Në Shqipëri ka një shqetësim të vazhdueshëm për largimin e fuqisë punëtore nga vendi. Rreth 1.2% e popullisisë është larguar çdo vit kohët e fundit dhe ekspertët shprehin shqetësim, pasi 80% e tyre janë të moshës më aktive për punë 15-44 vjeç. Ata thonë se qeveria duhet të nxisë politika në sektorë të rëndësishëm si bujqësia dhe turizmi që po vuajnë krizën e fuqisë punëtore. Autoritetet nënvizojnë se kanë hartuar disa nisma, si ajo për garancinë rinore dhe për nxitjen e punësimit me qëllim për të frenuar, kryesisht ikjen e të rinjve nga vendi.
Në Shqipëri ka një shqetësim në rritje për rënien e fuqisë punëtore, thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë ku më të prekurit sipas ekspertëve janë turizmi, bujqësia dhe shërbimet. Kërkesat për punë janë më të ulëta se ofertat në treg, gjë që konfirmohet edhe nga autoritetet.
Në zyrat e punës në 6 muajt e parë të këtij viti ishin të regjistrura 13 mijë kërkesa për punë nga 20 mijë vende të lira, ndërsa u ndërmjetësuan 12 mijë. Ekspertët mendojnë se edhe tre krizat e njëpasnjëshme tërmeti, pandemia e Covid-19 dhe agresioni rus në Ukrainë, kanë patur ndikimin e tyre.
“Ndoshta brezi i ri, që është gjëja më kryesore, po tenton të largohet për të kompensuar, pjesën e munguar ekonomike të këtyre dy viteve. Dy vite nuk janë pak të mos marrësh një rrogë çdo muaj. Ndoshta njerëzit tani po tentojnë rrugët më të shpejta, që japin të ardhura më të shpejta, më të mëdha, në një kohë më të shkurtër, për të kompensuar këto dy vite. Boshllëku ekonomik që patëm të gjithë, ky mund të jetë një faktor, që ne kemi largime jashtë shtetit sidomos të rinisë.”- tha për Zërin e Amerikës Kliton Gërxhani, Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve
Sipas të dhënave të INSTAT në 7 vitet e fundit janë larguar nga vendi mesatarisht rreth 37 mijë qytetarë çdo vit, ose 1.2 % e popullsisë dhe shqetësimi, sipas ekspertëve, mbetet fakti se rreth 80% e tyre janë të grupmoshës më aktive për punë, 15-44 vjeç.