EKSKLUZIVE/ Dëmet nga tërmeti, Presidenti Meta flet për planin e rimëkëmbjes ekonomike: Nga rialokimi i fondeve të PPP-ve, tek konsensusi mes qeverisë dhe opozitës

256

ARISTIR LUMEZI/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kërkon transparencë për menaxhimin e fondeve për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Në një intervistë ekskluzive, Meta kërkon konsensus politik në përpjekjen për të kërkuar fonde nga konferenca e donatorëve, por dhe rialokimin e disa shpenzimeve të planifikuara për vitin 2020 për fondin e emergjencës.

Gjithashtu, kreu i shtetit kërkon edhe rialokimin e disa investimeve publike të financuara direkt apo dhe në formën e projekteve PPP, të cilat mund të gjykohen që nuk kanë karakter emergjent. Kreu i shtetit i kërkon qeverisë që të menaxhojë me transparencë sa më të madhe fondet që vetë taksapaguesit shqiptarë dhe ata të huaj do të japin për të rindërtuar zonat e dëmtuara nga tërmeti, duke i kujtuar asaj se dëmet paguhen nga taksapaguesit dhe jo qeveria.

“Është e rëndësishme që të kuptohet se dëmet do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë dhe të huaj. Qeveria nuk paguan. Qeveria vlerëson nevojat, ndërton strategjinë dhe menaxhon fondet në bazë të prioriteteve. Sa më e gatshme të jetë qeveria për transparencë dhe llogaridhënie në menaxhim, aq më i suksesshëm do të jetë ky proces i rindërtimit dhe i rikuperimit të pasojave nga tërmeti”, shprehet Presidenti në intervistën e tij për Panorama.

Cilat duhet të jenë mënyrat e financimit të nevojave të rimëkëmbjes ekonomike?

Rimëkëmbja ekonomike, mbas një tërmeti të këtij niveli, do të jetë e kushtueshme, një ndërmarrje komplekse dhe sigurisht që do të kërkojë bashkëpunimin e të gjithë aktorëve ekonomikë dhe politikë, institucioneve qeverisëse, sektorit privat, organizatave joqeveritare dhe individëve.

Burimet financiare duhet të mbulojnë: – Shpenzime për nevojat emergjente; – Ndërtimi dhe riparimi i banesave; – Ndërtimi dhe riparimi i infrastrukturës publike, spitale, shkolla etj; – Shpenzime për mbështetjen sociale të familjeve të dëmtuara nga tërmeti; – Shpenzime për mbështetjen ekonomike dhe fiskale nga humbjet e shkaktuara; Në mungesën e një programi kombëtar të sigurimit, financimi i nevojave do të duhet të vijë kryesisht nga qeveria qendrore dhe lokale, si dhe donatorët e brendshëm dhe të huaj. Financimi nga burimet e brendshme i jep më shumë kredibilitet angazhimit të institucioneve qeverisëse kundrejt qytetarëve dhe donatorëve. Mënyrat e financimit të nevojave mund të jenë: – Rialokimi i disa shpenzimeve të planifikuara për vitin 2020 për fondin e emergjencës; – Rialokimi i disa investimeve publike të financuara direkt apo dhe në formën e projekteve PPP, të cilat mund të gjykohen që nuk kanë karakter emergjent; – Rialokimi i huave me terma të buta nga Banka Botërore për nevojat e emergjencës. – Mbështetje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar; – Mbështetje nga Bashkimi Europian; – Donacione nga donatorë të brendshëm dhe të huaj; – Kontributi nga organizimi i konferencës së donatorëve me qëllim të sigurimit të fondeve shtesë si në vlerë apo dhe në natyrë, nga donatorë të ndryshëm që do të duhet të ftohen si : – Donacione nga Asistenca Europiane e Emergjencave; – Donacione nga organizatat e Kombeve të Bashkuara; – Organizatat humanitare; – Donacione në formën e ndihmës bilaterale.

Cila do të ishte mënyra më e mirë që të mblidheshin sa më shumë fonde në funksion të tejkalimit të pasojave të tërmetit?

E rëndësishme është që sigurimi maksimal i fondeve do të kërkojë: (i) një konsensus të gjerë politik (ii) një besim mbi angazhimin real të institucioneve shqiptare për rimëkëmbjen ekonomike (iii) sigurimin e shpejtë të fondeve për arsye të emergjencave të tjera që mund të shfaqen. Për të pasur konferencë të donatorëve të suksesshme do të duhet:

– Përgatitja dhe hartimi i një dokumentacioni të plotë me vlerësime realiste të dëmeve dhe humbjeve të shkaktuara nga tërmeti;

– Ndarja sipas kategorive e dëmeve të shkaktuara, si dhe prioritetet e mbulimit të nevojave;

– Hartimi i një strategjie të besueshme të rindërtimit në kohë dhe të detajuar sipas prioriteteve;

– Nevojën e një konsensusi të institucioneve qeverisëse, partive politike si dhe organizatave joqeveritare;

– Angazhimin financiar, në radhë të parë i qeverisë, i miratuar me ligj mbi fondet e rindërtimit që do të vihen në dispozicion;

– Struktura ekzekutive transparente dhe që gëzojnë një besim në zbatimin e strategjisë së miratuar dhe përdorimit të fondeve;

– Përgatitjen me transparencë të një raporti të përditësuar të fondeve të dhuruara nga donatorët në vlerë dhe në natyrë;

– Mundësisht, mbledhjen e fondeve dhe transferimin e tyre në një llogari të vetme të Qeverisë;

– Përgatitjen e një plani të rindërtimit sipas një kalendari transparent dhe raportimin e zbatimit të tij;

– Përgatitjen me transparencë të procesit të prokurimit dhe shpenzimeve të fondeve për rimëkëmbjen ekonomike dhe rezultateve të arritura;

– Ngritjen e një komisioni për auditimin dhe vlerësimin e përdorimit të fondeve të rimëkëmbjes.