Unë s’kam bërë divorc me fëmijërinë!
Largësitë prej saj nuk i ndjej fare;
ndonëse kam kaq vite përmbi shpinë,
dhe mbi ballë kaq rrudha, si ugare.
Nuk heq dorë kollaj nga çapkënlliqet.
(Vitet le të shkojnë në esfel)
Kalendarët shpesh mi zgjojnë xhindet;
me ta shpesh jam ndeshur në duel.
Ja kësaj shilarsje që përkundet
mund t’i hyp, pa drojtje nga askush.
T’i harroj në çast mërzitë e ditës;
me adrenalinë trupin ta mbush.
Jam fëmijë i mbushur veç me lojra;
nga gjithë moshatarët jam kaq ndryshe.
Bjermëni mbi gjoks dhe po s’iu nxora
topa, harabelë dhe dallëndyshe.
Biermëni, dhe keni për të parë,
se tek unë, asgjë nuk ka ndryshuar…
Brenda meje fle gjithmonë një djalë!
Pak çapkën dhe i padjallëzuar,
ndaj kur bëj herë herë marrëzira
mos mi vini vitet në “kandar”.
Ju gënjejnë o miq thinjat e mia!
Dukjet janë mburojë për gënjeshtarë.
Unë s’kam bërë divorc nga fëmijëria,
brenda nesh bleron një lis i njomë
ndryshe mund të vdisja nga vetmia
dhe të bridhja rrugëve si kufomë!




















