Ambasadori Amerikan Lu: Dekriminalizimi të vazhdojë, vlerësojmë veprimet e prokurorisë

474
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu i është përgjigjur pyetjeve të qyetatarëve shqiptarë në programin në “Facebook” “Pyet Ambasadorin”.
Lidhur me procesin e dekriminalizimit të Kuvendit, dhe sjelljen e partive politike, ambasadori Lu u shpreh se, “ajo që ne vlerësojmë nuk është retorika, por më tepër veprimet që janë marrë nga Prokurori i Përgjithshëm, parlamenti, liderët partiakë dhe të tjerët. Është e rëndësishme që të vazhdojë procesi i dekriminalizimit që është nisur me dhjetor 2014 me marrëveshje midis palëve. Ne vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha partitë politike në Shqipëri për të hequr individët e përfshirë në aktivitete kriminale ose të korruptuar. Duartrokasim veprimet e Prokurorit të Përgjithshëm për të sjellë akuzat kundër dy deputetëve”.
Sa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit, ambasadori Lu theksoi se, “është e rëndësishme që Shqipëria të themelojë një Zyrë Kombetare Hetimi. Së pari, duhet të ekzistojë një institucion për zbatimin e ligjit me kapacitet të zhvilluar hetimi. Së dyti, ka gjithashtu nevojë për një institucion që ka autoritetin për të hetuar zyrtarë deri në nivelet më të larta. Skuadra jonë nga FBI ishte këtu për të biseduar se si ne mund të ndihmojmë në ngritjen e një Zyre Kombëtare Hetimi në Shqipëri, në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme dhe institucionet e drejtësisë duhet të vazhdojnë të përmbushin përgjegjësitë e tyre për te zbatuar ligjin dhe siguruar një proces të rregullt.”
Ambasadori amerikan thotë se ka shpresa shumë të larta për Shqipërinë në dhjetë vitet e ardhshme. “Institucione të forta të pavarura në çdo nivel dhe qeveri funksionale, lumenj të pastër dhe liqene, brigje dhe vargje malore të mbushur me më tepër turistë, dhe institucione arsimore me cilësi të lartë që tërheqin studentët nga jashtë vendit. Unë besoj se ky vend mund të arrijë kaq shumë. Shpresa ime është që Shqipëria do të vazhdojë punën e vështirë që është ende e nevojshme për të përsosur të ardhmen e saj shumë të ndritshme”, tha Lu.
Lidhur me korrupsionin në vendin tonë, ambasadori Lu theksoi se, “Unë mendoj se njerëzit në Shqipëri, qeveria, bizneset dhe të tjerët duhet të pranojnë se ka një problem me korrupsionin në Shqipëri. Korrupsioni duhet të adresohet me forcë dhe në mënyrë sistematike. Kur ne mendojmë për korrupsionin, ne mendojmë për dy lloje të ndryshme, atë të njerëzve të zakonshëm që paguajnë për të marrë shërbime, të cilëve u kërkohet të paguajnë për shërbime. Një tjetër është korrupsioni i nivelit të lartë. Akuzat e tanishme kundër anëtarëve të parlamentit janë dëshmi se ka një përparim, duke iu kundërvënë idesë se askush nuk është i paprekshëm. Askush nuk është mbi ligjin. Ne i mbështesim fuqimisht këto përpjekje në politikë, në gjyqësor, në sektorët publik dhe privat, dhe kudo”. 
Sigal