11-vjeçarja tiranase që habit Sanremon

703
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Melisa Magnanelli

Është vetëm 11-vjeçe dhe quhet Melisa Magnanelli që në një gjuhë të fqinjëve do të përkthehej mjaltëza. Melisa ka qenë pjesëmarrëse në Festivalin e 47 për fëmije, ku është nderuar me çmimin e dytë, në “Prishtina – Fest” me çmimin e parë, në “Cucinela d’oro” në Napoli me vend të dytë dhe Sanremo Junior me diplomë të posaçme. Shprehet mirënjohëse për nënën e saj, Almën, mësuesit, shokët dhe të gjithë ata që e ndihmuan dhe e inkurajojnë.

Përshëndetje, urime dhe përgëzime! Diçka mbi dëshirën dhe përgatitjet profesionale si këngëtare?

Përshëndetje dhe juve. Falënderime gazetës “Telegraf”! Quhem Melisa Magnanelli. Kam lindur dhe jetoj në Tiranë dhe jam 11-vjeçe. Në Hip-hop kam filluar fillimisht të demonstroj para shkollës dhe pata vlerësime pozitive, po kështu edhe në piano me mësueset Tan Bramo dhe Merita Lalja. Eventet më të rëndësishme artistike që kam marrë pjesë deri tani, janë katër: Pjesëmarrja në Festivalin e 47 të Këngës për Fëmijë i zhvilluar në Tiranë, ku interpretova së bashku me Uendi Mancakun këngën “Xixëllonja”’dhe u vlerësuam me çmimin e dytë. Po me këtë këngë shkuam në festivalin “Prishtina – Fest”, ku u vlerësuam me vendin e parë. Më tej fillova të jem pjesëmarrëse në eventet italiane si “Cucinela d’oro”, ku zura vend të dytë duke kulmuar në festivalin Sanremo Junior, ku u vlerësova me diplomë.

Cilët këngëtarë admironi?

Admiroj dhe pëlqej këngëtarët Laura Pauzini, Elvana Gjata, Aurela Gaçe ndërsa në hip-hop vetëm profesorin tim. Brenda këtyre admirimeve është shkrirë edhe synimi im për t’u bërë një këngëtare me emër dhe famë të madhe, por pa harruar edhe mësimet, sepse dua të vazhdoj studimet në arte, por në qoftë se pasioni do të mbetet, atëherë kam planifikuar të studioj për juriste, një dëshirë kjo e lindur sepse më pëlqejnë shumë filmat me avokat.

Keni konkurruar në Shqipëri dhe jashtë saj. Ku keni vlerësime apo përshtypje më të mira për jurinë?

Nuk mund të them që më është dukur serioze ajo e Italisë, pasi s’mund të mos tregohem korrekte me jurinë e vendit tim, pavarësisht se si më kanë vlerësuar.

Kujt i dedikoheni për konstatimin apo zbulimin e mrekullive të vokalit tuaj?

Unë sapo mbarova klasën e 5-të dhe nëse kam arritur deri në këtë rezultat që zëri im të jetë i pëlqyeshëm dhe interpretimet të vlerësohen brenda e jashtë Shqipërisë, kjo është meritë e dy personave: kompozitorit Agim Rëza dhe pedagoges Ema Kançi. Po kështu s’mund të lë pa përmendur mbështetjen e nënës time dhe të shokëve të klasës me mësuesin e muzikës në shkollë Edmond Veizi. Më zbuloi Agim Rëza, i cili më njohu falë mësueses sime të pianos, e cila pikasi aftësitë dhe tingujt e veçantë të zërit tim. Nga ai moment nisi rruga ime drejt artit si këngëtare.

-Faleminderit dhe suksese!