Ti qëllimisht ndez mijëra diej në sy,
të më lidhësh me rreze të nxehta mua,
si lulja e diellit të kthej kokën nga ty,
përjetësisht të mbetem e dashuruar.
Ti qëllimisht ndez në sy mijëra diej,
të më ndezësh zjarre në zemër mua,
të jem e vetmja krijesë nën ata qiej,
të pashkelur,kurrë më parë,nga tjetër grua.
Kur urdhëron syrin diellor,të më puth mua,
shpirti zgjat lastarët te rrezet e tua,
edhe të dua t’u fshihem syve të tu,me diell,
ti ngre leqe me rreze e më çon në qiell.
Më pushton me fllade të harlisura prilli,
pa e ditur se brenda meje zgjohet trilli,
pa pyetur në tërheq,me grepin e vetullës,
fijet e zemrës që kacavirren,si lastarët e pjergullës.
Ti qëllimisht ndez mijëra diej në sy,
të më lidhësh me rreze të nxehta mua,
si lulja e diellit të kthej kokën nga ty,
të mbetem përjetësisht e dashuruar.




















