Prindërit ngrihen në protestë për shkollën e Fratarit të Mallakastrës: Nuk mund të bëhet mësimi me turne

41
Sigal

Viti i ri shkollor 2023- 2024 e ka gjetur me problematika shkollën “ Hajredin Fratari” në Fratar të Mallakastrës, për shkak të mungesës së investimeve për rikonstruksionin e çatisë e cila u përfshi nga flakët në 15 Maj të këtij viti për shkaqe aksidentale.

Fatmirësisht shkolla ishte pa nxënës në momentin e rënies së zjarrit ndërkohë që fillimi i vitit të ri shkollor e gjen këtë shkollë të pasistemuar.
Për shkak të strukturës së dëmtuar së çatisë, kati i dytë i godinës është jashtë funksionit duke sjellë mbipopullim nxënësish në katin e parë duke bërë që mësimi të zhvillohet me turne.

Kjo situatë ka alarmuar prindërit të cilët kanë protestuar sot duke kërkuar sqarime nga stafi drejtues. Ata pohojnë të indinjuar se mësimi me turne është i papranueshëm pasi kjo shkollë frekuentohet nga nxënës të 15 fshatrave përreth në distancë të largët dhe me mungesë transporti.

Ndërkohë sipas zv. kryetarit të bashkisë Mallakastër Zamir Malasi, ndërmarrja e shërbimeve është duke punuar për të bërë ndërhyrjen emergjente për të krijuar kushte normale të zhvillimit të procesit mësimor teksa ka theksuar se procedura e prokurimit për ndërtimin e çatisë së re është në fazë përfundimtare. Malasi ka pohuar gjithashtu se bashkia ka hartuar një projekt për ndërtimin e një shkolle të re 9- vjecare në Fratar.