Familja e Major Tanushit hap dyert e mortit

591
Sigal

Familja e majorit Klodian Tanushit ka hapur dyert e mortit. Mbrëmjen e së premtes, pas katër ditësh në gjendje të rëndë, majori Tanushi u nda nga jeta në Letoni, si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i një mine. Për familjen e majorit, të afërmit tregojnë se ushtria, ka qenë një traditë. ”Ka qenë edhe i ati ushtarak, oficer ka qenë. Ky ka mbaruar shkollën tek Akademia Skënderbe, ka qenë drejtues në repartin e Gërdecit”, tregon Mehmet Çuka, daja i Majorit Klodian Tanushi.

Lajmin për ndarjen nga jeta të të dashurit të tyre, familjarët e mësuan nga mediat dhe janë në pritje të ardhjes së trupit. Për ndarjen nga jeta të majorit, ka reaguar edhe prezenca e NATO-s në Letoni, ku major ishte në detyrë.

“Është dhimbje e madhe që sot ka ndërruar jetë Major Klodjan Tanushi. Ne i shprehim ngushëllimet tona më të thella bashkëshortes, fëmijëve dhe të afërmve të tij. Pasi luftoi për jetën e tij, Major Klodjan Tanushi vdiq nga lëndimet e pësuara gjatë një detyre të EOD, në vijën e detyrës më 6 maj 2019, që mori gjithashtu jetën e nëntetares Zarife Hasanaj. Kemi humbur një nga tanët, një vëlla nën armë. Në këto kohë dhimbjeje, mendimet tona shkojnë tek të dashurit, miqtë dhe kolegët e tij. Jeta e tij do të kujtohet”, thuhet në reagimin e NATO-s.

Dëshmorja e atdheut Zarife Hasanaj dhe majori Klodian Tanushi, jetonin të dy në zonën e Freskut në kryeqytet. Në bazën e NATO-s në Letoni, flamuri shqiptarë është ulur në gjysmë shtizë, ndërkohë në Shqipëri, lamtumira e fundit dëshmorit të atdheut do ti jepet me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake.