Skandal në Librazhd, punonjësit e CEZ-it mbushin faturat nga zyrat dhe lokalet

382
Sigal

RIKTHEHEN FATURAT E KRIPURA/ Faturistët e kësaj ndërmarrjeje, kundrejt ryshfetit bëjnë edhe lidhje të fshehta

Në qytetin e Librazhdit prej disa muajsh qytetarët janë ndeshur me fatura poshtë dyerve të shtëpisë, të cilat janë mbushur pa parë matësin e energjisë. Prej disa muajsh përgjegjësit e CEZ-it as që kujtohen të shkojnë dhe të kontrollojnë matësit ose askush nuk njoftohet për kontrollin e tyre, ditën e faturimit. Qytetarë të Librazhdit janë ankuar kudo, por askush nuk i dëgjon. Janë mjaft qytetarë, sidomos pensionistë që ankohen për faturat, por nga frika e presionit të faturistëve i bënë të tkurren. Për gazetën “Telegraf”, ata shprehen se fatura e energjisë iu vijnë të pa përballueshme dhe askush nuk i shikon matësa  që janë vendosur në shtëpitë e tyre. Faturat mbushen sipas qejfit të faturistit. “Unë jam vetëm 2 veta në shtëpi, kam një televizor dhe një frigorifer që punojnë me energji dhe se kuptoj kur fatura me vjen mbi 25 mijë lekë”, thotë një banore. Po kështu janë të gjithë qytetarët e Librazhdit që kanë kohë që ankohen se CEZ-i është i papërgjegjshëm dhe faturistët as që i shikojnë sahatet (matësit), ku pjesa më e madhe e tyre janë me biznese apo punojnë si kampistë dhe faturat i bëjnë nga shtëpia ose lokali dhe shuma e cituar në fatura bie mbi kurriz të konsumatorit. Qytetari Hekuran Karaj shprehet për gazetën: “Faturat janë të papërballueshme. Unë nuk e harxhoj kurrë aq energji elektrike, por ç’të bëjmë na ka zënë belaja. Jemi ankuar tek CEZ, por kush na dëgjon neve tani. Tanimë na ka mbetur vetëm të hidhemi në protestë për të gjetur të drejtën tonë”.

Paradokset

Selajdin Kokonozi nga Përrenjasi, në një prononcim për “Telegraf” shprehet: “Kam rreth një vit që nuk më vjen fatura, kërkoj të paguaj lekët e nuk mi merr asnjë, nuk di si duhet të veproj, se e di që më pas do të më kërkojë kamatë vonesën”. Ndërsa shumë qytetare ankohen përgjegjësit e kësaj pune as që e çajnë kokën, por vazhdojnë terezinë e tyre duke i mbushur faturat nga zyrat dhe lokalet, ku pinë kafe. Madje punonjësit e kësaj ndërmarrje, kundrejt ryshfetit u bëjnë lidhje të fshehta lokaleve. Kjo gjë u konstatua kur u ndërrua Kryebashkiaku në zgjedhjet e vitit të kaluar, pasi faturat që i shkonin bashkisë ishin shumë të larta, kur u kontrolluan matësit, doli që shumë lokale furnizoheshin nga sahatet e bashkisë.

Vjedhjet e energjisë

Sipas burimeve konfidenciale thuhet se, nëse shikon faturat e punonjëseve të KESH-it apo CEZ-it ato paguajnë shumë më pak se qytetarët e thjeshtë dhe këtë mundet ta verifikojnë instanca përkatëse. Ndërkohë, po në Qendrën Kulturore të Librazhdit u dogjën pajisjet elektronike, fonia, pajisjet muzikore të kësaj qendre dhe askush nuk u ndie. Sipas burimeve të brendshme bëhet e ditur se nga energjia e kësaj qendre në mënyrë ilegale furnizohej një firmë private që ndërtonte pallate.