Në përkujtim të 80-vjetorit të Forcave të Kufirit
– Eh, sa breza kufitarësh në vite kanë sakrifikuar deri edhe jetën për ruajtjen e mbrojtjen e trojeve shqiptare!
Në përkujtim të 80-vjetorit të krijimit të Forcave të Kufirit, në disa qytete ku banojnë ish-kufitarë e pasardhës të tyre, u zhvilluan ceremoni modeste, duke përkujtuar 25 Prillin, ditën e krijimit të këtij shërbimi për ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit shtetëror të RPSH.
Me këtë rast edhe në Sarandë, si rreth kufitar, u përkujtua kjo datë me ish-kufitarë e pasardhës të tyre. Në këtë takim u fol dhe u përkujtuan 3 dëshmorë të kufirit, të rënë në kufi në vitet ‘50 të shekullit të kaluar. Për nder të tyre, në Livadhja, në lapidarin kushtuar këtyre 3 dëshmorëve, u vendosën kurora me lule.
Po kështu, u kujtua me respekt dhe nostalgji, puna dhe jeta plot sakrifica e shumë kufitarëve, që për arsye moshe, janë ndarë nga jeta.
Kufitari P.Xhaferi vlerësoi rrugën historike të kufitarëve, jetën dhe sakrificat e tyre, dashurinë dhe solidaritetin mes tyre. Gjithashtu u përkujtua ish-shoku ynë, kufitari V.Peci, i cili është ndarë nga jeta para kohe, dhe boshllëkun e tij, e plotësoi i biri, që dha mesazhin e transmetimit në breza të virtyteve dhe të atdhedashurisë pa kufi që i karakterizonte kufitarët, në shërbim të popullit dhe Atdheut.
Ish-kufitari A.Canaj evidentoi dhe vlerësoi përgjegjësinë, përkushtimin, sakrificat e ish-kufitarëve, e familjeve të tyre, si dhe lidhjet e tyre me banorët e zonave kufitare. Kombi, flamuri, piramidat, këto shenja e simbole të Kufirit, për të gjithë kufitarët kanë qenë dhe janë të shenjta! Këto shenja dikur mbikqyreshin përditë, ruheshin e mbroheshin si objekte simbol krenarie!
Ai theksoi se para 12 viteve, shkova në rajonin e piramidës (që shihni në foto) .
Ndjeva trishtim. Piramida rënkonte nga plagët e marra në vitin e mbrapshtë 1997.
Më dhembën plagët e saj, sikur t’i kisha në trupin tim. U ligshtova kur pashë Gurin e Integrimit (piramidën) të braktisur. Eh, sa breza kufitarësh në vite kanë sakrifikuar deri edhe jetën për ruajtjen e mbrojtjen e trojeve shqiptare!
Ky vit përkon me 80-vjetorin e krijimit të forcave të kufirit shtetëror: 25 prill 1945-25 prill 2025. Shumë ish-kufitarë dhe banorë të zonave kufitare e kremtonin këtë ditë si festë popullore, e po ashtu e përkujtuan dhe e nderuan edhe sot, sipas mundësive që kishin.
RETROSPEKTIVË
Kufijtë e parë të Shqipërisë, në vitin 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër.
Kufijtë e Shqipërisë janë përcaktuar në vitin 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Më 22 mars 1913, kjo Konferencë caktoi kufijtë e veriut të Shqipërisë, ndërsa në 11 gusht 1913 kjo Konferencë caktoi kufijtë e jugut të Shqipërisë. KURSE Komisionet për demarkimin e kufijve filluan punë më 17 dhjetor 1913. Në kufirin jugor të Shqipërisë me Greqinë, punimet përfunduan në korrik 1925 dhe në datën 27 të këtij muaji u nënshkrua Protokolli i Firences (Itali) mbi këtë çështje, ndërsa për kufirin verior, Protokolli u nënshkrua me 26 korrik 1926 në Firence të Italisë. Më 30 korrik 1926, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, me aktin e saj final të nënshkruar nga Britania e Madhe, Franca, Italia e Japonia, në njërën anë dhe prej përfaqësuesve të Shqipërisë, Greqisë e Jugosllavisë, nga ana tjetër, caktoi përfundimisht vijën ndarëse të kufijve ndërmjet këtyre vendeve.
Si është ruajtur gjatë viteve kufiri territorial i Shqipërisë? Forcat, mjetet e posaçme dhe ligjet e posaçme që e mundësuan atë.
Kanë kaluar rreth 28 vite, nga koha kur një nga festat kombëtare të popullit shqiptar ka ngelur në harresë. Fjala është për 25 prillin, e njohur zyrtarisht si “Dita e Forcave të Kufirit” që në vitin 1945. E caktuar pikërisht në vitin e parë të pasluftës, ku mbrojtja e kufijve të vendit, u imponua si një detyrim i fuqishëm jo vetëm për shtetin, por edhe për çdo qytetar shqiptar. Moment ky kur u organizua edhe Divizioni i Mbrojtjes së Kufirit, i cili ndër vite të tëra u angazhua për ruajtjen e kufirit dhe integritetit tokësor dhe ujor të territorit të vendit tonë. Që atëherë, ndër dekada, forcat e kufirit shqiptar janë përballur dhe kanë mundur të zmbrapsin mijëra provokacione. Teksa kanë shënuar edhe një numër të madh të rënësh në përpjekje kundër tyre…
Bandat diversante që hynë në RPSSH
Grupi i Et’hem Çakos
Grupi i Zenel Canes
Grupi i Nikoll Mark Nikaj
Grupi i Dibrës
Grupi i Kukësit
Grupi i Krujës
Grupi i Vlorës
Grupi i Izet Vrazhdos
Grupi i Shefki Hysës
Grupi i Leshanakut.
Në kujtim të kësaj dite, dy vargje për dëshmorët kufitarë, rënë në kufirin e Sarandës në mesin e shekullit XX:
Për lule do t’ju sjell vargje,
Ju kufitarëve dëshmorë,
S’ju ndalën kurthe, as pragje
të paktë sa gishtat në dorë.
Nëpër shtigje sërish vigjëloni,
siç qëndron në heshtje shqiponja!
Vitet ikin, por ju-piramidë,
të patundur si dhe malet tona!
Nder dhe respekt për Shërbimin e Kufirit, për ish-kufitarët dhe gjithë popullsinë e zonave kufitare!