Arrestohet shqiptari në Itali, u kap me 1.6 kg heroinë të llojit ‘Cobret’

541
Sigal

Një shtetas shqiptar, 23 vjeç është arrestuar nga policia e Milanos, pasi dyshohej se ai fshihte diçka pas lëvizjeve që kryente.

Karabinierët italianë u vunë në lëvizje, menjëherë pasi shqiptari doli nga pallati i tij në rrugën Monza.

23-vjeçari në sytë e karabinierëve filloi të lëvizte me shpejtësi pa ndonjë shkak të arsyeshëm.

Ai mbante në dorë dy celularë të cilët i shikonte shpesh, ndërkohë që herëpashere kthente kokën pas për të parë në rrugë.

Të bindur se kishin të bënin me një person të dyshimtë që kishte diçka për të fshehur, karabinierët vendosën ta kontrollonin.

Dhe kishin të drejtë.

Gjatë kontrollit, shqiptarit 23 vjeçar, iu gjetën 1 kilogram e 600 gramë heroinë të llojit ‘Cobret’ që njihet ndryshe si droga e të varfërve, që merret nga mbetjet e heroinës së pastër.

Në banesë shqiptarit iu gjetën edhe dy peshore precise, katër blendera që përdoreshin për ‘të punuar’ drogën dhe 6 qese me ngjyrë të kuqërremtë në formën e ‘miellit’ që rezultoi të ishte me përbërje kafeine, fenicitine dhe substanza të tjera farmaceutike që shërbenin për të prerë drogën.