“Ballkani i Hapur“ mblidhet mes polemikash në Ohër

201
Sigal

Kryeministri Rama merr pjesë në samitin e Maqedonisë dhe kritikon BE për financimin e hekurudhës. DASH: Vendimi për të penguar udhëtimin e Lavrov, mbanë larg Rusinë. CDU-së: Open Balkan, të mos rivalizoi Procesin e Berlinit. Analisti Kim Mehmeti:“Ballkani i Hapur“ është ‘fëmijë‘ i cili ka prindër Moskën dhe Beogradin dhe rritjen e të cilit e pengojnë BE dhe NATO-ja.

Kryeminsitri Rama sërish kritika BE nga takimi për Ballkanin e Hapur: Të presësh një vit për hekurudhën dhemb shumë

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në samitin e liderwve të Ballkanit Perëndimor që është duke u mbajtur në Maqedoni. Rama ka folur në lidhje me projektet që ende presin të marrin dritën jeshile për t’u zbatuar, dhe financuar nga BE, njësoj siç është edhe rasti i hekurudhës Tiranë- Durrës. “Është një ditë që nis sot me transportin, sigurinë e rrugëve, qëndrueshmërinë e zhvillimit të të gjithë sistemit tonë të transportit e më pas vijon për mua në Ohër, në Ballkanin e Hapur. Kwto 4 liri, të lëvizjes së BE, në Ballkanin Perëndimor janë ajo çka për ne është jetike, ajo çka për paqen dhe zgjidhjen e konflikteve është jetike. Nuk dua të zgjatem me projektet, kemi hyrë në një plan tjetër falë mbështetjes. Falë një kuptimi më të thellë dhe konkret për të bashkuar këto forca në funksion të së ardhmes, një nga segmentet e korridorit blu është në rrugën e ndërtimit, segmentet e tjera janë në dalje në tender ndërkombëtar, jemi besimplotë se në harkun e mandatit të 3-të do të shikojmë frutet e një kantieri të madh”- u shpreh Kryeministri gjatë takimit. Ndërsa theksin e ka vënë edhe njëherë te ndihma që pret nga BE

“Shpresojmë që Bashkimi Europian, të mbështesë Malin e Zi, se nëse segmenti mbetet i pazhvilluar, korridori do të humbasë. Na vjen mirë që korridori i 8 ka hyrë në axhendën e diskutimeve dhe së bashku me Maqedoninë e Veriut jemi të kordinuar. Shpresojmë që edhe për këtë projekt që nënkupton kantier në 2 anët ë ndërtimit, ndihma nuk do të mungojë. Ne jemi duke finalizuar projektin e portit të Durrësit, i cili do të jetë porti i krejt Ballkanit Perëndimor, me krejt standartet, me mallrat përtej rajonit. Është e kotë që të humbasim kohë të diskutojmë nëse rrugët e aeroporteve duhet të jenë kombëtare ose rajonale. Pa sensin e këtyre projekteve jemi të destinuar të humbasim kohë, koha që kemi humbur të gjithë së bashku duke qëndruar me kurriz të njëri tjetrit na ka lënë me humbje.” Shefi i qeverisë deklaroi se “të presësh vite për një segment hekurudhor nga Tirana në Durrës, për shkak të burokracisë është diçka që dhemb shumë dhe krijon shumë frustrim, shkon në të kundërt me qëllimet e mëdha të përbashkëta. Me këtë fjalë të fundit për të ndryshuar pak sensin e kohës, për t’i dhënë vlerë më të madhe, ju falenderoj, shpresoj që isha shkurt, jo aq sa do desha. Sukses që një përfaqësuese i një vendi të Ballkanit të flasë më shkurt se përfaqwsuesit e institucioneve financiare europiane. Pasi të flisni për rrugët dhe urat keni mundësi që të shijoni Tiranën by night.”

 

DASH: Vendimi për të penguar udhëtimin e Lavrovit, pasqyron angazhimin për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse

Departamenti i Shtetit ka thënë se vendimi për të mos lejuar avionin e ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov për t’u ulur në Beograd ka qenë ekskluziv i tre vendeve fqinje të Serbisë dhe se nuk ka pasur trysni nga perëndimi- siç pretendohet në Beograd -apo në Moskë. Zëdhënësi i Antony Blinken, Ned Price thotë se Podgorica, Sofja dhe Shkupi me vendimin e tyre treguan njëtrajtshmërinë me politikat e Bashkimit Evropian.“Mali i Zi, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, si shtete sovrane, morën vendime sovrane për hapësirën ajrore duke pasqyruar vendosmërinë e Evropës për të kërkuar llogari ndaj Rusisë për pushtimin e pajustifikuar të Ukrainës,” deklaroi Price. Zëdhënësi i zyrës diplomatike të Uashingtonit i bëri edhe njëherë apel Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Moskës. “Ne vazhdimisht i bëjmë thirrje Beogradit që të ndërmarrë hapa për të avancuar në rrugën evropiane, duke përfshirë diversifikimin e burimeve të energjisë, reduktimin e varësisë energjetike nga Federata Ruse dhe harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian. Ne ende duam të jemi partner i Serbisë dhe ta ndihmojmë atë në përpjekjet e saj për të forcuar sigurinë energjetike në planin afatgjatë,”- tha ai. Kremlini e përshkroi vendimin e Malit të Zi, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat ndaluan fluturimin e avionit të Sergej Lavrov, si një akt armiqësor dhe tha se akte të tilla mund të shkaktonin probleme.

Deputeti i CDU-së, Peter Beyer:  Open Balkan të mos rivalizojë Procesin e Berlinit

Deputeti gjerman i CDU-së, Peter Beyer gjatë vizitës në Tiranë ka folur dhe për procesin e Berlinit dhe Ballkanin e Hapur. Beyer në një konferencë për shtyp foli dhe rreth Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur duke theksuar se ai mbështet çdo iniciativë që ka si fokus kryesor bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, por theksoi se ky nuk është qëndrimi i Gjermanisë. “Ky nuk është vendimi i qeverisë federale, por nëse Ballkani i Hapur bëhet në mënyrën e duhur, me bosht të qartë, transparencë dhe gjithëpërfshirëse sjell përparim. Bëhet fjalë për bashkëpunim rajonal dhe ne e mbështesim. Nëse zhvillohet në kuadër të procesit të Berlinit dhe jo paralel. Asnjë vend nuk duhet të dominojë Ballkanin e Hapur, por vendet të jenë në pozita të barabarta”, -tha Beyer. Ndërkohë Beyer foli dhe për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në procesin e integrimit të BE, duke mbështetur idenë e ndarjes nga Maqedonia e Veriut nëse Bullgaria vendos sërish veton e saj ndaj Shkupit. “Vetoja bullgare ka vendosur në një situatë turpi Bashkimin Europian. Shqipëria ka plotësuar kushtet dhe ka ardhur momenti që procesi të vijojë më tej. Situata duhet të zhbllokohet. Ne i kemi trajtuar dy vendet si çift deri më tani, por në vazhdën e bllokadës bullgare, mendojmë se ka ardhur momenti që të ndajmë rrugën e Shqipërisë nga ajo e Maqedonisë së Veriut”,-përfundoi ai. Open Balkan” është nisma për bashkëpunimin rajonal mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, e cila lindi më tetor të vitit 2019. Fillimisht e pagëzuar si “Mini Schengen”, nisma ka si qëllim lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve. Por që prej korrikut të këtij vitit, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i Hapur”. Deri më tani duket se Mali i Zi do të jetë dhe vendi i radhës, që pritet t’i bashkohet nismës, pasi sinjalet e para janë dhënë nga kryeministri shqiptar, Dritan Abazoviç. Nga Prishtina, kryeministri Albin Kurti pretendon se bashkëpunimi në rajon është detyrë e Procesit të Berlinit dhe se vendet nuk duhet që të diskutojnë pa pasur praninë e përfaqësive nga Bashkimi Europian.

 

Kim Mehmeti

Falënderimet e mia shkojnë për Lavrovin!?

Ka vite që jemi duke e përsëritur të vërtetën që e dinin të gjithë – se ‘Ballkani i Hapur’ është projekt ruso’serb – përpos shqiptarëve të dehur nga ‘shlivovica’ serbe, siç janë për shembull leninistët që e drejtojnë BDI-në dhe ‘Rilindësit’, të cilët më të sigurtw ndjehen në prehwrin serb. se sa në kraharorin e shqiptarisë.

Por sot, pasi iu pengua ardhja në Beograd, ku mbase nga afër do jepte udhëzime për të nesërmen e projektit të përbashkët ruso-serb, pra sot, në çaste mllefi dhe sinqeriteti të plotë, ministri i jashtëm rusë publikisht pranoi se ‘Ballkani i Hapur’ është ‘fëmijë’ i cili ka prindër Moskën dhe Beogradin, e rritjen e të cilit e pengojnë BE-ja dhe NATO-ja.

Dhe unë përzemërsisht e falënderoj ministrin rus të punëve të jashtme për shpalosjen e kësaj të vërtete që jam duke e përsëritur me vite, sepse e di se shumicën e ‘intelektualëve’ dhe ‘mendimtarëve’ të popullit tim i dallon një virtyt i veçantë, e që e shpërfaq mendësinë e servilit që e beson vetëm atë që e thotë i huaji, qoftë ai edhe shëtitës i zagarëve të ‘mbretit’ si dhe, të mos dyshojë fare në atë që e thonë shqiptarët e pushtetshëm dhe të pasur!

Kuptohet, edhe pas kësaj, Kryeministri i Shqipërisë do na këshillojë të shikojmë të mirat që do na i sjellë Serbia e së ardhmes, e jo të mbetemi peng i së shkuarës, kur në emër të ‘Botës Serbe’, vriteshin fëmijët shqiptarë. Pra do mundohet të na bindw se shqiptarë mendjehapur e të civilizuar janë vetëm të ngjashmit si ai: ata që ndjehen mirë të ulur në prehrin e Beogradit!

Por sidoqoftë, prej moti është e qartë se ‘Rilindësit’ dhe drejtuesit BDI-së nuk i bren ndërgjegjja për asgjë, sepse dihet: brerja e ndërgjegjes së burrështetasve të papërgjegjshëm nuk buron nga turpi se kanë bërë diçka mëkatare dhe të dëmshme për popullin e vet, por nga frika se do i humbin privilegjet që ua ofron pozita e pushtetarit. Si dhe nga frika se do mund ta humbin dashurinë dhe besimin e vëlluat të madh, të atij që ua përcakton fatin politik – mbështetjen dhe adhurimin e Beogradit.

“Ballkani i Hapur” mblidhet në Ohër. Ja marrëveshjet që pritet të nënshkruhen

Pjesëmarrës të nismës “Ballkani i Hapur” mblidhen sot dhe nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për takimin e radhës.  Sot, do të nënshkruhen katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.

Mali i Zi merr pjesë në cilësinë e vëzhguesit.

Përveç presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe atij shqiptar, Edi Rama, që janë iniciues të “Ballkanit të Hapur”, në takimet e nismës në Ohër, për herë të parë, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në cilësinë e vëzhguesit.

Kosova nuk do të marrë pjesë në takimin e Ohrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.

Varhelyi dhe Escobar do t’u drejtohen pjesëmarrësve

Pjesëmarrësve në Ohër, përmes video-lidhjes, do t’u drejtohet edhe komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, si dhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Çfarë përmbajtje kanë marrëveshjet?

Tri vendet anëtare i kanë ftuar vazhdimisht edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës. Deri më tash, palët kanë nënshkruar disa marrëveshje – për lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, për bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave e të tjera. Marrëveshja që pritet të nënshkruhet të mërkurën për luftë kundër evazionit fiskal, thekson se tri vendet e kanë parasysh “rëndësinë e shtuar” të bashkëpunimit në këtë fushë, gjegjësisht në shmangien e pagesës së taksave. Marrëveshja tjetër që pritet të nënshkruhet për njohjen reciproke të diplomave, mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për të promovuar shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, tri vendet pritet të nënshkruajnë edhe një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim kulturor në Ballkanin Perëndimor. Në memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit, i cili gjithashtu pritet të nënshkruhet në Ohër, parashihet formimi i një harte turistike, të quajtur “Ballkani i Hapur”. Shtetet nënshkruese janë të detyruara t’i inkurajojnë kontaktet ndërmjet organizatave të tyre turistike dhe punëtorëve, ndërkohë që parashihet krijimi i grupeve të posaçme të punës për këtë fushë.