Aksidenti ku u shua një familje/ Presidenti Meta ka një apel për Policinë dhe qytetarët: Të merren të gjitha masat efektive për të parandaluar të tilla tragjedi

214
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për aksidentin e rëndë që ndodhi këtë të premte në autostradën Fier-Vlorë, ku një familje me katër anëtarë u shua dhe tre të rinj u plagosën.

Kreu i shtetit teksa kërkon një hetim të plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit, apelon për strukturat përgjegjëse dhe policinë e Shtetit që të marrë masa për të parandaluar të tilla tragjedi sidomos në sezonin veror ku qarkullimi në rrugë është i ngarkuar.

Ndërsa për qytetarët ka një apel, që të respektojnë sinjalistikat dhe shpejtësinë e të mos bëhen burim i ngjarjeve të tilla të rënda.

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të udhëtojnë me shumë kujdes! Shpejtësia vret!”, shkruan Meta.

REAGIMI I PLOTE I PRESIDENTIT

Kam përcjellë me trishtim shumë të thellë lajmin e rëndë të humbjes së familjes Gushi në një aksident tragjik në aksin rrugor Fier-Vlorë.

I bashkohem dhembjes së të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera!

Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur sot të gjithëve.

Duke kërkuar një hetim të plotë, i apeloj Policisë Rrugore dhe çdo strukture tjetër përgjegjëse, të marrin të gjitha masat efektive për të parandaluar të tilla tragjedi, sidomos në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik.

Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të udhëtojnë me shumë kujdes! Shpejtësia vret!