Që Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë një mbështetje të fortë amerikane, i pari për ta sunduar gjatë Shqipërinë dhe i dyti për t’i bërë një opozitë fasade duke ndarë me të përfitime pushteti, kjo tashmë nuk ka nevojë për hartime që na serviren si analiza.
Ajo që paraqet interes të mësohet është – pse?
Anglo-saksonët, në përzgjedhjet e tyre nuk nisen nga gjatësia e shtatit, as nga bukuria e fytyrës apo stili i mjekrës, aq më shumë nga elokuenca e të shprehurit bukur në publik. Për ta parësore janë tiparet e karakterit, sa të dëgjueshëm janë ata ndaj kërkesave të tyre, gjë që garantohet me shantazhueshmërinë e tyre, qoftë nga e kaluara e tyre e errët apo nga korrupsioni në funksionet që kanë pasur. Dhe, sipas këtij kriteri, çifti Rama-Basha, për “regjizorin”, mesa duket, është me i përshtatëshmi për momentin për të realizuar qëllimet e tij.
Anglo-saksonët gjithmonë priren që interesat e tyre t’i maskojnë pas parimeve. Kudo ku ndërhynë, qoftë edhe me luftë, thonë se këtë e bëjnë për të përhapur lirinë dhe demokracinë, tregun e lirë, vendosjen e drejtësisë…etj, etj. Por jemi dëshmitarë që, jo në pak raste, veprojnë me standarte të dyfishta: të tjera thonë, të tjera bëjnë!
Prandaj, për mua, thelbësore mbetet pyetja: – Çfarë vizioni kanë amerikanët për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Druaj se ky vizion nuk është fort optimist për ne shqiptarët. Ne po shndërrohemi me shpejtësi në një “gropë septike” refugjatësh të gjithfarë-llojshëm: të ikur nga lufta e shkaktuar prej tyre (afgane, iraniane, siriane…), kriminelë që do ta vuajnë këtu dënimin e kryer në vendet e tyre, magazinë plehrash të çfarëdollojshme, pastrim parash të pista, dispeçeri e shpërndarjes të drogës dhe seli e krimit të organizuar ndërkombëtar.
Lus të jem i gabuar!
Një politikë qeverisëse bazuar mbi kritere partiake – Ne dhe Ata – jo mbi shanse të barabarta për të gjithë, me një drejtësi të kapur, me një shkollë që prodhon mediokër, pa prodhim vendas, po e nxit me shpejtësi braktisjen e vendit nga rinia, pjesa me aktive e shoqërisë.
Shkërmoqja edhe e asaj opozite që ishte, është rasa e varrit për një vend që, ndonëse e krijuan një shekull më parë, nuk mundi të bëhet dot shtet.