Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Beqiri: Shkronjat e Zhulatit

 

Ngjajshmëri me “ Udhën e shkronjave”,

Sigal

që unë, si mësues i gjuhës shqipe në këtë fshat,

po ua sjell në këto vargje:

I pagojë lumi, shtrirë si i dehur,

shkronjat s’i zë gjumi, nëpër lule fshehur!

 

Të shkon përmënjanë, lumi, tharë fare,

po shkronjat, ku janë, vallë, në ç’abetare?!

Përroi shkronjat tundi, “a-ja” rri te shtrati,

“zh-ja, shkronjë e fundit, zbriti nga Zhulati!

 

Asnjëherë s’humbi, kjo udha me shkronja,

ato s’janë prej plumbi, janë si xixëllonja!

Unë, mësues i fshatit, piva në buronja,

s’dija që Zhulati, të zgjohej me shkronja…

 

Anës, përtej lumit, mbytur në jehona,

më zgjonte nga gjumi, një e qarë me shkronja!

I solli Veipi, si një grusht me yje,

që i ndritë shpirti, në varr bukurie!

 

Në cepe bodrumi, të kyçur me hekur,

ato shkronja plumbi, si gjumë i pafjetur…

Suloja i mblodhi, në radhë i vuri,

sa një ditë i hodhi, në palë flamuri!

 

Ky lumi i fshatit, mbuluar me hije,

kala e Zhulatit, si pikë i bie.

Shtrirë Idriz Sulli, me varr në Bedenë,

shkruar në pllakë guri, kanune që flenë…

 

Në orën e gjuhës, një jehonë e thellë,

zëri i alfabetit, vinte nga kjo shpellë!

Unë, mësuesi i shqipes, sot, në orë të radhës,

thinjat nëpër vite, si lulet e dardhës.

 

Mbushur lule pemët, në ditët e marsit,

sikur tundin shkronjat, me gojë të na flasin!

Histori që vjen dhe në ditët tona,

në asnjë fshat s’gjen, një “Përrua me shkronja”!

Që del dhe nga vesat, në çdo fillim marsi,

sa herë shtrydh harresat, fryhet, del nga shtrati…