. Me fjalë të tjera përfaqësimin në Institucione të atyre njerëzve për të cilët ka votuar populli.

Pas shumë kohësh bojkoti opozitar, u arrit që të kemi një tryezë jashtëparlamentare me pjesëmarrjen e Opozitës bojkotuese (Bylykbashi i PD-së dhe Vasili i LSI-së) si dhe i mirënjohuri Gjiknuri nga PS-ja dhe Rudina Hajdari nga “opozita parlamentare”.

Deri tani janë bërë të njohura vetëm kushtet e Partisë Demokratike përsa i përket rolit të Policisë dhe Prokurorisë në zgjedhje, duke e vënë theksin në paanshmërinë e organeve policore në procesin e votimit dhe garantimin e paprekshmërisë së votës. Gjithashtu edhe një kërkesë për përjashtimin 4 vjeçar nga vetingu të gjyqtarëve që do gjykojnë ankimimet.

Mirëpo, përveç kësaj, nuk vërehet asnjë përpjekje për ndryshimin e sistemit zgjedhor aktual. Sipas sistemit aktual zgjedhor, Kryetari i Partisë më të madhe qoftë në Pushtet qoftë në Opozitë është Ai që të bën deputet apo të zhduk nga politika. Në vitin 2013 Jozefina Topalli, Arben Imami, Astrit Patozi, Genc Ruli, Ridvan Bode e të tjerë ishin shtylla kurrizore e PD-së. Por, në vitin 2017, me një të rënë të lapsit nga Lulzim Basha atyre iu pre mundësia e ballafaqimit me votën e elektoratit të djathtë.

Kjo është absurde.

Nuk mundet askush të të heqë nga politika përveç votës popullore. Lulzim Bashës(njësoj edhe Edi Ramës) u duhet heqë kjo mundësi arbitrare. Ata mundet të bëjnë një listë shumëemërore me renditje sipas mendimit të tyre por kurrsesi kjo renditje e Kryetarit të jetë mbi votën e elektoratit. Votuesi do të zgjedhë jo të votojë. Kryetarët e Partive politike po i kthejnë partitë në biznese. Nëse Edi Rama të vë numrin 10 në listën shumëemërore të Tiranësë, praktikisht të ka bërë deputet, nuk ka rëndësi nëse ti merr pjesë apo jo në fushatë elektorale. Nuk ka rëndësi fare nëse populli i asaj zone nuk e njeh personin me numrin 10. Mund të jetë një sharlatan, një batakçi, një hajdut, kondrabandist, trafikant. Ai do bëhet deputet! Sepse për poullin nuk pyet kush. Njësoj Lulzim Basha mund të vërë një lolo si kandidat për Shkodër me nr 3. Do jetë deputet. Shkodranët do duan ta votojnë një tjetër, fjala vjen numrin 8 nga lista e PD-së së Shkodrës. Por jo, nuk e kanë këtë mundësi. Atyre u shfaqen dy figura, dy kalorës bizanti, Edi Rama dhe Lulzim Basha. Duhet të zgjedhin mes tyre!

Lulzim Basha ka në taborin e vet të gjitha Partitë që deri tani kanë pasë njëfarë identiteti parlamentar dhe mundet të sigurojnë vota kundër Edi Ramës. Pranë tij janë (përveç LSI-së) Fatmir Mediu, Dashamir Shehu, Agron Duka dhe Nard Ndoka.

Edhe këta Kryetarë Partie po e mjelin lopën e drobitur të PD-së sa të jetë e mundur. Ata nuk kanë nevojë të bredhin nëpër Shqipëri për të marrë vota. U mjafton një numër komod në listën e Gjeneralit Basha. Psh Dashin ta lëmë numër 9 në Tiranë, Mediun numër 3 në Fier, Nardin numër 4 në Shkodër, Dukën numër 5 në Durrës e kështu me radhë.

Pasi e sigurojnë qenien deputet të tyre, këta, në ndryshim nga Basha, kanë kërkuar të bëjnë disa ndryshime në sistemin zgjedhor. Në dobi vetëm të tyre sigurisht. Ata kërkojnë të krijojnë me ligj një minikoalicion brenda koalicionit të madh, një matrioshkë më e vogël. Pra, votat e të katërve të bashkohen dhe, kushedi kapin edhe ndonjë deputet tjetër aty. Shumë mirë e kanë. Veten e fusin përmes Kryetarit të PD-së, pa i prekur votat e partisë së tyre, janë të sigurtë. Ndërsa, nëse kapin ndonjë votë (kapim ça të kapim) nuk ia japim PD-së, e mbajmë për vete!

Ky sistem hermetik i kryetarit-mbret, po e shkatërron opozitarizmin dhe shpresën. Nëse do ishte me lista të hapura (në këtë rast le t’i vinte po të donte edhe numër 1 aleatët) njerëzit do të dilnin në zgjedhje sepse do të kishin alternativa. Do të kishte edhe votë protestë. Vota protestë do të ishte për shembull votimi i një kandidati të renditur tepër poshtë në listat e Kryetarit dhe e kundërta, mosvotimi i kandidatëve të renditur lart nga ai. Votë proteste do të ishte edhe numri i votave të Kryetarit të Partisë. Dhe këtu, bash këtu, duhet kërkuar mbrojtja me çdo kusht e sistemit hermetik. Le të humbim, boll të jem i humbur mes shokësh dhe besnikësh! Le të ruajmë statusquo-në, të shporrim armiqtë dhe t’ua ndalojmë hyrjen me votë popullore. Kurrsesi!

Partia Socialiste po shkon drejt fitores së radhës. Dhe jo fitore relative, as me koalicion. Jo jo, nuk ka nevojë për parazitë që i rendit lart në listën e saj ajo. Edi Rama, këtë radhë, do të fitojë përmes rënies së pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje dhe indiferencës së votuesve demokratë. Ai do fitojë i vetëm mbi 70 deputetë me vetëm 650 mijë vota. Nuk ka nevojë për më shumë, i mjaftojnë.