Totozani kundër Veliajt për ligjin e PAK: Cenon të drejtat, nuk pyet AP

    359
    Sigal

     PAK në protestë, Tafaj: Ligji i ri, shkel të drejtat tona. Veliaj: Do heqim abuzuesit

      Gjatë seancës dëgjimore me grupet e interesit të zhvilluar dje në komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale Totozani kërkoi ndryshimin urgjent të ligjit. “Ankesa dhe problemet e PAK sipas projektligjit duhet të trajtohen në gjykatë, duke përjashtuar Avokatin e Popullit. Duhet ndryshuar me urgjencë. Ligji nuk është në harmoni me Konventën e OKB për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar. Nëse shoqatat e tjera kërkojnë statuse, kjo nuk duhet të cenojë statuset e fituara nga shoqata e PAK. Projektligji duhet te ishte përgatitur bashkërisht me aktet nënligjore. S’ka asnjë të tillë në to”, tha Totozani.

    Avokati i Popullit parashtroi edhe pikat që duhet të rishikohen në ligj.

    “Në nenin 3, pika 9, të ndryshohet “organizata përfaqësuese e personave me aftësi të kufizuar” është “organizata e personave me aftësi të kufizuar”, e krijuar nga vetë ata ose prindërit e tyre e cila vepron mbi baza lokale, rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

    Një tjetër pikë e rëndësishme në këtë rast është dhe zgjedhja e çështjes së 5 përfaqësuesve, ku në ligj thuhet se 5 përfaqësuesit zgjidhen nga kryeministri, në fakt do të ishte brenda parimeve kombëtare që përfaqësuesit të zgjidhen nga vetë PAK”.

    Ndërsa në përfundim të seancës dëgjimore Totozani u shpreh:

    “Për një gjë ju siguroj. Në asnjë moment Avokati i Popullit dhe unë personalisht nuk ndryshojmë dhe nuk lëvizim nga ato parimet që e bëjnë jetën tuaj më të lehtë e më të mirë në ato kushte që ju jetonin. Të jeni të siguritë që Avokati i Popullit do të jetë vazhdimisht në mbrojtje të të drejtave tuaja”. Në komision u dëgjuan edhe kryetarë të shoqatave të personave me aftësi të kufizuar, ndërkohë që nënkryetarja e komisionit Klodiana Spahiu premtoi se do të rishikohen edhe njëherë nenet e ligjit që kundërshtohen .

     Sinan Tafaj: Ky ligj bëhet për të ligjëruar bërjen e parave

     Kreu i PAK, Sinan Tafaj u shpreh në komision se ky është një ligj tejet djallëzor, i papranueshëm për ta. “Ky ligj është hartuar me paratë e PNUD dhe fondacionet e Ministrisë i kanë marrë mbi 800.000 $ për këtë qëllim. Ky ligj po bëhet për të ligjëruar kontrata si ajo që u denoncua në media. Ky ligj po bëhet për të ligjëruar bërjen e parave. Pse? Ne nenin 3, pika 9 të këtij projekt-ligji është sajuar një koncept ë ri “organizata për PAK”, që nuk ekziston as në Konventë e as në ligj tjetër perëndimor. Kjo është një sajesë “alla Shqiptare” për të realizuar një korrupsion “alla Shqiptar”. Ky Fondacion i ka garantuar vetes të drejtën për të ofruar shërbime, për të mbrojtur interesat tona dhe të familjeve. Do të jetë përfaqësuese pranë Këshillit të Ministrave, do të konsultohet me përparësi dhe e gjithë kjo fuqi ligjore do të konkludohet tek Neni 12 për financimin buxhetor, i cili do të jetë tërësisht në dorë të tyre te Ministria e Mirëqenies. Nga ana tjetër, ky ligj godet lëvizjen e aftësisë së kufizuar me përcaktime absurde dhe në kundërshtim me Konventën. Objektivi politik i z. Ministër është të shuajë çdo rezistencë e kundërshtim. Ai ka zgjedhur një rrugë qesharake, “dhëmbë për dhëmbë e sy për sy”, duke na akuzuar ne si monopole, pushtet absolut, etj.. Është e qartë se monopolin e ka vetë z. Ministër, pushtetin e ka vetë, sepse monopoli bëhet me forcën e parasë dhe të pushtetit. Ne kemi monopolin e besimit të qytetarëve të thjeshtë dhe ndershmërisë me të cilin i përfaqësojmë. Neni 22 i këtij projektligji përcakton se çdo ligj që bie ndesh me të do të ndryshohet, prandaj ne e ndjejmë veten të rrezikuar. Ky ligj nuk sjell asnjë kosto financiare për askënd, kështu që çdo ndryshim ka të gjitha shanset që të bëhet për ta marrë në kushtet që nuk na jepet. Ky ligj shkel dinjitetin njerëzor, pasi na mohon të drejtën për të përfaqësuar dhe folur për veten. Na mohon të drejtën për të zgjedhur kujdestarët, sipas Nenit 8 te tij. Ky ligj përcakton edhe vendimmarrjen e mbështetur dhe në kundërshtim me Konventën nuk parashikon asnjë masë ligjore për t’i mbrojtur këta njerëz nga abuzimi dhe konflikti i interesave. Përkundrazi, në mënyrë indirekte supozon se të gjitha PAK janë të paaftë për të vendosur për veten e tyre. Kështu, fondacioni ka marrë përsipër që të na ndihmojë të gjithëve në procesin e vendimmarrjes” u shpreh Tafaj. “Nëse ligji për PAK miratohet, ka rënë deviza e Kryeministrit Rama dhe Veliaj nuk është ministër”, përfundoi ai.

     Mybere Prizreni: Rama na ka premtuar zgjidhje konkrete dhe jo lugën bosh

     Mybere Prizreni, kryetarja e Shoqatës së Invalidëve Para & Tetraplegjikë të Shqipërisë është shprehur në Komisionin e Punës se po ndodh e kundërta e asaj që u është premtuar. “Na u premtua shfuqizimi i ligjeve të qeverisë së shkuar brenda 100 ditëve, u iniciua projektligji për përfaqësimin demokratik të personave me aftësi të kufizuar, na u premtua mbështetje organizatave, veçanërisht mbështetja e organizatave për njerëzit që nuk dëgjojnë, për talasemikët, fëmijët e sindromit down. Kemi 8 vjet që ne si Këshill Kombëtar, insistojmë që të përfshihen dhe grupe të tjera, për t’i bërë ato me statuse ligjore. E kemi ngritur këtë në tryezat e PS-së, është për të ardhur keq, të dashur bashkëvuajtës, kur zoti ministër, manipulon dhe gënjen duke thënë se ne duam vetëm për vete dhe se duam të përjashtojmë të tjerët. Z Ministër gënjen, edhe kur thotë se në këtë ligj janë përfshirë të gjitha grupet. Çfarë kupton ministri me përfshirje? Ky ligj nuk i jep asgjë askujt. Ky ligj e ka efektin financiar zero. Nga ky ligj nuk do të përfitojnë asnjë lloj pagese asnjë grup tjetër, madje as nuk flitet fare për pagesa apo mbështetje ekonomike. Kryeministri Rama në politikat e tij ka premtuar zgjidhje konkrete dhe jo lugën bosh. Ne nuk kemi asgjë kundër Partisë Socialiste, as kundër Kryeministrit Rama, por ne jemi shumë të shqetësuar, kur synohet të bëhet një ligj antidemokratik, ku përfaqësuesit tanë do të caktohen me urdhër të Kryeministrit, ku kujdestarët tanë do të caktohen me vendime të qeverisë. Ky ligj është bërë për interesa klienteliste, përfituesit e vetëm nga ky ligj do të jenë klientët e ministrit Veliaj. Përqendrimi i gjithë fondeve te Ministria e Mirëqenies, i gjithë donacioneve, i gjithë shërbimeve, i gjithë ekspertizave do të thotë që gjithçka do të kalojë ne duart e fondacionit që ka hartuar këtë ligj”, është shprehur Prizreni.

     PROTESTA

     Ashtu siç kishin paralajmëruar, personat me aftësi të kufizuara kanë dalë ditën e djeshme në protestë para Kryesisë së Kuvendit. Ata kërkojnë që Kuvendi të mos kalojë ligjin për PAK pasi sipas tyre ky ligj shkel të drejtat e tyre. “Kërkojmë që ligji aktual të mos shfuqizohet. Ligji integral të mos kalojë në Kuvend. Ligjin që kemi pasur na mbron. Ligjin e ri e kanë bërë disa persona, ky ligj shkel të drejtat tona”, deklaroi Ali Plaka, Zëvendëspresident i para-tetraplegjikeve. Sipas tij personave me aftësi të kufizuara në projektligjin e ri, të miratuar në parim në Komisionin e Çështjeve Sociale, u shkelen disa të drejta si ajo e strehimit apo e personit shoqërues. “Nuk më jepet e drejta e strehimit, e punësimit të shoqëruesit. Që në hyrjen në spital na cenon ky ligj”- deklaroi Plaka.

     Kospiri: Projektligji nuk prek të drejtat e PAK

     Zëvendësministrja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale Bardhylka Kospiri sqaron personat me aftësi të kufizuara se projektligji i ri nuk do të prekë asnjë nga të drejtat e përfituara. Në një deklaratë për mediat ajo theksoi se në projektligjin e ri parashikohet që të përfshihen edhe grupime të përjashtuara të personave me aftësi të kufizuara. “Ky ligj është një ligj që nuk prek asnjë të drejtë të personave me aftësi të kufizuar. Ka një abuzim dhe personat me aftësi të kufizuar janë të shqetësuar. Asnjë e drejtë e fituar nuk do të ndryshojë por do zgjerojë grupet që përfitojnë nga të drejta dhe do përfitojnë më shumë të drejta që kanë pasur deri tani. U është thënë që do u hiqen kujdestaret apo do u ulen pagesat. Nuk janë të vërteta. Konventa është një dokument që përmban të gjithë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Ky ligj kalon të drejtat e konventës në legjislacionit shqiptar. Ligji kuadër është hartuar nga në grup pune ndërinstitucional dhe një eksperte ndërkombëtare”- sqaroi Kospiri.

     Reagon Veliaj: Ligji i ri për të pastruar skemën nga abuzuesit

     Pas protestës së personave me aftësi të kufizuara ka reaguar ministri Erion Veliaj. Në një postim në faqen e tij në “Facebook” Veliaj shkruan se respekton protestën por ligji i ri bëhet për të pastruar skemën nga abuzuesit. “FMN ka të drejtë, ndaj po kalojmë ligjin për Personat me Aftësi të Kufizuar që të heqim abuzuesit, jo të drejtat. Shpërdorime me pagesat e invaliditetit”- shkruan Veliaj.