Demir Leka: Strukturat përgjegjëse të ndërhyjnë urgjentisht

650
Sigal

Lumi Shkumbin, gjuetia e peshkut me lëndë plasëse dhe klor

Shoqata e Gjuetarëve dhe peshkatarëve jep alarmin për gjuetinë e paligjshme të peshkut në Lumin Shkumbin dhe në mjaft lumenj të tjerë të Librazhdit. Gjuetia e paligjshme vazhdon të mbetet dhe bëhet problem çdo ditë e më shumë. Madje, sipas banorëve, është problem dhe mjaft shqetësuese për gjallesat, për shkak të rrezikut dhe pasojave të gjuetisë së peshkut me lëndë plasëse dhe lëndë helmuese si klor. Sipas banorëve dhe drejtuesve të shoqatës së gjuetarëve ky është problem me pasoja të mëdha në dëm florës dhe faunës së lumenjve, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të policisë së rendit dhe asaj kufitare në zonat përgjatë kufirit ku ka lumenj, si dhe ndërhyrjen e të gjithë institucioneve përkatëse për këtë problem madhor. Ndërkohë, sipas shoqatës së gjuetarëve,  institucionet përgjegjëse, si Drejtoritë e Shërbimit Pyjor në rrethe dhe ato të mjedisit, të cilat paguhen për të ndaluar këtë masakër, as që e vrasin mendjen, por mjaftojnë që të marrin rrogën dhe ta fusin në xhepin e tyre. Jo vetëm kaq, por sipas peshkatarëve, gjuetia me lëndë plasëse, jo vetëm që sjell dëm të madh ekologjik e mjedisor, duke e shkatërruar, por po rrezikon direkt dhe jetën e tyre gjatë aktivitetit legal të peshkimit. Sipas Kryetarit të Shoqatës së Gjuetarëve dhe Peshkatarëve, Demir Leka, tha për gazetën “Telegraf”, se  është problem dhe kërkohet ndërhyrja  e menjëhershme dhe urgjente nga strukturat përgjegjëse. Lumi Shkumbin  është lumi që në çdo ditë dëgjon shpërthime dinamit e hedhje klori pa fund, që nga  Proptishti në Pogradec, dhe deri tek lumenjtë e Gostimës, Rrapunit, Starvanit, Moglicës e deri në Qarrishtë e Rrajcë, ku këto shpërthime shtohen dita ditës. Edhe në pyje ka rënë zjarri e nuk kontrollohet, vazhdon më tej Leka. Kjo masakër që po i bëhet ekologjisë së zonës sonë, duhet ndaluar një çast e më parë,- thotë ai, pasi kjo masakër mund të konsiderohet njëlloj si një krim i rëndë. Jo vetëm shoqatat, por dhe banorët e ndryshëm ankohen se gjuetia me dinamit vazhdon të bëjë kërdinë dhe se institucionet përkatëse vazhdojnë të bëjnë sehir mbi gjallesat e lumenjve, duke zhdukur peshkun.