Bashkia e Përrenjasit në krizë të thellë, administrata 4 muaj pa rroga

483
Sigal

SHQETËSIMI/ Në të njëjtat kushte janë edhe familjet në nevojë. Punonjësit: Nuk e dimë se kur do zgjidhet ky problem  

Bashkia e Përrenjasit duket se është në kushte të vështira ekonomike, sepse ka plot katër muaj që nuk ka shpërndarë rrogat e administratat. Këtë fakt e kanë bërë problematik për gazetën vetë punonjësit, të cilët e kanë të pamundur të mbyllin detyrimet familjare. Punonjësit janë të shqetësuar, sepse nuk e dinë edhe sa do të zgjas ky ngërç që ka prishur ekuilibrat. Por të sigurt ata thonë se gjatë fushatës është përdorur edhe fondi i pagave të tyre.

Gjendja

Sipas burimeve të sigurta dhe tepër konfidenciale për gazetën “Telegraf” bëhet e ditur se, e gjithë administrata ka hyrë në muajin e katër që nuk i ka marrë rrogat, por ajo çka e bën më të vështirë situatën është dhe mos ndarja e ndihmës ekonomike prej dy muajsh, ku ka nga ato familje që vetëm me ndihmën ekonomike mbajnë familjen dhe të ndodhura në këto kushte ata presin fundin e muajit. Sakaq punonjësit e bashkisë shprehen për “Telegraf” se, po hyjnë në muajin e katër pa i marrë rrogat. “Ajo çka është më shqetësuese për ne është fakti se nuk dimë se kur do t’i marrim ato dhe se sa do të vazhdojë kjo situatë, pasi po na humbet durimi dhe nuk dimë se çfarë do të bëjmë. Ne me atë rrogë mbajmë familjen dhe kështu siç e kemi nisur do të dalim të lypim rrugëve”, thanë ata. Gjithashtu, sipas burimeve konfirmohet se, edhe këshilltarët e Bashkisë së Përrenjasit nuk kanë marrë rrogat e muajit korrik dhe gushtë. Edhe këta të pyetur nga gazeta shprehen të irrituar nga situata që është krijuar në këtë bashki dhe kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme të kësaj gjendjeje pasi të gjithë këta punonjës me këtë rrogë mbajnë familjet. E njëjta situatë është krijuar dhe në Komunën Qendër të rrethit të Librazhdit, ku prej dy muajsh as rrogat, as ndihma ekonomike e invalidëve në nevojë nuk kanë marrë lekët e këtyre muajve, ku sipas punonjëseve të komunës qeveria shqiptare nuk ka çuar fondet e dy muajve të fundit. Këtë ‘neglizhencë’ punonjësit e kësaj komune e justifikojnë me faktin se komuna është e Majtë.