E padëgjuar, gruaja arrestohet në Tiranë vetëm se përqeshi kryeministrin

431
Sigal

Një grua është arrestuar nga policia në Tiranë vetëm se ka qeshur në prani të kryeministrit Edi Rama. Rasti flagrant është publikuar në rrjetet sociale nga gazetarja, Anila Hoxha, e cila ka siguruar dhe dokumentin e Policisë së Shtetit për aktin e shoqërimit.

Në dokument thuhet se një grua nga Dibra është arrestuar dhe shoqëruar në polici, vetëm sepse ka qeshur me zë të lartë, gjatë kohës që në rrugë kalonte kryeministri Edi Rama. Sipas dokumentit, ngjarja ka ndodhur më 15 tetor 2020 në rrugën “Fuat Toptani” në Tiranë.

Zakonisht qytetarët janë shoqëruar kur protestonin kundër Edi Ramës apo kur kanë tentuar të godasin me shishe kryeministrinë. Arrestime sepse qeshin në prani të kryeministrit mbetet një rast sa skandaloz dhe aq i rrezikshëm.

Shkrimi gazetares Anila Hoxha në Facebook:
Gruaja që qesh
Një 45 vjeçare me inicialet T.B, përfundoi për pak orë në komisariatin numër 1 me urdhër të gardës, pasi këta të fundit e konstatuan duke qeshur e për këtë arsye sipas tyre, ajo po prishte rendin dhe qetësinë publike. Madje akoma dhe më tepër.
Burimet zyrtare më thonë se ngjarja – ka ndodhur në datën 15 tetor në kryeqytet, në rrugën Fuat Toptani në orën 20.10. Mes personave që kanë dhënë deklaratë nuk është vetëm gruaja që u shoqërua dhe u pyet, por edhe polici i patrullës që shprehet se:
– unë nuk kam konstatuar që kjo femër të prishte qetësinë publike.
“Por atë e solli punonjësi i Gardës së Republikës i shpjegon si deklarues që tregon rrethanat e hetimit oficeri D.D.
Historia e pabesueshme “e qeshjes së ndaluar” shtjellohet akoma më tepër me rrëfimin e vetë gruas që qeshi.
“Isha duke dalë nga puna që ndodhet në Kalanë e Tiranës dhe pashë kryeministrin, ku pasi ai tha diçka që unë nuk e dëgjova mirë , qesha me zë të lartë”.
Në këto momente policia e zënë ngushtë nga kërkesat e Gardës për ta shoqëruar kundravajtësen, e shoqëroi për veprimet e para hetimore në komisariatin numër 1. Femra në momentin që na i dorëzoi punonjësi i gardës nuk kishte maskë në fytyrë dhe në këto rrethana u aplikua gjoba ndaj saj” deklaron oficeri i cili fillimisht mësohet të ketë hezituar dhe për t’ju bindur gardës ka kërkuar ta kryeje shoqërimin pak minutësh të gruas që qesh brenda rregullave, duke kërkuar një shërbim ku të merrte pjese në aksion edhe një oficere femër.

Kjo që sapo shkrova nuk është anektodë. Ka ndodhur vërtet në mes të Tiranës dhe raportohet pikërisht kështu në shkresat zyrtare. Teutës i kushtoi e qeshura një xhiro në polici.
Nesër, dikujt tjetër mund t’i kushtojë më shumë, por mos rrini asnjëherë pa qeshur. Është ilaçi më i mirë për jetën!