A do të shpëtojmë dot nga të paditurit dhe gjysmë të diturit?

371
Bardhyl BERBERI 

Kryeministri Rama tashmë e ka të qartë një gjë: Që e keqja atij dhe shoqërisë shqiptare i ka ardhur nga njerëzit e paditur dhe gjysmë të ditur që e kanë kapur shoqërinë shqiptare si një oktapod nga këta të paditur ose gjysmë të ditur që e shfrytëzojnë karrigen që ja u jep partia vetëm për interesa personale. Shikoni ku janë vendosur në punë të afërmit e kryetarit të Bashkisë apo të deputetit që e ndajnë tepsinë tuaj të famshme vetëm me të afërmit edhe pse nuk kanë diplomë apo e kanë false ata qëndrojnë nëpër pika kyçe. Dhe së dyti a do të jesh në gjendje që ta realizosh këtë premtim të na zhdukësh nga institucione apo drejtues institucionesh këtë ushtri të madhe me të paditur apo gjysmë të paditur ose siç e thotë populli me një fjalë të thjeshtë “këta dështakë që po na marrin më qafë”. Megjithatë, cila është gjendja, e cili është roli i inteligjencës në shoqërinë tonë? Kam frikë të ve në kandar këtë pyetjeje me përvojën që na ofron realiteti ynë 26 vjeçar post komunist. Ta themi troç : Degradimi i elitës intelektuale është njëra prej arsyeve të dështimit të shumë reformave politike, sociale dhe kulturore duke e lënë vendin tonë në këtë derexhe. Sidoqoftë mbetet e vështirë t’i përgjigjesh pyetjes se cila është gjendja, roli dhe rëndësia e inteligjencës në shoqërinë shqiptare. Mjafton një analizë thjesht formale dhe e karakterit krahasues për të vërtetuar logjikshëm se roli prej mercenari që ka kapluar shoqërinë tonë nga disa gjysmë të ditur të cilët në shumë raste kanë marrë drejtimin e posteve drejtuese në shoqërinë shqiptare jo me diplomë dhe tituj shkencorë por me tesera partie. Ky takëm ka kapur parlamentin shqiptar ku pjesa dërrmuese e tyre janë gjysmë të ditur që kanë ardhur aty ose me një diplomë false të blerë ose me një universitet privat tip kioske nga ata që kanë shitur diploma edhe përtej kufijve shqiptarë. Nëse do të jemi objektivë do të evidentojmë me lehtësi se pas shpinës së “udhëheqësve “ dhe kryetarëve të partive qëndrojnë turmat e mediokërve, gjysmë të diturve, gjysmë inteligjentëve, të cilët kanë bërë terapinë duke grabitur toka duke bërë korrupsion me tenderë apo me koncesionet e famshme. Këtu duhet ndarë një takëm prej gjysmë të diturve që kanë kanë përfituar tenderë por, kanë përvetësuar në mënyrë të jashtëligjshme gradat shkencore dhe titujt akademikë. Këta janë ata që bëjnë më tepër dëm se askush tjetër se injorancën e tyre e veshin me mantelin e një intelektuali. Ata kurrë nuk kanë qenë intelektual në kuptimin klasik të fjalës, por mediokër të klasit të lartë dhe sahanlëpirës deri në përulësi të shefave të tyre. Gjysmë të diturit janë të bindur se dinë gjithçka ose të paktën i dine gjërat kryesore, ndaj veprojnë brutalisht e pa kompromis. Sa njerëz sot e sot vuajnë nga veprimet e gjysmë të diturve të cilët i kanë okupuar gjitha postet drejtuese dhe vendimmarrëse në shtet dhe shoqëri. Vitet e represionit komunist ndaj inteligjencës shqiptare kanë qenë njëkohësisht edhe vitet kur u zhdukën nocionet e nderit, ndërgjegjes, dinjitetit njerëzor, besnikërisë ndaj principeve individuale, të vërtetës dhe mirënjohjes. Mos nderimi ndaj inteligjencës shqiptare të asaj kohe edhe sot është mos respekt ndaj kujtimit të qindra e qindra intelektualëve që mbetën ose vdiqën të ndershëm nëpër burgjet komuniste. Çfarë e bën një njeri të radhitet në mesin e inteligjencës? Sipas bindjes sime, inteligjencës i përkasin përfaqësuesit e profesionit që lidhen me punën mendore shkencore , njerëz të lire në bindjet e tyre, të pavarur nga presionet ekonomike, politike, partiake, shtetërore, që nuk u nënshtrohen diktateve ideologjike, politike e partiake, pra ata njerëz që në emër të inteligjencies kanë parimin intelektuale, si kategori morale. Njeriu intelektual nuk është i lire veçse nga ndërgjegjja dhe mendimi i tij, por edhe nga veprimet që i ka ndërmarrë gjatë punës dhe aktiviteteve të tij. Megjithatë, ne njohim dhe shohim në jetën e përditshme të intelektualëve robër të kapur me hallkat e vjetra e të reja partiake dhe ideologjike, ngjyra e të cilëve i kanë si spektri i ylberit. Ky takëm njerëzish që i këmben bindjet e veta për shkaqe leverdie e interesi, ky është imoraliteti më pervers dhe për kurrfarë “bindjeje” nuk mund të bëhet fjalë për intelektualë apo inteligjencë .të cilëve ju mungon ndërgjegjja. Ndërgjegjja nuk është vetëm engjëlli mbrojtës i nderit njerëzor, ajo është edhe timoni i lirisë së tij, ajo kujdeset që liria mos shndërrohet në arbitraritet, por t’i tregojë atij rrugën e drejtë në situatat konfuze të jetës bashkëkohore. Por, edhe ndërgjegjja e inteligjencës sonë letargjike është reduktuar dhe është estetizuar, sipas një postulati në frymë post moderne. Intelektuali, shkencëtari, krijuesi duhet të jenë të gatshëm të rrezikojnë, e të sakrifikojnë duke mos u frikësuar edhe nga ndonjë pësim e flijim për të mire të njerëzimit përgjithësisht, të shoqërisë në të cilën jeton ose kombit të cilit i takon. Ata duhet të punojnë për njerëzimin, që t’i ndihmojnë së vërtetës. Intelektuali vërtetë duhet të shquhet në luftën për demokraci, për drejtësi, për kulturë, për barazi të plotë e të vërtetë. Intelektuali i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm duhet medoemos të veprojë në këtë plan, ai duhet të ngrejë zërin kundër çdo dukurie negative siç janë: të drejtat e njeriut dhe të qytetarit, të drejtave kombëtare e politike . Ai duhet të ngrihet kundër fyerjeve, nënçmimeve e poshtërimeve individuale e kolektive, duhet të ngrihet kundër inskenimeve të proceseve të montuara , madje edhe të komploteve nga më të ndryshmet, kundër vetë qenies së individit dhe të kolektivitetit të tërë apo komplote ndaj atdheut të tij siç ishte rasti i shitjes së hapësirës detare Greqisë. Intelektuali këto vite tranzicion ka qenë , i nënshtruar dhe i poshtëruar dhe abuzimi nga pushteti politik, qoftë kur është fjala për ndërgjegjen e tij qoftë kur është fjala për ta përdoruar nga forca të ndryshme politike kur kanë bastione që nuk i marrin dot me vota zgjedhin një intelektual 24 karat. A nuk është kjo një shkelje e rëndë e individualitetit dhe të , të së drejtë elementare të tij, të bindjes e të shprehjes së lire. Vlen të theksohet se liria gjithmonë ka qenë vlerë për njeriun dhe se mungesa e lirisë është vdekje sidomos për një intelektual të kompletuar. Gjysmë të diturit që kanë marrë karrige partiake dhe poste të rëndësishme ndryshojnë nga të diturit si të gjallët me të vdekurit. Ruajuni nga këta gjysmë të diturit se janë një rrezik aktual për shoqërinë shqiptare sidomos ata që e ngrenë karrierën e tyre mbi tesera partie. Zoti Rama duhet një fshesë e madhe të pastrosh këta të paditur por është e vështirë sepse ata janë të parcelizuar njerëzit e familjes së kryebashkiakut, të deputetit apo të kryetarit të partisë në rreth, të ministrit apo të një drejtori të madh. Dhe që të hysh në këto parcela duhet burrëri që autokombajna të hyjë dhe të “ korrë” pa dallim të gjithë këta dështakë apo gjysmë të ditur. Kjo do të jetë beteja më e madhe dhe njëherazi një sfidë për qeverinë e re, në të kundërt do të vjelë fruta të hidhura …