Në ëndërr a zgjëndërr, kjo s’ka rëndësi,
më kërkonin të njohurit e mirë dhe të liq.
Lexoja mesazhet e bëja llogari:
Pse ndodh kjo me mua, pse ndodh s’e di.
Larg mund të jesh, apo fare afër
natyrën duke përpirë a duke prekur një flatër.
Më kërkonin të njohurit e më kërkojnë sërish
në çmendinën time nën qiellin e trishtë.
I çmendur në je, apo të quajmë të tillë,
me penë në dorë, apo me një kokë gjithë shkëlqim.
Në ëndërr a zhgjëndërr, kjo s’ka rëndësi,
në sajesën time i mbështjellë rri.
Me lehtësi më shkruan apo me mund
kafazin e vetizolimit nuk arrij ta shkund.
Ai që po ikën dhe ai që po vjen
në çmendinë të rrumbullt drejtësi nuk gjen.
Era
Në dhomën time krejt papritur
U fut një erë si kusare.
Lëpiu muret e dremitur.
Lëpiu xhamat në dritare.
Pastaj u ngjeth: pa në pasqyrë
ca preka hijesh në fytyrë.
Në dhomën time krejt tinzare
u fut një erë e athët, e hollë.
Aspak s’u tut, as ndjeu marre,
kur krakëriti si një sorrë.
Dhe diçka tha e shkroi në mur
kumtime që s’i kapa kurrë.
Në dhomën time,
e lakuriqtë
u fut një erë transparente,
Dinake dhe me sy të trishtë,
krejt me përçmim po më vërente.
Dhe u vërtit si rrokullimë
në ëndërr dhe në shpirtin tim.
Në dhomën time u fut një erë.
Nuk e mbaj mend:
Dimër qe a verë?