Dan Hutra në gjykatë: Edhe pesë dënime përjetë të marr nuk pendohem

131
Sigal

Dan Hutra, autori i vrasjes së tre grave mohon që të ketë ngritur dorë mbi Elena Hysën në kohën kur çifti jetonte bashkë, kohë përpara krimit makabër.

Në dëshminë e tij në gjykatë, Hutra ka thënë se nuk ka asnjë pendesë dhe se vrasjet i kishte planifikuar kohë më parë. Hutra ka thënë se shkaku i vrasjes lidhet me një mëri të tijën me arrestimin për kallëzimin e bërë nga familja Hysa, që e akuzonin se kishte dhunuar Elenën.

“Asnjë pendesë. Edhe 5 dënime përjetë të marr nuk pendohem. I kisha planifikuar vrasjet me kohë. Jam dënuar pa faj për dhunën në familje. Nuk e kisha prekur me dorë.”-është shprehur Hutra.

Tre vrasjet e Dan Hutrës- Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi  në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi.

Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku si dhe plagosi Elenën dhe nënën e saj, Kujtimen.

Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje. 31-vjeçaren e vrau në shenjë hakmarrje ndaj vëllait të saj, Vladimir Kurtit, me të cilin kishte pasur konflikte gjatë kohës që kishte qenë në burg.

Arratia e Dan Hutrës mori fund gjatë orëve të pasdites. Pa shkuar ende ora 19:00, ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës. Atje kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Selën, tentativë që fatmirësisht dështoi.

40-vjeçari, një person me precedentë të theksuar kriminalë, i dënuar më parë për përdhunim, vrasje e dhunë në familje, nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për krimet e kryera.