450 shqiptarë të trafikuar në 5 vite, shumica fëmijë

197
Sigal

Një nga plagët e Shqipërisë në vitet e para të demokracisë dhe gjatë trazirave ishte trafikimi i fëmijëve. Nga ajo kohë e deri më sot nuk ka të dhëna të sakta sesa qytetarë janë rrëmbyer, por më shumë se 450 raste të trafikimit të qenieve njerëzore, shumica e të cilëve fëmijë, janë referuar nga autoritetet shqiptare në 5 vitet e fundit.

Në po të njëjtin hark kohor, sipas të dhënave nga Prokuroria e Përgjithshme, vetëm 29 persona janë proceduar penalisht për trafikimin e fëmijëve, ndërsa vetëm 18 prej tyre janë dënuar.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, numri i viktimave të trafikimit në rang global në vitin 2019 ishte rreth 50,000. Megjithatë, trafikimi i qenieve njerëzore, raportohet shumë pak dhe numri i viktimave vlerësohet të jetë shumë më i lartë.

”Trafikimi i qenieve njerëzore nuk është një kujtim i zbehur historik: është një çështje sociale në Shqipërinë e sotme dhe mbart farën e një kërcënimi të mundshëm për sigurinë”. Kjo ishte një ndër gjetjet e publikuara në një opinion nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco më 14 prill të këtij viti.