Rindërtimi dhe shpopullimi/ Bashkia u shembi shkollën, 107 nxënës mësojnë në lokal bastesh, prindërit: Kushte skandaloze,po sëmuren fëmijët

18
Sigal

Prindërit: Bashkia Dimal e shembi nga tërmeti, por nuk e rindërtoi, na mashtruan para zgjedhjeve

Ndërkohë që nxënësit, që mësojnë në këtë lokal bastesh sportive, kanë treguar se nuk ka kushte dhe se ka fëmijë që janë sëmurur për shkak të ndotjes.

 Shqipëria po kalon krizën më të rëndë arsimore në historinë e saj si shtet. Rënia e numrit të nxënësve është alarmantë, shkak për situatën katastrofike është emigrimi i familjeve, lindshmëria e ulët dhe pasiguria. Viti i ri fillon me 29 mijë nxënës në klasën e I-rë, në 2013 ishin 52 mijë, dhe në 1991 rreth 69 mijë. Madje situata është aq dëshpëruese sa edhe në ato fshatra ku ka nxënës, për shkak të burokracive dhe tekave të zyrtarëve kanë mbetur pa godinë shkolle. BE ka dhënë miliona për ndërtim shkollash, por kur përballemi me situata të tilla si kjo që do lexoni më poshtë, edhe parashtrohet si opsion zhdukja e fondeve që degëdis nxënësit të mësojnë në lokale bastesh, pasi siç tashmë është bërë publike OLAF zbuloi skandalin për zhdukjen e milionave të bujqësisë dhënë si ndihmë për fermerët nga BE.

107 nxënës të fshatrave Goriçan në Bashkinë Dimal, për të katërtin vit radhazi do të ndjekin mësimin në një lokal bastesh. Historia e pazakontë rrëfehet me irritim nga prindër dhe nxënës të këtyre fshatrave, të cilët akuzojnë kryebashkiaken Juliana Mema se pasi shembi godinën e vjetër të shkollës, i gënjeu për rindërtimin e saj. Prindërit janë ankuar pasi fëmijët bëjnë mësimet me orë të shkurtuara dhe nuk marrin njohuritë e duhura. Prindërit kanë deklaruar se kryetarja e Bashkisë Mema si dhe Blendi Çuçi para zgjedhjeve i kanë mashtruar, duke i premtuar se do ta ndërtojnë shkollën para fillimit të vitit të ri shkollor.

“Ajo riparim do, kollona do, se ata hoqën çatinë se çuan tjegullat dhe e lanë kështu. Erdhën ata, Çuç dhe kryetarja e thanë që do ta shëmbim këto tre ditë, iku ajo, gënjyen ata, mashtruan,” tha një banor i zonës.”Kam 4 fëmijë në shkollë, 1 e kam në Samaticë, 3 i kam këtu. Shkolla të bëhet këtu, erdhi ajo na i zbuloi, mori qeramidet, se na i çoi e na i bëri nuk dimë. E la kështu ajo tani”, -tha një banore e zonës. Ndërkohë që nxënësit që mësojnë në këtë lokal bastesh sportive (bar-kafe-bilardo), kanë treguar se nuk ka kushte dhe se ka fëmijë që janë sëmurur për shkak të ndotjes.”Rri te klasa që është te banjoja dhe aty vjen era, mund të sëmuremi. Nuk ka kushte. Motra ime është sëmurur njëhere aty. Duam që të rregullohet shkolla e të shkonim rregullisht në shkollë,”-thanë disa nga nxënësit. Lokali ku çojnë fëmijët e ciklit të ulët është për turp edhe me çadra do jetë më mirë se sa lokali,- u shpreh më herët një banor.