Diaspora në SHBA së shpejti me platformë konkrete me mbështetjen e një grupi të Harvardit

462
Ambasadorja e Shqipërisë në Uashington, Floreta Faber, priti në takim përfaqësuesit e shoqatave të diasporës shqiptare që operojnë nën ombrellën e Grupit të diasporës shqiptare të Uashington DC. Gjatë takimit, bashkëbiseduesit ndanë ide mbi mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në SHBA dhe shqiptarëve që jetojnë këtu nëpërmjet ndërveprimit në fusha si arsimi, kultura, etj.
Përfaqësuesit e diasporës u shprehën besimplotë se takimet që po zhvillon në Shqipëri grupi studimor i Harvardit, i cili ka marrë përsipër hartimin e një platforme për diasporën, do të ndihmojnë në konsolidimin e punës së diasporës në SHBA, e veçanërisht në Uashington DC.
Pas hartimit të platformës me ndihmën e projektit të Harvardit dhe IOM-it përfaqësuesit e diasporës u shprehën të gatshëm të kontribuojnë me ide dhe propozime konkrete për kanalizimin e punës së diasporës dhe Ambasadës, me qëllim rritjen e pranisë së shtetit shqiptar në jetët e pjesëtarëve të komunietit shqiptar në SHBA. Nga ana e saj, Ambasadorja Faber i siguroi përfaqësuesit e diasporës shqiptare mbi vullnetin dhe dëshirën e Ambasadës për të qenë pranë komunitetit me projekte dhe veprimtari të ndryshme ku përfaqësuesit e komunitet shqiptar marrin pjesë aktivisht.
Sigal