Ahmet DEMAJ*/ Letër dore për ministrin Gjiknuri!

431

Bëmat dhe gjëmat e ÇEZ, dhe shteti sehirxhi…  

Po të zërë halli që më zuri mua dhe të shkosh në zyrat e: “Kujdesi ndaj Klientit”, për CEZ-in e Vlorës, do të dëgjosh midis 60-70 klientëve ditorë për problemet mujore, raste nga më të ndryshmit. Neglizhencat e konsumatorëve, jemi dakord, dhe me të drejtë që duhet të ndëshkohen. Por, kur dëgjon dhe shikon me fatura në dorë klientë të cilët ndëshkohen nga hajdutë të CEZ, tashmë KESH, kjo është “për të vënë duart në kokë”, kur dhe sot pas një viti nga ardhja në pushtet e Qeverisë së “Rilindjes” e “1 milion shuplakave”, vazhdon i njëjti avaz!

Kur CEZ-it iu dha e drejta për të na vjedhur nga qeveria e mëparshme, kritikuam e protestuam deri dhe në Tiranë, Vota e protestës edhe ndaj këtyre vjedhjeve e të gjithë shqiptarëve, ishte dhe pjesë-produkti: Vota e 23 Qershorit 2013. CEZ, pasi vodhi edhe 95 milion Euro dhe iku jo me bisht në shalë, por me bishtin përpjetë, na la edhe bishtin… e litarit prapa…

Një konflikt mbarëqytetar me këtë ndërmarrje për skemën e vjedhjes që u bëri shqiptarëve dhe u la borxhet që si lajnë as dhe në varre! Borxhlinj edhe në jetën e përtejme!

  Kur të gënjen për herë të parë është faji i gënjeshtarit, kur gënjen për herë të dytë është faji i të gënjyerit. Që të mos ngarkohem më faj, po denoncoj publikisht. Çfarë? Dhe në këtë denoncim nuk jam i vetëm…

Denoncimi

“Kërkoj të rivendoset matës elektrik në objektin ekzistues. Nga ish Ndërmarrja shtetërore NTAN -Vlorë, i pajisur me matës dhe librezë dritash të ruajtur. I certifikuar, i hedhur në gent plan, me  hipotekën e origjinës Vlorë 17. 3. ‘92.  Kemi të bëjmë JO me Objekt të RI, por me objekt ekzistues, madje qysh në Sistemin Socialist. Kjo, e vërtetuar me dokumente autentike. Dhe nëse nuk është regjistruar, fshirë e nxirë nga Sistemi, nuk është arsye referimi, ligjore dhe njerëzore! Nuk jemi përballë lidhjes, por rilidhjes së matësit, jo vendosjes, por përballë RIVENDOSJES së matësit elektrik”, ngrinte zërin e protestës edhe një qytetar i njohur tek sportelistja hijerëndë..!

Dhe nëpër këto rreshta nuk denoncojmë vetëm për veten, por denoncojmë dhe denoncojnë gjithë shqiptarët, për gjithë shqiptarët, për të marrë fatin e ligjit në dorë!

Në muajin dhjetor 2013 mbifaturohemi, në emër të banesës me kod FIAO 170090040791 dhe me nr. fature, nr. matësi 1119219228 me nr. vule 0123435. Faturohem dhe paguaj gati 9800 lekë, një shumë marramendëse, në raport me konsumin real. Sikur shtëpia të ishte shndërruar në një ish uzinë metalesh! Nis të ankohem. Po ku?! Në veshshurdhërit dhe syverbërit, tek të paarsyeshmit? Tek informalët e kodo buisur, të ngritur në sistem?!

Pres të ndodhte korigjimi: Dhe në vijim… Për 2 muaj faturohem dhe paguaj nga 340 lekë, deri kur erdhi dhe gjëma e dytë: Fatura, pra Mbifatura me shumën marramendëse me: 1 298 080 lekë për muajin mars 2013! Dhe kjo pa më kthyer vjedhjen e parë, na vjedhin për së dyti, madje dhe më dhunshëm. Shumë njerëz, me haberin më minimal “vënë duart në kokë” dhe e lidhin gjobën jo me energjinë, po me lidhjen e gjuhës ndaj kësaj kusarie, ngritur në sistem!

Sërish nis ankimimin. Po ku? Në sterrë- skëterrën CEZ?!

M’u kujtua koha e diktaturës në ushtri: “Zbato urdhrin, pra, dil në raport!”. Edhe ai ligj në atë kohë dhe ky joligj janë shumë larg dhe s’kanë asnjë ngjashmëri me njëri-tjetrin. Me ligjin e parë të diktaturës nuk paguaje fatura abuzive, por do të zbatoje një urdhër pa kosto materiale, por mund të ndëshkoheshe moralisht nga qortim dhe deri në punë pastrim territori, ose në çadrën e diellit, etj.. Këtë ma risolli në kujtesë dhe bëri analogji një miku im i fjalës së shkruar!

Paguaj sipas faturës 608910526 dhe më 12.04. 2014, lë nr. e telefonit, nr. e kartës së identitetit për saktësi dhe pres përgjigjen e HATASË së dytë për verifikim. Erdhi Erald Maka, pas tij edhe dy herë të tjera një grup me tre veta të cilët në prezencë deklaruan se: Është bërë gabim faturimi, duke më ngarkuar një shumë që sipas llogarive që bëj unë afërsish, i binte 8 000 lekë. Pse ndodhi sërish, pa zgjidhur vjedhjen e parë, nis vjedhja e dytë nga i njëjti vjedhës?! Kush i vodhi, si i vodhi?! Ç’bëhet me hajdutin?! Kush dhe kur do kthehen lekët e vjedhura tek i vjedhuri?! Kur dhe kush do të ndëshkojë vjedhësit që kanë mbuluar Shqipërinë dhe po vjedhin dhe vdesin shqiptarët?!

Kanë kaluar 90 ditë, pa marrë asnjë përgjigje!

“S’kam çfarë të bëjë- thotë përgjegjësja e sportelit, Laureta Kadare. Interesohem në drejtori. Kërkoj për një muaj, por se takoj dot Sabaudin Abazin, drejtorin e Vlorës. “Mos u lodh kot!”, thotë një zonjë zyre. Tek ne nuk gjen dot zgjidhje. E ka sistemi…

Sistemin e kemi shumë të mirë. Demokraci popullore. Ligjshmëri demokratike. Administratë publike, në shërbim të qytetarëve, që paguhet me taksat tona! Çfarë ju mungon? “Jo, jo, – thotë punonjësja-, flas për sistemin elektronik. Pse sistemi elektronik është jashtë sistemit tonë demokratik?! Kush duhet të ndjejë përgjegjësinë dhe të kthejë përgjigje, kur dhe si do marrë paratë e vjedhura qytetari nga vjedhësit me status legal? “E ke të kotë – dorëzohet të thotë nëpunësja.- Të këshilloj të mos lodheni kot, s’je i vetëm, ka shumë ankesa”. Kjo më ngriti më shumë, e më shumë nervat. Atëherë në emër të atyre, të shumëve si unë, pyes: Kur një administratë e paaftë për të ndëshkuar punonjësit e pandërgjegjshëm, abuzues s’është e aftë të verë rregull, pse na duhet më?! Po shteti sehirxhi i qytetarëve qëndron përballë kasaphanës për kaq vite të CEZ, tani KESH, që po vazhdon të dhunojë, vjedhë dhe poshtërojë shqiptarët?!

Kur një drejtori si kjo e Vlorës, s’jep dot asnjë përgjigje, çfarë bën zoti Gjiknuri, ministër i Energjetikës. Si i mat sukseset e 300 ditëve të qeverisjes?

Po zyra e mbrojtjes së qytetarëve çfarë bën? Kur një qytetari, pensionisti i vjedhin më të shumtën e pensionit, nëpërmjet mbifaturimit, çfarë duhet të bëjë dhe si duhet të reagojë?! CEZ dhe pasardhësi, me faturat aforfe dhe tashmë me mbifaturime fluturuese është Skema Piramidale, “SUDIA” më jetë gjatë, e radhës që po vazhdon të vjedhë/rrjepë shqiptarët edhe tashmë në 2014-n!

  Thonë që dhe në Amerikë të vjen përgjigje, po dhe zgjidhje për 45 ditë, për çdo lloj ankese dhe shërbimi që kërkon qytetari në vendin qindra milionësh! Këtu po kalojnë 95 ditë, të kalojnë  dhe 95 vjet, nuk merr asnjë përgjigje dhe kurrë zgjidhje…

Deklarohem publikisht se qysh prej vitit 1968, kohë kur u elektrifikua vendi dhe deri më sot, nuk kam lënë asnjë faturë elektrike pa likuiduar.

A mos duhet të fillojë të vjedh edhe unë, që të barazohem me hajdut-kusarët e CEZ?!

Më ktheni përgjigje, dhe paratë e grabitura!

          *Kryetar i “Shoqatës LABËRIA”- VLORË