BE: Reforma në drejtësi, 45% e qytetarëve, mendim negativ

553
Sigal

Sondazhi i BE-së, 45 për qind e qytetarëve me mendim negativ ose pa ide për ecurinë e reformës në drejtësi

 

Nga Vincent W.J van Gerven Oei

 

Ditët e fundit, është folur shumë për sondazhin e kryer nga IPSOS, në mars 2019, me kërkesë të Delegacionit Evropian në Tiranë. Luigi Soreca, ambasador i BE-së në Tiranë, vazhdimisht ka nxjerrë të dhëna të ndryshme nga ky raport. Exit.al analizoi sondazhin dhe shifrat e deklaruara nga Soreca.

93%

Numri i parë është 93 për qind. Sikurse e kam thënë edhe në artikullin e mëparshëm, Soreca deklaroi se kjo është përqindja e shqiptarëve të cilët “mendojnë se anëtarësimi i vendit në BE është objektiva më e rëndësishme e tyre”, ose ndryshe, kjo është përqindja e shqiptarëve që “duan anëtarësimin në BE.” Këto janë dy gjëra të ndryshme ndërmjet të cilave nuk duhet vënë shenja e barazimit.

Nëse ne e gjejmë raportin nga i cili janë marrë këto numra, atëherë pyetja do të ishte: “A e mbështesni ju personalisht apo nuk e mbështesni ju anëtarësimin e vendit në BE”? Numri 93 për qind duket se puqet me rezultatet e Eurobarometrit të zhvilluar vitin e kaluar, në të cilin 93 për qind e shqiptarëve bien dakord se “në mënyrë të përgjithshme, anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një gjë e mirë.”

Por, Soreca nuk e përmend arsyen kryesore, të përmendur më shpesh nga shqiptarët, se përse ata e mbështesin anëtarësimin në BE:

48 për qind e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin ne BE për shkak të “punësimit”.

Vetëm 8 për qind mendojnë se BE do të ketë “një ndikim pozitiv — një të ardhme të ndritur për Shqipërinë.” Vetëm 9 për qind mbështesin anëtarësimin në BE sepse kjo do ulë korrupsionin.

Këto janë shifra dëshpëruese dhe tregojnë jo vetëm dështimin e Bashkimit Evropian për të komunikuar vlerat e tij tek shoqëria shqiptare, por gjithashtu konfirmon se arsyeja kryesore për t’u bashkuar me BE-në është thjesht të kesh një punë: bashkimi me BE-në do të lehtësonte procedurat për emigrim masiv, i cili tashmë është duke bërë kërdinë në Shqipëri si rezultat i politikave të dështuara të qeverisë Rama. Por sigurisht, asnjë nga këto nuk do të pranohej as nga BE, as nga qeveria shqiptare.

79%

Numri i dytë i paraqitur në mënyrë entuziaste nga Soreca është 79 për qind (tashmë i bërë 80 për qind nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini). Kjo do të ishte përqindja e shqiptarëve, të cilët besojnë se “reforma është gjëja e duhur për t’u bërë” ose “që mbështesin reformën në drejtësi”. Sërish këto janë dy gjëra të ndryshme.

Por fjalët e përdorura nga IPSOS janë më neutral: 93 për qind “e mbështesin fuqimisht ose disi reformën në vazhdim në sistemin e drejtësisë”. Dhe sërish, Soreca lë jashtë informacione të rëndësishme: 45 për qind e të intervistuarve mendojnë se reforma nuk funksionon mirë ose janë të painformuar rreth saj. Për Delegacionin e BE-së që ka investuar çdo gjë në këtë reformë, e cila është zbatuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe shumë nga ligjet që vetë EURALIUS-i ka këshilluar, e për më tepër është vonuar përtej çdo parashikimi të “ekspertëve”, kjo është një shifër krejtësisht shkatërruese.

Për më tepër, duhet të theksohet se sondazhi i IPSOS i ka pyetur të 1140-të të anketuarit për mendimin e tyre mbi reformën në drejtësi, pa marrë parasysh faktin nëse ata e kanë ndjekur apo jo procesin. Prandaj, shumë nga të anketuarit mund të konsiderohen minimalisht të painformuar.

Nëse krahasojmë gjetjet e sondazhit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, bërë në shkurt 2019, vetëm një muaj para sondazhit të IPSOS-it, kërkuar nga Delegacioni i BE-së, kemi një pasqyrë më të mirë dhe mund t’i kuptojmë më mirë këto të dhëna. Në pyetësorin e KShH-së pyetja lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi ishte e kushtëzuar:

Pyetja – Nëse e keni ndjekur procesin, a keni besim se ky proces është i drejtë, nisur nga rezultatet që ka pasur deri tani?

Rezultati – 36.7 për qind janë përgjigjur po; 63.3 për qind janë përgjigjur jo.

Për më tepër, ndryshe nga pyetja e përgjithshme e IPSOS-it se “Si mendoni se po ecën reforma deri më tani?”, sondazhi i KShH-së ishte më specifik, duke i bërë jehonë qëllimeve të vendosura nga vetë BE-ja për reformën në drejtësi:

Pyetja – A mendoni se Vetingu do të pastrojë vërtet sistemin e drejtësisë dhe do të bëjë këtë sistem më të mirë dhe të besueshëm për qytetarët?

Rezultati – 37.5 për qind janë përgjigjur po; 62.5 për qind janë përgjigjur jo.

Me fjalë të tjera, sapo gërmohet pak më thellë në mendimet e atyre qytetarëve që janë vërtetë të informuar për reformën në drejtësi, situata është edhe më negative sesa përfundimi i IPSOS-it, sipas së cilit 55 për qind e qytetarëve shprehen se “reforma po ecën shumë mirë”.

Nuk është e vështirë ta mbështesësh reformën në drejtësi si një ide abstrakte. Por nëse bën pyetjet që dëshiron të bësh, atëherë do të marrësh përgjigjet që dëshiron. Dhe nëse merr përgjigjet që do të marrësh, del në televizor dhe deklaron se 80 për qind e shqiptarëve e mbështesin reformën në drejtësi dhe se për këtë arsye ajo është e mirë dhe e paqortueshme.

Është për të ardhur keq që Delegacioni i BE-së në Tiranë dhe Shefi i saj janë shndërruar në këtë lloj makine tifozerie për një reformë që është keqmenaxhuar dhe ka çuar në kolaps gjithë sistemin e drejtësisë në vend. Kjo gjë do të ndikojë negativisht në shoqërinë shqiptare të paktën deri për dekadën e ardhshme, nëse mos më gjatë. Është për të ardhur keq që diplomatë të arsimuar mirë dhe të veshur mirë, hedhin në mënyrë të papërgjegjshme të dhëna sikur të jenë agjenci e qeverisë, në vend që të reflektojnë mbi këtë eksperiment të pavlerë dhe të mësojnë për të ardhmen.

Sepse kur dëgjoj Përfaqësuesen e BE-së Mogherini të deklarojë publikisht se Shqipëria “ka arritur të ketë një reformë në sistemin e drejtësisë që do të ishte shembull dhe për disa shtete anëtare të BE-së”, dridhma tmerri më përshkojnë nëpër trup.