KUPA “STEFAN PINGULI”/ Fundjava mbyllet me një veprimtari të veçantë, garuan amatorë e profesionistë të notit, mes tyre edhe Presidenti FSHN, Agim Çiraku: Ishte garë specifike dhe shumë e bukur! Flasin Sadik Mema, Suleman Proda e Petrit Guma

17
Sigal

Sadik Mema: Më shumë se një garë, ishte promocion i vlerave të Notit.

Stefan Pinguli: Unë jam i nderuar me këtë Kupë.

Stefan Pinguli, Administratori i Resortit “Te Stela”, ka shumë vite që e mbështet sportin e Notit në Shqipëri me infrastrukturën komode, dimërore e verore. Por këtë herë ai ishte në emocion të veçantë, sepse komuniteti i notit organizoi Kupën “Stefan Pinguli”. “Natyrisht që ndjehem i respektuar për këtë kupë me emrin tim, e cila po bëhet traditë. Falenderoj organizatorët, por edhe pjesëmarrësit në garë, të cilët e bënë edhe më tërheqëse këtë veprimtari. Të tilla gara i shërbejnë jo vetëm shëndetit, por edhe kulturës dhe dashurisë për sportin e notit, edhe në këto kushte amatore. Unë e dashuroj këtë sport, tashmë si një amator, dhe do ta mbështes gjithmonë. Dhe këtu gjej rastin të falenderoj Presidentin e Federatës Shqiptare të Notit, zotin Agim Çiraku, i cili më respektoi edhe duke garuar, si një ish-notar”.

Agron KAJA

Mjeshtri i Madh, Sadik Mema, kishte sjellë në pishinën 25 m “Te Stela” disa Mjeshtra të Mëdhenj në sportin e notit në Shqipëri. Me moton “Mësoni të ushtroni notin që të jetoni më gjatë”, ditën e shtunë ai ishte një nga organizatorët e Kupës “Stefan Pinguli” në not, e cila në pishinën 25m të Resortit “Te Stela” zhyti në ujë pjesëmarrës amatorë e profesionistë. Në përfundimin e garimit 60 minuta, Pupi tregoi për gazetën “Telegraf” jo vetëm respektin për zotin Stefan Pinguli, por edhe qëllimin sportiv të kësaj gare. “Kjo veprimtari u zhvillua ditën e shtunë për herë të 14-të. Organizimi i saj bëhet në respekt të zotit Stefan Pinguli, Administrator i Resortit “Te Stela”, i cili në 14 vite rresht ka qënë edhe një garues i rregullt. Dhe më shumë se një garë e mirëfilltë, kjo është një promocion i vlerave të njerëzve të veçantë në sportin e notit. Vetë pjesëmarrja në këtë garë e tregon këtë synim”, kështu tregoi fillimisht Mjeshtri i Madh, Sadik Mema, ideatori dhe një nga organizatorët e Kupës “Stefan Pinguli”. Sipas tij, pjesëmarrja do ishte më e lartë, por garat çiklistike të “Giro d’Itali” e kufizuan lëvizjen e tyre në drejtimin e pishinës. “Pjesëmarrja me 8 garues them se ishte e kënaqshme, sepse rrethi Çiklistik “Giro d’Italia” i kishte bllokuar disa rrugë të Tiranës, të cilat të sjellin këtu te pishina garues e shikues të shumtë. Këtë herë morrën pjesë 8 pjesëmarrës (6 meshkuj dhe 2 femra), të cilët për 60 minuta “pedaluan” në ujin e ngrohtë të pishinës. Bukuria e gjithçkaje në këtë garim 60 minutësh mbetet fakti se noti shqiptar nuk i harron jo vetëm veteranët e vet, por edhe ata që sportin e notit e promovojnë si sportin e shëndetit, i mirëqënies fizike dhe i pamjes estetike për të gjitha moshat, e në veçanti për të moshuarit si 83 vjeçari Sulejman Poda”. Prania e Presidentit të FSHN-së, zotit Agim Çiraku, si dhe e ish-Presidentit Petrit Guma, Mjeshtër i Madh, ishte një vlerësim e respekt edhe për organizatorët, ku vetë Mjeshtri Mema shprehet se edhe prania e tyre e zbukuroi këtë veprimtari. “Ndoshta në të tilla veprimtari, bukuria, rëndësia e respekti shtohet edhe kur ke emra të mëdhenj të notit shqiptar si Mjeshtri i Madh, Petrit Guma, apo edhe prania dhe garimi i Presidentit të FSHN-së, Agim Çiraku”, kështu tregoi Mjeshtri Madh Sadik Mema për vperimtarinë Kupa “Stefan Pinguli”, e cila u zhvillua ditën e shtunë paradite në pishinën 25 m të Resortit “Te Stela”.

Renditja, 1 orë garim

MESHKUJ

Emri e mbiemri         Distanca

1.Sami Briçi                2525 m

2.Skënder Bylyku       2425 m

3.Festim Manellari      2423 m

4.Stefan Pinguli           2200 m

5.Sulejman Poda         1750 m

FEMRA

Emri e mbiemri         Distanca

1.Elma Zanaj               2210 m

2.Stela Pinguli             500 m

83 vjeçari Sulejam Poda përshkruan 1750 m

Nuk mungoi edhe në këtë garë të Kupës “Stefan Pinguli”. Sepse 84 vjeçari Suleman Poda garoi së bashku me të tjerët, duke përshkruar 1750 m në 60 minuta. Ndërkohë që në vitin e kaluar, në këtë veprimtari ai përshkroi 1450 m në 60 minuta, dhe sipas tij, ky është një passion që e sfidon moshën. “Unë e kam passion sportin e notit, nuk shoh moshën. Kam garuar edhe vitin e kaluar në këtë veprimtari, dhe këtë vit e rrita distancën me 300 m. Kam mbi 60 vite që ushtrohem me këtë sport dhe të tilla veprimtari ma pasurojnë “arkivën” në garimet e mia individuale. E falenderoj Stefanin për këto kushte, por edhe për organizatorët për këtë veprimtari. Edhe vitin tjetër do garoj”, kështu u shpreh veterani i pishinave.

Festim Manellari: Garoj për përmirësimin e shëndetit tim

Edhe në vitet e kaluara e kisha parë Festim Manellarin teksa garonte, por që ishte ndryshe nga aftësitë e tij fizike, për shkak të një aksidenti të pësuar vite më parë në punë. Dhe ai u quajt si një garues ekselent, sepse përshkroi 2423 m, duke u renditur në vëndin e 3-të. Për gazetën “Telegraf”, Festimi u shpreh me respekt për ftesën, por edhe i kënaqur me garimin. “Unë kam 7 vite që marr pjesë në Kupën “Stefan Pinguli”, i cili është kthyer tashmë në një event të rëndësishëm për mua në këto kushte fizike që kam. Unë ushtrohem në pishinë tre herë në javë, dhe në këtë garë përshkrova 2425 m në 60 minuta, duke u përmirësuar me rreth 50 m nga viti i kaluar. Këtë përmirësim unë e vlerësoj në ndihmë të përmirësimit të shëndetit tim, ndaj edhe do jem si një “peng” i kësaj veprimtarie vit pas viti”.

Elma Zanaj, pedagogia që përshkroi 2200 m.

Në këtë garë për Kupën “Stefan Pinguli” e fiksova më qartë pedagogen Elma Zanaj. Në paraqitjen e saj të thjeshtë, por shumë sportive, Elma tregonte se ishte një notare tipike, edhe pse garonte si amatore. Pas garës, për gazetën “Telegraf”, Elma Zanaj u shpreh me respekt për veprimtarinë, njëherësh edhe për pamundësinë e shumë personave të tjerë që nuk erdhën për shkak të bllokimit të rrugëve në Tiranë. “Unë ushtrohem shpesh në sportin e notit dhe këtë veprimtari e pres me shumë emocion e kënaqësi. Sepse është një garë ku ne shprehim gjendjen tonë aktuale, shprehim mundësitë që kemi për të notuar në distancë për një kohë të limituar. Në 60 minuta përshkrova 2200 m, dhe falenderoj organizatorët për këtë event modest, që sot u pengua në pjesëmarrje për shkak të trafikut”.

INTERVISTA/ E respektoi veprimtarinë me pjesëmarrje, si federatë e mbështeti këtë veprimtari.

Agim Çiraku: Ishte garë specifike dhe shumë e bukur!

Ju startuat në garë, por vetëm disa xhiro notuat, pse kështu?

Sepse unë ashtu e respektova garën dhe garuesit, si një ish-notar dhe si President i Federatës Shqiptare të Notit. Nuk kisha bërë stërvitje mjaftueshëm, ndaj e mbylla shpejt. Ne si federatë i mbështetim këto veprimtari kaq të bukura dhe emocionuese.

Gjithsesi, ju si e vlerësoni këtë garë, shkoi mirë në ecurinë e saj?

Të gjithë garuesit i falenderoj, sepse prej tyre gara u bë shumë e bukur. Kur sheh burra e gra, me aftësi fizike jo të plota që të garojnë 60 minuta pa pushim, vlerësimi im është maksimal. Ishte një garë specifike dhe shumë e bukur.

Nisur nga pjesëmarrja, ju e prisnit që të ishte një garë e tillë?

Pjesëmarrja u kushtëzua nga bllokimi i qarrkullimit për shkak të zhvillimit të Giro d’Italia në Tiranë. Por duke qënë më shumë amatorë në garë dhe një person invalid, kjo tregoi se notin e pëlqejnë të gjitha moshat e kategoritë në vëndin tonë.

Ndoshta ju keni patur pritshmëri më të mëdha në pjesëmarrje?

Unë ja u përmënda më sipër këtë fakt, se pritshmëritë ishin për rreth 15 garues. Por Giro d’Italia nuk na e dha këtë mundësi, që gjithsesi, nuk ia prishi bukurinë e rrjedhshmërinë garës, e cila kishte edhe rivalitet në finishin e saj.

Në tërësinë e saj, çfarë është më shumë për ju kjo garë në 1 orë notim pa ndalim?

Kjo garë është mbi të gjitha një promocion real i vlerave të sportit të notit tek njerëzit e të gjitha shtresave e kategorive. Dhe veç të tjerëve, do veçoja zotin Stefan Pinguli, i cili sfdoi moshën dhe në 60 minuta notoi për 2200 metër.

Sporti i Notit në Shqipëri zhvilloi dy veprimtari kombëtare në pishinë 25 m, si i komentoni ato?

Si gara shumë të bukura, me rivalitet dhe me rezultate të larta, ku 22 rekordet kombëtare që u thyenë e bënë diferencën. Të gjitha ekipet, trajnerët e notarët kishin punuar me shumë seriozitet, në një stinë ku infrastruktura është pak e cunguar.

Kur do nisin garat për veprimtaritë verore të Notit për këtë vit kalendarik?

Në muajin korrik dhe gusht kemi dy veprimtari të rëndësishme në pishinën e hapur 50 m. Në 10-11 korrik, në Tiranë do të zhvillohet Kupa e Shqipërisë, ndërsa në 30-31 gusht në Durrës do zhvillohet kampionati kombëtar për të gjitha kategoritë.

Veprimtaritë Kombëtare të radhës

Kupa e Shqipërisë 2025, në pishinën 50 m Tiranë, 10-11 Korrik

Kampionati Kombëtar Fëmijë, Rinj&Rritur 50 m, Durrës 30-31 Gusht

Mjeshtri i Madh, Petrit Guma: Garë e rrallë për këto mosha

Në ditën e garave të Kupës “Stefan Pinguli”, nuk mungoi edhe Mjeshtri i Madh i Notit shqiptar, ish-kampioni dhe rekordmeni Petrit Guma. Me qetësinë e thejshtësinë e tij, edhe si ish-President i FSHN-së, zoti Guma e vlerësoi këtë veprimtari, që sipas tij mbetet një garë e rrallë për këto mosha amatorë. “Kjo është një garë e rrallë dhe shumë tërheqëse, kur shikon këto mosha të notojnë 60 minuta pa ndërprerje. Këtu shohim se këta njerëz të mirë kanë pasion për të notuar. Për mua është mbresëlënëse dhe i falenderoj të gjithë garuesit, por edhe organizatorët. Do t’i uroja zotit Stefan Pinguli shëndet, jetë dhe punë, sepse kjo kupë në emrin e tij do mbetet e “skalitur” në ujin e kësaj pishine”, kështu e vlerësoi Kupën “Stefan Pinguli”, Mjeshtri i Madh Petrit Guma. Kujtojmë se së shpejti, Bashkia Durrës do t’i akordojë Petrit Gumës titullin “Qytetar Nderi i Durrësit”.