Policia i vihet pas dy të rinjve me motoçikletë, pasi hodhën çantën në tokë tentuan të arratisen. Çfarë ndodhi me njërin prej tyre

179
Sigal

Dy të rinj që lëviznin me armë zjarri me vete, kanë tentuar t’i shpëtojnë policisë duke mos ndaluar kur patrulla iu bëri shenjë, por duke shtuar shpejtësinë e motoçikletës me të cilën lëviznin.

Pasi hodhën në tokë çantën brenda të cilës ishte edhe arma e zjarrit, policia u vu në ndjekje të tyre, por njëri arriti t’ja mbathte.

Ne prangat e policisë përfundoi shtetasi me inicialet H. Gj., 30 vjeç, banues në Drenovicë, Dimal, ndërsa shoku i tij u shpall në kërkim.

“Në bazë të informacioneve të siguruara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat kanë goditur një rast të armëmbajtjes pa leje.

Si rezultat u bë arrestimi i shtetasit H. Gj., 30 vjeç, banues në Drenovicë, Dimal, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. T., 25 vjeç, banues në Dyshnik, Berat.

Këta shtetas kanë qenë duke qarkulluar me një motoçikletë dhe në momentin që shërbimet e Policisë i kanë dhënë shenjë për të ndaluar, ata nuk i janë bindur urdhrit të tyre dhe kanë hedhur çantën e dorës, brenda së cilës u gjet një armë zjarri pistoletë”, tha policia në informacionin zyrtar për mediat.

Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim, u gjetën një fishek pistolete, 1 shkop metalik dhe 1 thikë.

Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.