Atentati në Durrës, 3 pistat e hetimit

197
Sigal

Policia fillimisht tha se ishte qëlluar në këmbë, por në fakt 32-vjeçari Jetmir Bregu i njohur edhe me emrin Ilir Kuçi ishte ekzekutuar në vendngjarje.

Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë nga autorët, ndërsa policia ka ngritur disa pista për të hetuar vrasjen e tij.

I riu ishte me precedent penal jashtë Shqipërisë. Një gjë të tillë e vërteton edhe fakti që 32-vjeçari kishte ndryshuar emrin nga Jetmir Bregu në Ilir Kuçi. Të dhënat e para janë se e shkuara e tij kriminale lidhet me probleme jashtë vendit.

Pista e parë ku po hetohet bën fjalë për konflikte jashtë shtetit, kjo e përforcuar edhe nga fakti viktima kishte ndryshuar edhe emrin.

Pista e dytë është prishja e ndonjë pazari dhe pista e tretë është sherr i ditëve të fundit që ka agravuar deri në këtë pikë.

Shpresa e policisë është te kamerat dhe dëshmitarët që ndodheshin në lokalin, pranë së cilit ndodhi ekzekutimi.

Në momentin që dëgjuan breshërinë e të shtënave të kallashnikovit, qytetarët që ndodheshin në lokal dolën me shpejtësi jashtë. Gjashtë prej qytetarëve janë shoqëruar për t’u pyetur nëse i kanë parë autorët e vrasjes dhe detaje të tjera që mund të jenë të vlefshme për hetimin.

Në vendin e ngjarjes përpos grupit hetimor nga Tirana ka shkuar edhe drejtori i departamentit të policisë kriminale, Tonin Vocaj.