Reshjet shkaktojnë problematika në Durrës, shkarje dheu në Currila

Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Shqipërisë, duke krijuar problematika për banorët dhe qarkullimin rrugor.

Situata problematike është shfaqur edhe në Durrës, ku në disa zona urbane niveli i ujit ka kaluar mbi trotuare, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

NOA

Probleme janë evidentuar veçanërisht në rrugët pranë stadiumit “Niko Dovana” dhe në zonën pranë shëtitores “Taulantia”.

Në Currila, si pasojë e rrëshqitjes së dheut, është bllokuar rruga kryesore që lidh këtë zonë me sheshin “Taulantia”. Autoritetet po punojnë për zhbllokimin e saj, ndërsa aktualisht qarkullimi po kryhet përkohësisht vetëm në një korsi.

Sipas sinoptikanëve, moti i paqëndrueshëm do të vijojë edhe në ditët në vijim.

Reshjet e shiut pritet të jenë më intensive në ultësirën perëndimore, ndërsa në zonat malore do të rikthehen reshjet e dëborës.

Meteorologia Lajda Porja bëri të ditur në një prononcim në medie, se gjatë fundjavës pritet një rënie e intensitetit të reshjeve, e shoqëruar me ulje të ndjeshme të temperaturave.

“Temperaturat do të jenë tipike për muajin shkurt. Minimalet do të zbresin në 3-4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nuk do të kalojnë 15 gradë. Në zonat veriore dhe verilindore priten reshje bore”, tha ajo.

Sipas parashikimeve, i gjithë muaji shkurt pritet të jetë me reshje shiu, ndryshe nga i njëjti muaj një vit më parë.