Edhe Mali i Zi kufizon lëvizjen me Shqipërinë

304
Sigal

Pas Greqisë, edhe Mali i Zi ka kufizuar lëvizjet e qytetarëve shqiptarë. Duke filluar nga dita e hënë, 23 Nëntor, drejt Malit të Zi do të lejohen të udhëtojnë kategori të caktuara të qytetarëve.

Shkak për këto masa është bërë pandemia e Covid-19. Autoritetet malazeze kanë njoftuar palën shqiptare se do të lejohen të hyjnë në Malin e Zi vetëm personat me leje qendrimi, me leje pune, ata të cilët kalojnë tranzit në territorin malazez dhe ata që udhëtojnë drejt Aeroportit të Podgoricës, të cilët duhet të jenë të pajisur me prenotimet e biletave.

Nga Muriqani në drejtim të Malit të Zi, lejohet të kalojnë edhe ata persona të cilët kanë prenotuar hotelet për fundjavën në Mal të Zi.

Përsa i takon aktiviteteve tregtare dhe lëvizjes së mjeteve të transportit, nuk do të ketë ndryshime.

Këto kufizime janë të vlefshme edhe për Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan dhe Bashkim. Në Pikën Bashkim Vermosh, lejohen vetëm shtetasit shqiptarë të cilët duan të dalin nga Mali i Zi, në drejtim të Shqipërisë.

Policia Kufitare Shkodër iu bën thirrje qytetarëve të cilët nuk bëjnë përjashtim nga këto kufizime, të shmangin udhëtimin në drejtim të këtyre Pikave të Kalimit Kufitar.

Dy ditë më parë, Greqia njoftoi mbylljen e pikës kufitare të Kapshticës, ndërsa kalimi vijon drejt Kakavijës në kuotën e 750 personave në ditë.