Dollari pëson rënie, koha më e mirë për blerje online

622
Sigal

Dollari ka shënuar sot nivelin më të ulët të këmbimit ndaj monedhës vendase, që nga nëntori i vitit 2014. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar u këmbye sot me 112.2 lekë, duke rënë me 0.47 lekë në raport me një ditë më parë. Në fillim të vitit dollari këmbehej në tregun vendas me 129.7 lekë, rreth 17.5 lekë më shumë.
Rënia e dollarit lidhet kryesisht me zhvlerësimin e tij në tregjet ndërkombëtare, por edhe me faktin që euro në tregun vendas vijon të mbetet e dobët, pavarësisht se ajo po vlerësohet në bursat ndërkombëtare, duke tërhequr poshtë edhe dollarin.
Gjatë ditës së sotme, një euro u këmbye në bursat ndërkombëtare me gati 1.18 dollarë, nga gati 1.06 dollarë, që ishte në fillim të këtij viti.
Por, ndonëse Euro në tregjet ndërkombëtare ka arritur nivelet më të larta që nga tetori 2014-s, në tregun shqiptar është afër niveleve më të ulëta në gati 9 vjet. Sot, një euro blihej me 132.51 lekë, me një rritje prej 0.06 lekë në raport me një ditë më parë. Euro në tregun vendas është në nivele më të ulëta edhe se dhjetori 2016, kur monedha e përbashkët në bursa zbriti në 1.045 USD (në dhjetor euro këmbehej me rreth 135 lekë).
Pikërisht kjo dobësi e euros në tregun vendas ka bërë që edhe dollari të zhvlerësohet, në mënyrë që të ruhen raportet e kryqëzuara në bursa (p.sh. aktualisht 132.52/112.23=1.18, ndërsa në 20 dhjetor 134.98/ 129.21=1.045).
Zhvlerësimi i monedhës së gjelbër favorizon të gjithë ata që blerjet e tyre i bëjnë kryesisht online. Faqet kryesore të tregtimit online përdorin dollarin si monedhë kryesore të këmbimit. Për 100 dollarë blerje online, sot do t’ju kushtojnë 1,750 lekë më pak se në fillim të këtij viti.
Blerjet online në dollarë kanë qenë veçanërisht të preferuara nga shqiptarët në periudhën 2008-2009, kur dollari zbriti në rreth 80-90 lekë, por më pas ai u forcua, për të arritur në rreth 130 lekë në 2015-2016, duke mos qenë më aq i leverdisshëm.
Victoria’s Secret dhe të tjera ku mund të blihet me dollarë, si Alibaba Express dhe Ebay, janë në më të preferuarat e rinjve shqiptarë për blerjet online. Vajzat bëhen në grupe dhe pasi “gjuajnë” kur janë uljet më të mëdha, porositin online veshjet apo aksesorë të tjerë, duke i paguar me kartë krediti, që më pas u vijnë tek dera me postë.
Edhe në euro blerjet janë gjithashtu më të lira, teksa në nivelin e 133 lekëve, euro është më e lirë se disa vite më parë, kur këmbehej me 140 lekë. Por kursimi më i lartë mbetet me dollarin, teksa për 100 euro blerje, kursimi sot është vetëm 700 lekë.
Rënia e dollarit dhe euros kanë amortizuar disi rritjen e kostos së blerjeve online nga taksimi, teksa nga gushti 2016, të gjitha blerjet mbi 22 euro paguajnë taksë doganore dhe TVSH. (20% TVSH 2.4% taksë doganore).
Ky veprim, sipas financave, u bë për të shmangur konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import.