Reportazhi i mediave italiane/ Historia e vërtetë pas Rilindjes mes Shqipërisë mediatike dhe reales. Qeveria na tregon veç Shqipërinë që duam

250
Sigal

Edi Rama na tregon veç Shqipërinë që duam të shohim

 Media italiane “Doman”: Historia e vërtetë pas Rilindjes

Nga Nicola Pedrazzi-Domani

Janë akomoduar midis Shëngjinit e Durrësit, në hotele turizmi, rreth 700 afganët që mbërritën në Shqipëri në fund të gushtit në kuadrin e një operacioni të SHBA që iu kërkoi  vendeve ballkanike të anëtarësuara së fundmi në NATO të strehojnë në territorin e tyre disa familje të ish-bashkëpunëtorëve. Pa i hequr asgjë kontributit shqiptar, bëhet fjalë për një pritje me kohë të kufizuar, në pritje të vizës për transferim në SHBA, po ashti pa kosto ekonomike, e cila mbulohet nga organizata të ndryshme të huaja, dhe përfitime të vlefshme diplomatike.

Megjithatë lind pyetje se përse në gjithësinë e medias italiane këto fakte raportohen pa kontest, duke i besuar versionit të kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili prej ndonjë viti përsërit pak a shumë këtë refren: ‘Ndërsa  Evropa e pasur kërkon gjilpërën në kashtë në dosjen e anëtarësimit, ne që kemi qenë emigrantë dhe ende kemi zemër hapim dyert’.

Një pasqyrë e vetëdijshme

Në demokracitë e brishta në kufijtë e BE ndodh shpesh që ngjarjet politike në shkallë të gjerë përdoren nga propaganda e qeveritarëve vendas, në kërkim të legjitimimit ndërkombëtar. Por përse Hungarisë së Orbánit dhe Turqisë së Erdoganit i vëmë filtra kritikë, ndërsa me Shqipërinë e Edi Ramës mjaftohemi vetëm duke i vënë mikrofonin?

Regjia e zgjuar e Tiranës, që prej vitesh mbështetet te diaspora dhe te media italiane për të promovuar ‘rilindjen shqiptare’, e vetme nuk mjafton. Operacioni është efikas sepse punon mbi imagjinatën tonë kombëtare, e cila prej më tepër se një shekulli fabrikon ‘Shqipëritë’ për të cilat kemi nevojë për momentin.

Fashistët më 1939 shpikën Shqipërinë ‘romane’ për t’ia bashkëngjitur Perandorisë; marksist-leninistët e viteve ’70 shpikën një Kinë në pragun e shtëpisë për ta vizituar e për të kuptuar sekretet e revolucionit; ne kemi kujtimet e eksodit të madh shqiptar të viteve ’90 dhe shpikim një Shqipëri mikpritëse që është e tillë duke na kthyer mikpritjen tonë.

Prezantimi i vetvetes që italofoni Edi Rama bën të kalojë strategjikisht përmes gazetave italiane është gjenial dhe i mprehtë pikërisht sepse është i vetëdijshëm për nënvetëdijen tonë kombëtare. Rama e di që në kokën e italianëve shqiptari është dhe do të mbetet edhe për një kohë të gjatë ai imigranti me gomone; e di që progresistit italian  i vjen turp nga kjo; e di që në lidhje me migracionin Italia ka nevojë për histori suksesi; e di që populizmi italian, kur i jepet rasti, shigjeton Evropën.

Për të djathtën, shqiptarët funksionojnë, sepse janë të bardhë, italofonë, të integruar, shumë janë myslimanë, por jo ekstremistë. Për të majtën shqiptarët duhen sepse demonstrojnë që nëse hap dyert sot, nesër vjel frutat: një kryeministër që pikërisht nga ‘Italia e hapur e dikurshme’ ka marrë një leksion qytetarie që sot ia jep Brukselit. Dhe s’ka problem që qindra të mitur shqiptarë braktisen çdo vit nga prindërit në territorin italian nga prindër të gatshëm për t’i humbur e për të shkelur ligjin, mjafton që t’u krijojnë mundësinë të mos jetojnë në Shqipërinë që Edi Rama qeveris tashmë prej tetë vjetësh, pa rezultate ekonomike e sociale të dobishme për qytetarët e saj.

Mitiku Edi

Edi Rama e di çfarë mendojmë për vendin e tij dhe na ngushëllon për komplekset e fajit që ndiejmë-e në fund të fundit edhe për ndjesinë e superioritetit-me ëndrrën e një vendi të vogël që nuk mban mëri, që flet italisht, që ka kujtesë e mirënjohje, që tërheq sipërmarrje e migracion në kahun e kundërt, që po ia del. E gjitha duke përkëdhelur një tjetër refleks italian: ksenofilinë në vend të autokritikës.

Më 2013 Rama mundi në zgjedhje Sali Berishën ‘ndërsa ne nuk jemi të zotë as për ta arkivuar Berlusconin’; më 2014, Agon Channel, investim jetëshkurtër e misterioz i më pak misteriozit Francesco Becchetti, merr Simona Ventura e Antonio Caprarica në studiot televizive në Tiranë, duke krijuar mitin e imigracionit në kahun e kundërt: ‘Emigrantët tani jemi ne’, titullonte La Repubblica; ‘Revanshi i shqiptarëve’, shkruante Il Messaggero; ‘Shqiptarët në kundërsulm’, ishte titulli i një artikulli, më i shëmtuari i të gjitha kohëve, shkruar nga Roberto Saviano.

Një muaj para inaugurimit të Agon Channel Italia, Ministri i Punës Erion Veliaj, sot kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe delfin i Edi Ramës, nxori gënjeshtrën e 29 mijë italianëve në Shqipëri, e marrë menjëherë si e mirëqenë, ndonëse për autoritetet shqiptare italianët rezidentë mezi bëheshin dy mijë.

Në dhjetor 2014, presidenca italiane e Bashkimit Evropian mbyllet në mënyrë sinjifikative në Shqipëri: pas një konference shtypi me batuta për ngjyrën vjollcë, ngjyra e Fiorentinës dhe e Partisë Socialiste Shqiptare, Rama dhe Matteo Renzi prodhojnë një video-selfie të shkurtër: një budallallëk i madh, por menjëherë virale në komunitetin shqiptar në Itali, përfituesi më i madh i reputacionit të ri të ndërtuar nga kryeministri.

Qershia mbi tortë: më 2015 Daria Bignardi fton Rama në ‘Invasioni barbariche’: efekti optik është i plotë, Shqipëria është vendi i së ardhmes – ‘ne nuk e ndiejmë mungesën e sindikatave’, dhe duartrokitje nga e djathta; ‘ndihemi italianë ndonëse nuk vishemi me Versace’, dhe brohoritje nga e majta. Bienalja e  Venezias më 2017, me vizatime me stilograf që kryeministri shqiptar bën gjatë takimeve, është vetëm kapitulli i fundit i një romani perfekt, me subjekt për të vegjël e të mëdhenj, i pamundur të ndryshohet nëse nuk je armik i përzemërsisë midis kombeve e vendeve në rrugën e zhvillimit.

Shqipëria mediatike, Shqipëria reale

Mbi valën e entuziazmit, megjithatë, mbërrin qeveria e koalicionit. Qeveria ‘Conte I’ është një moment i brishtë në marrëdhëniet mediatike deri atëherë idilike midis Romës dhe profilit të Edit në Facebook. Në këtë kontekst lind gjasme mikpritja shqiptare për azilantët në anijen Diciotti, tuituar me ngut nga Farnesina gjatë atyre orëve delirante të salvinizmit, dhe duartrokitur nga i gjithë harku politik italian. Di Maio, që dukshëm po studionte si Ministër i Jashtëm, foli për ‘shuplakë morale’ ndaj vendeve jomikpritëse të veriut, që megjithatë në fund të shfaqjes priti të gjithë të zbarkuarit.

Më pas erdhi Covid. I rritur me RAI-n fshehurazi gjatë izolimit komunist, Rama e di që teleshikuesit nuk duhen lënë kurrë vetëm dhe në ditën e përvjetorit të tragjedisë së Katerit të Radës, apo më saktë në ditën kur ndjesia e fajit ‘e Italisë që ka memorie’ është në kulm, u vesh përparëset një dhjetësheje infermierësh dhe i dërgon ‘përtej vijës së zjarrit’ për të ndihmuar repartet tona të reanimacionit: pas mallëngjimit dypalësh që zgjati me javë, gazetat lokale dhanë lajmin që stazhi i atyre të rinjve, të cilët koreografia e regjimit i veshi me skafandra që në aeroport, u mbyll me një festë foshnjarake në një hotel breshian dhe me një denoncim për grumbullim.

Nëse kjo është Shqipëra mediatike që ‘hamë’ herë pas here, ajo reale është një vend shumë ndryshe. Së pari, që nga vera 2019, në të gjitha komunat e vendit qeveris Partia Socialiste e Edi Ramës, sepse në ato zgjedhje që Presidenti i Republikës nuk dëshironte të zhvilloheshin, opozita, me papërgjegjshmëri, nuk mori pjesë. Nuk ekzistojnë vende evropian me të gjitha komunat njëngjyrëshe.

Së dyti: zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të kaluar sollën një fitore neto e të padiskutueshme të Edi Ramës, por u paraprinë nga një metodë korruptive sistematike nga ana e militantëve të Partisë Socialiste, që përdorën të dhëna qeveritare për të hartuar e kontrolluar votuesit e kryeqytetit. Imagjinoni një komshi që e di se për kë votoni, i shkruan në një tabelë Exceli dhe ia dorëzon partisë në pushtet, bashkë me një koment se çfarë nevojitet për të blerë miratimin tuaj.

Nëse Shqipëria dhe shqiptarët na interesojnë vërtet, duhet të dimë, themi e shkruajmë që kështu jetohet e votohet në Tiranën e Edi Ramës. Ndërprerja e importimit nga Shqipëria të historive që na leverdisin është veprimi i parë që mund të bëjmë për të ndihmuar ecjen përpara të demokracisë shqiptare.