Damian Gjiknuri: PS është garancia për zhvillimin e Elbasanit

107
Sigal

“Kush do zhvillimin dhe progresin e Elbasanit, voto Gledian Llatja dhe PS”,- kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri në një takim me banorët e Rajonit Nr.2 në Elbasan. Numri dy i socialistëve nënvizoi se Gledian Llatja ka gjithë mbështetjen e qeverisë për të çuar përpara investimet.

“Gledi është kandidat i mbështetur nga qeveria e Edi Ramës dhe nga vetë personalisht Edi Rama. Në 14 Maj duhet ta ‘çimentojmë’ këtë marrëdhënie që Partia Socialiste duhet të drejtojë bashkinë e Elbasanit dhe mbrapa do të kemi mbështetjen e Edi Ramës. Kjo është garancia e zhvillimit, çdo gjë tjetër janë llafe. Pse? Sepse me mundësitë dhe ekonominë e Bashkisë së Elbasanit ai do të dijë t’i drejtojë aty ku është dhe më e nevojshme, ndriçim publik, fusha sporti për fëmijët, riparime nëpër fshatra, nëpër zonat më periferike. Kurse qeveria do të marrë përsipër ujësjellës – kanalizime, rrugët kryesore, do të marrë përsipër rehabilitimin e lagjes së Kalasë, do të marrë përsipër shëtitoren e Elbasanit. Janë të gjitha këto që kanë një garanci dhe kanë garancinë e Partisë Socialiste dhe të qeverisë së Edi Ramës”, -tha Gjiknuri.

Drejtuesi politik i qarkut u shpreh se vota më 14 Maj është dhe një mbështetje për politikat e qeverisë për rritjen e pagave dhe të pensioneve.

“Kush do zhvillimin e qytetit: një Elbasan më të mirë, me progres më të mirë ekonomik ka vetëm një destinacion, faqja e parë Gledian Llatja, faqja e dytë Partia Socialiste, Edi Rama. Kush do politikën e rritjes së rrogave që të vazhdojë, tek ekrani, se e keni votim elektronik, gishtin tek fotografia e Gledian Llatjas, pastaj në faqen e dytë tek Partia Socialiste. Kush do rritjen e pensioneve, në 14 Maj Gledian Llatja dhe Partia Socialiste. Kush do që qeverinë e Edi Ramës ta keni gjithmonë me vete për ndryshimin e Elbasanit, votën Gledian Llatja dhe Partia Socialiste”,- tha ai.

Duke u ndalur tek alternativa përballë, Gjiknuri deklaroi se opozita kërkon marrjen e bashkive për t’i bunkerizuar.

“Në Tiranë ne kemi atë ‘martesën’ e re Berisha – Meta. Në fakt nuk është dyshe e re është dyshe e ricikluar njësoj si ky kandidati që ka qenë njëherë kandidat dhe prapë do të mbetet kandidat. Në vetëvete ai është zv.kryetar i Saliut, atë titull ka ai. Të parit i ka vënë vizën bota, i kanë vënë vizën shqiptarët dhe ne do t’i japim vlerë në Elbasan se ai thotë unë jam kandidati juaj dhe nuk jam i asaj partie? Sikur larg qoftë, sikur Bashkia e Elbasanit të përfundonte në duar të gabuara çfarë do të ndodhte?! Bunkerizim, shkëputje marrëdhëniesh me qeverinë”,- u shpreh Gjiknuri.