PD-ja mbështet 7 propozim-kërkesat e LSI, për ndryshime në Kodin Zgjedhor

486
Sigal

Përshëndes qendrimin pro votimit elektronik. Votimi elektronik është një nga zgjidhjet kundër shitblerjes së votës. Eleminon blerjen apo mbledhjen e kartave të identitetit dhe zvogëlon mundësitë e krimit për t’i bërë presion qytetarëve. E përshëndes mbështetjen për votimin elektronik nga kushdo faktor politik, madje edhe nga faktorë politikë qeverisës. Përsa i përket sistemit zgjedhor, Partia Demokratike nuk është pengesë për listat e hapura. Personalisht jam shprehur për çdo sistem që fuqinë do t’ia kalojë qytetarit. Qoftë lista të hapura, maxhoritar apo po të doni ta bëjmë me ligj të detyrueshme që partitë politike kandidatët për deputetët ti zgjedhin me votim të drejtpërdrejtë nga anëtarësitë e tyre apo edhe nga qytetarët. Kur kam folur për hapjen dhe për fuqizimin e qytetarëve, këtë kam parasysh; që kandidatët të mos caktohen nga kryetarët, por të caktohen nga anëtarët, mundësisht nga qytetarët. Dhe në këtë mendësi që kam, absolutisht nuk jemi ne dhe nuk mund të jemi ne pengesë për listat e hapura. Por diskutimi për listat e hapura apo për çfarëdo sistemi tjetër zgjedhor është dhe mbetet diskutim propagandistik për sa kohë nuk garantohet vota, nuk garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj prioriteti numër një i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme ku votimi elektronik është dhe mbetet kërkesë kyçe dhe e patejkalueshme. Zgjidhja përmes votimit elekronik i hap rrugë çdo opsioni tjetër që e kthen vendimarrjen tek qytetarët, fuqizon qytetarin, fuqizon votën e qytetarëve apo edhe të anëtarëve të partisë respektive dhe e heq pushtetin nga një klikë që ka uzurpuar pushtetin dhe përmes pushtetit resurset dhe të ardhmen e vendit.