Nikolla Sudar, përkthyesi dhe historiani “Mjeshtër i Madh”

451
Sigal

Si u hap më 3 qershor 1978 Muzeu Historik i Shijakut me një fond të pasur historik dhe etnografik nga e gjithë zona.

Nikolla Sudar – përkthyesi dhe historiani që na bën krenar

Më 25 nëntor 2020, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Meta i akordoi titullin e lartë ‘’Mjeshtër i Madh’’

Nga Bashkim Dardha

 Atë mëngjes të hirtë tetori 1940, diku në të hyrë të Shijakut, kalimtarëve u tërhoqi vëmendjen cingërima e  gomave të një makine, që frenoi ashpër. Ende pa ndaluar mirë, prej saj dolën dy njerëz me uniformë, e më pas, një burrë i hajthëm e shtatlartë me një vajzë të vogël në krahë dhe një grua e re, e cila dallohej qartë që ishte në muajt e fundit të shtatëzanisë. Ishte makina e milicisë së Durrësit, e cila po zbatonte një urdhër internimi në emër të familjes së Petar Sudarit, qytetar malazez, i ardhur në Shqipëri në 1924-ën. Për disa minuta qëndruan si të mpirë, pa ditur nga të shkonin. Hutimthi, vërtitnin shikime të trishta, në fillim rreth e rrotull, e më pas edhe lart. Dukej se në heshtje, pa zë e pa fjalë, pyesnin nuk e di kë, ndoshta Zotin, se nga duhej të shkonin, ndonëse, i vetmi drejtim që mund të merrnin ishte një urë hekuri me harqe, një urë paturpësisht e bukur, që s’dihej pse të ngjallte një ndjesi të çuditshme ngushëllimi. Ndoshta në nën vetëdijen kolektive të Sudarëve, urat kishin një ndikim jo edhe aq të pashpjegueshëm; babai i Nikollës, Petari, kishte lindur në një tjetër qytet me urë: Mostar…Nëse një ditë do të shkruhej, ky mund të ishte një version i fillimit të jetëshkrimit të Nikolla Sudarit, më malazezit ndër shijakas.

Nikolla ndan me një sinqeritet të pafajshëm mirënjohjen e thellë për ata njerëz, shqiptarë të mirë e burra fisnikë që pritën, strehuan e ushqyen familjen e tij, të flakur në udhëkryq.‘’A ka ndonjë burrë këtu, të na ndihmojë pash Zotin’’! – kish britur i ati, me të mbërritur në Shijak. ‘’Shumë gjëra mungonin asokohe në Shijak, –  tregon Nikolla, por jo burrat’’. Ai i ka përmendur një e nga një e me emra, sa herë që i është dhënë rasti, ndaj unë ndjej detyrim moral të përmend ata shijakas humanë, duke i cilësuar  me epitetet që u ka vënë ai vetë: Qazim Domi e Sulë Zalla, ‘’Mësues të Nderuar’’, tregtarët shpirtmëdhenj Abdulla Gashi e Cen Kruja, kryeplaku i urtë Ibrahim Kërtalli,  mjeshtrat Ali Dashi, Kostë Toçi dhe Dhimitër Dika. Për katër vjet me radhë, ata strehuan dhe mbajtën me bukë e me besë, familjen e Sudarëve.

Nikolla lindi më 19 dhjetor 1940, vetëm dy muaj pasi familja e tij u internua në Shijak. Pasioni i tij u bë historia, e sidomos ajo e trevës së Shijakut. Çfarë i ka bërë këta njerëz kaq mikpritës? Ç’është ajo fuqi e panjohur që, këta trima që impresionuan edhe të fundmin e kreshnikëve – Bajram Currin, këta ‘’djem që u zien gjaku’’, siç u këndon Noli, i bën të butë,  të gjindshëm e të urtë kur tokën e tyre e shkel miku, njeriu i zotit dhe nevojtari? Në këtë drejtim, Nikolla Sudari kishte edhe një amanet për të përmbushur, atë të babait, i cili ia kish lënë me gojë që, sa të kishte frymë, të donte dhe t’i ndihmonte këta njerëz, madje duke bërë diçka të cilën s’e kish bërë kush më parë. Dhe pikërisht kësaj iu kushtua Nikolla. Askush më parë nuk kishte pasur ndriçimin e duhur t’i hynte mbledhjes, studimit dhe analizimit të fakteve historike e shpirtërore të kësaj zone. I ndihmuar nga piktori i njohur Agim Faja, mësuesi pasionant Besnik Llaftiu etj. pas një pune të palodhur, duke shkuar në çdo fshat e shtëpi, duke kontaktuar me të moshuar e duke eksploruar edhe të pamundshmen, arriti që më 3 qershor 1978, të hapej Muzeu Historik i Shijakut, me një fond të pasur historik dhe etnografik nga e gjithë zona.

Nikolla Sudari i dha Shijakut diçka shumë të çmuar: i tregoi motivin për t’u krenuar. Gjithkush është krenar për vendin e tij, por shpesh pa e ditur pse. Por këta artistë të natyrshëm e origjinalë të artit të padukshëm të dashurisë për njeriun, këta artizanë virtuozë të mikpritjes e burrërisë së fisme, tashmë kanë pasqyrën ku mund të shohin shëmbëllimin e tyre e të ndihen të bukur. Pas gjithë kësaj pune të palodhur e të frytshme, mund të themi se Nikolla Sudari e ka justifikuar plotësisht mirësinë dhe mikëpritjen që i është dhënë në Shijak. Madje, tashmë ka ardhur koha që Z. Nikolla Sudar të nderohet e vlerësohet edhe në mënyrë institucionale, nga bashkia e qytetit, përveç nderimit njerëzor që i është dhënë e i jepet nga banorët e zonës.

Por ishte përkthimi dhe publicistika, fushat që e bënë Nikollën të njohur, tashmë në shkallë kombëtare. Emri i Nikolla Sudarit sot rreshtohet me dinjitet krahas të mëdhenjve të përkthimit Vrijoni, Kokona, Caci, Evangjeli, Shvarc, Kasoruho, Tupe etj. Pena, pasioni dhe shpirti i tij krijues, se përkthimi është mirëfilltazi krijim, na kanë dhënë mundësinë dhe kënaqësinë të shijojmë në një shqipe shprehëse e të pasur shumë autorë e vepra përfaqësuese të letërsisë dhe eseistikës ruse, sllave e botërore. Bëhet fjalë për mbi 50 tituj e vepra të përkthyera, fryt i një bashkëpunimi të shkëlqyer me shtëpitë botuese prestigjoze si: ‘’Onufri’’, ‘’Fan Noli’, ‘’Bota Shqiptare’’, ‘’Ombra GVG’’, ‘’Scanderbeg Books’’ etj. Gjithashtu, N. Sudar është autor i disa botimeve në fushën e publicistikës e eseistikës.

Puna, talenti dhe meritat e padiskutueshme të tij janë vlerësuar me urdhra e tituj të lartë brenda e jashtë vendit. Në vitin 2015, Lidhja e Shkrimtarëve të Rusisë, tempulli ku flenë shpirtrat e Tolstoit, Dostojevskit, Pushkinit, Çehovit etj. e nderoi me dekoratën dhe certifikatën e mirënjohjes për ‘’Besnikëri ndaj fjalës Ruse’’. Në prill 2018 shoqata ‘’Tirana’’ i dha titullin ‘’Fisnikëria Tiranase’’. Së fundmi, më 25 nëntor 2020, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Meta, i akordoi titullin e lartë ‘’Mjeshtër i Madh’’ me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi ndaj kontributeve të çmuara të dhëna për hulumtimin, dokumentimin, studimin dhe botimin e vlerave të rralla të traditave të shquara të trevës së Shijakut, duke i shpalosur botërisht edhe me hapjen e Muzeut Historik të Shijakut. Me mirënjohje institucionale për veprimtarinë e spikatur si historian, publicist dhe përkthyes, i cili u ka dhuruar lexuesve shqiptarë, të përkthyera në gjuhën shqipe, vepra nga shkrimtarët e mëdhenj bashkëkohorë”.

Jeta, me gjithë trillet dhe tallazet e saj, mbrujti tek ai njeriun e mirë, kalorësin fisnik të dalë nga shekujt – njërën këmbë në tokën e ngrohtë shqiptare, në atë të zemrës, tjetrën, në tokën mistike sllave, atë të shpirtit; por gjithnjë, kalorës paqeje e afrimi midis popujve edhe atëherë kur historia nuk ka qenë shumë dashamirëse – dhe në këto anë, historia kurrë nuk ka qenë e tillë. Por, kur historia shkruhet nga kalorës të tillë, të cilët kanë shpatë kulturën dhe mburojë mirënjohjen, mund të ndërtosh ura miqësie, ura që të shpien në bregun tjetër, ku të pret miqësia dhe mirëkuptimi.  Mirënjohje e mirësi, forcë e urtësi njëherësh, ky është Nikolla Sudar!