Kohët e fundit në rrjetet sociale gjenden gjithnjë e më shpesh këshilla të pazakonta për të humbur peshë. Së fundmi është shfaqur trendi i shtimit të lëngut të limonit në kafe.
Lëngu i limonit në kafe supozohet se ndihmon në largimin e depozitave të yndyrës, por edhe në uljen e rrezikut të diabetit. Edhe pse kombinimi i këtyre dy përbërësve nuk është shumë i shijshëm, ai është bërë jashtëzakonisht i popullarizuar për shkak të përgatitjes së thjeshtë.
“Kafja dhe limoni janë burime të pasura me antioksidantë. Megjithatë, nuk ka asnjë provë domethënëse që sugjeron se shtimi i limonit në kafe mund të ofrojë përfitime shtesë shëndetësore përtej rritjes së marrjes së antioksidantëve”, u shpreh dietologia Crystal Scott.
Ideja se këta dy përbërës në kombinim kanë përfitime të ndryshme vjen nga fakti se pirja e kafesë së zezë dhe limonadës pa sheqer të shtuar në fakt stimulojnë zorrët.
Përveç kësaj, kafeja përmban kafeinë që stimulon sistemin nervor dhe na jep energji, kurse limoni është i pasur me vitamina, prandaj shpesh përdoret si ilaç natyral, veçanërisht për ftohjet dhe gripin.