Idrizi mbyll “telenovelën” e trajnerit me një para-kontratë, Daja vazhdon kërkesat për lojtarë

552
Sigal

Nga Agron KAJA

KATEGORIA SUPERIORE/ “Odisea” për trajnerin e Flamurtarit drejt finishit, tekniku tiranas konfirmon situatën për gazetën “Telegraf”

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, dhe trajneri Ilir Daja, u takuan edhe dje mes tyre në Vlorë. Duket sikur nënshkrimi zyrtar i teknikut tiranas po bëhet “telenovelë”, por vetë Daja e pranoi për gazetën “Telegraf” se, duke qenë nën kontratë me Skënderbeun deri më 30 qershor 2018, ligjërisht nuk mund të nënshkruajë me asnjë skuadër tjetër para kësaj date. Edhe burime pranë klubit të Flamurtarit, për gazetën “Telegraf” dje konfirmuan se gjatë takimit Idrizi-Daja, është nënshkruar një para-kontratë mes palëve. “Po, në takimin sot (dje) Administratori Idrizi dhe trajneri Daja, kanë biseduar kokë më kokë mes tyre. Vetë ata na kanë deklaruar se kanë nënshkruar një para-kontratë, nisur nga situata zyrtare e Ilir Dajës me Skënderbeun deri më 30 qershor”. Gjithsesi, dje nuk kanë munguar edhe piketat për merkaton e verës, ku tekniku i ka kërkuar Idrizit që para datës 30 qershor, ai të bëjë tre rikthime të futbollistëve Alvesh, Pollozhani e Bicaj, të cilët në sezonin e kaluar ishin titullarët bazë të Flamurtarit. Kështu, duket se nuk bëhet fjalë për paratë që do të përfitojë trajneri Daja në stolin e Flamurtarit, apo për pjesëtarët që do të përbëjnë stafin e tij, por mes tyre në tavolinë janë vënë objektivat që Flamurtari ka deklaruar për sezonin e ri, për të cilin teknikut i duhen patjetër futbollistë cilësorë në ekip. Aktualisht, me sa kanë mbetur te Flamurtari nga lojtarët e sezonit të kaluar, disa prej tyre nuk kanë kontratë me Idrizin, çka nënkupton se trajneri Daja kërkon siguri për përbërjen e skuadrës. Veç atyre që mund të rikthehen, dje Ilir Daja i ka kërkuar Sinan Idrizit lojtarë të tjerë cilësorë dhe të afirmuar në Kategorinë Superiore lojtarë me potencial si dhe rinovimin me disa nga emrat e sezonit të shkuar, kështu që ‘topi’ tashmë është në këmbën e Sinan Idrizit, i cili do të përcaktojë të ardhmen e Flamurtarit për sezonin e ri. Ndërkohë që, trajneri Ilir Daja në takimet e tri ditëve më parë me Administratorin Idrizi, është shprehur pro rikthimit të brazilianit në skuadër. Kështu që, në fillim të muajit korrik, braziliani Alvesh pritet në Vlorë për të mbyllur gjithçka, pasi edhe vetë ka theksuar se në Shqipëri, gjithmonë do të luajë vetëm me Flamurtarin. Danilo Alvesh pritet të jetë lojtari i katërt që rikonfirmohet nga skuadra e sezonit të kaluar, pas Useinit, Mustës dhe kapitenit Bushiç.