Rrëfen Sefer Pasha/ Ish zyrtari i Ministrisë së Brendshme: Ja çfarë i dërguan sigurimsat Enver Hoxhës për Xhevahir Spahiun.

525
Sigal

Xhevahir Spahiu: Titulli i esesë të jetë “GAZAVAJ”, kështu ka qenë jeta ime  

-Sigurimsat i dërguan Enver Hoxhës informacionin se Xhevahir Spahiu ishte sartian.

-Të vetmin “gabim” që kishte bërë Xhevahir Spahiu kur kishte cituar Sartrin – “Ferri im janë të tjerët”

-Në zyrat e MB  janë hapur disa dosje dhe janë asgjësuar kur mungonin provat  për mos prangosjen e “diversantëve” në poezitë e tij”

Për lisin poetik të vetmuar Xhevahir Spahiu

Zogj të dashur!                                                                                                                                  me një sinqeritet prej fëmije me ju po flas;                           

 para se ai të na nxjerr sytë,

ata sy që shohin lart dhe larg

nxirrjani sytë,

me sqepat tuaj.

 1973

Xhevahir Spahiu

Poeti Xhevahir Spahiu çdo ditë rreth orës nëntë del nga banesa. Dhe lëviz nëpër udhët e Tiranës  si një lis i vetmuar. Poeti  fillikat  ecën i menduar e mua më duket sikur një stuhi e tund  sa majtas – djathtas. Udhës,  Xhevahir Spahiut  askush nuk i flet me gojë. Dhe unë e pyes veten se çfarë mendon poeti kur në rrugë  kurkush nuk i thotë : “Mirëmëngjes!”.  Besoj se poeti e di mirë se jetojmë kohëra të errta. Nuk ka më as nënë, as baba, as vëlla e as motër. Të gjithë e urrejnë  njëri – tjetrin.  Çdo milimetër e dramë.  Nëpër këmbë janë lypsarët.  Në dyert e komisariateve  sheh  gra me hematoma. Në fshatra  të thella ka uri.  Gjakmarrja shtohet si flokët e borës. Nuk  ka më këngë.  As buzqeshje.  Fytyrat pikojnë  shi dhe breshër. Nëpër dyqane mungon blerësi.  S’ka para.

Përpara meje poeti Xhevahir Spahiu ndalon.  Dhe shkon e i përkëdhel dorën në bust Eqerem Çabejt.  Çoç thotë ca vargje. Unë e vëzhgoj i maskuar. Poeti e mban kokën lart dhe flokët si bar i egër Tomorri  i gremisen mbi ballë.  Nuk e vë në dyshim se ai është ndofta njeriu më tragjik i këtij mëngjesi. Një lypsar u gjet nga udhëtarët  i varur në degën e rrapit.  Për të në shtyp nuk u tha asnjë fjalë. Kurse për një deputete, shkruhej se sandalet e saj kushtonin shtatë mijë euro. Lypsari mezi e ka futur kokën në lakun e litarit se ka qenë i pangrënë, kurse ajo deputetja, pushimet i kishte bërë në një ishull  të shtrenjtë të Paqësorit. Këto i dëgjon poeti prandaj dhe monologon me emocione tronditëse me Eqerem Çabejn. Ndofta reciton vargjet kushtuar shkencëtarit: – /Ai s’është më/ /Shkoi të ngrejë shtëpinë përgjithnjë/ /tek rrënja e fjalëve/.  Xhevahir Spahiu bisedon e i nginjet fjala me ata që janë në bronx.  Mëngjesi i duket i çngjyrosur e kaotik. Poeti e ka shkruar Iliadën e tij me poezitë aq të qashtra, pa kallëpe e skema, por shikimit të tij të mprehtë ia zënë rrugën statujat e urrejtjes.  As tek  Teatri Kombëtar nuk i flasin me gojë. Dhe ai me çiltërsi shtangëse, ballë për ballë me një regjisor, lëviz kokën me neveri dhe humbet në universin e ndjenjave të tij.  Sytë e kafenjtë të qarkuar nga rrathët e qymyrit ,çoç kërkojnë.

                                                                                                                                            Tek Ministria e Brendëshme Xhevahir Spahiu e kthen kokën. 

Nuk e di se pse?  Poeti rebel nuk e di se lart në ato zyra për të janë hapur disa dosje dhe janë asgjesuar,  kur mungonin provat për mos prangosjen e “diversantëve” në poezitë e tij. Por çoç duhet të dijë. Veçse një gjë nuk e di ai, që nuk i ndan sytë nga godina e “bukur”.  Poezitë e Xhevahir Spahiut në ato zyra janë lexuar gërmë për gërmë.  “Lexuesi” i Sigurimit nuk ka lënë asnjë varg pa lexuar. Nëpër dosje janë ndarë poezitë me “armiq” e me “ide” për përmbysjen e regjimit, si dhe poezitë e dyshimta dhe ato që “gricnin” Komandantin.  Sigurimsat kanë thirrur për “ekspertizë” kritikë  të artit.  Qenë pikërisht ata, të cilët i dërguan Enver Hoxhës informacionin se Xhevahir Spahiu, ishte sartian.  Të vetmin gabim që kishte bërë Xhevahir Spahiu ishte thënia i tij në kafenenë e Lidhjes, ku kishte cituar Sartrin që  kishte shkruar se: – “Ferri im janë të tjerët”.  E vështroj poetin e vetmuar e them me vete.  Sa me fat ka qenë Xhevahir Spahiu. Një lexues i “fshehtë” poezitë me “armiq” i fuste në rreth të kuq. Të tjerat sipas rrezikshmërisë,  i nënvizonte me laps të zi e blu. “Armiqtë” me një “v” lart,  e të tjerat me dy rrathë jeshilë sikur të ishin “bomba” gati për të plasur.  Poeti nazetar, fillikat, vazhdon të lëvizë,  e mua më duket sikur shkon nga e çon pavetëdija. Mjeshtërit  të penës i është sosur kupa e durimit. Ai çast pas çasti mediton i denatyruar. Ndijori i madh gëlon dhe nuk e ngjiron fare këtë realitet të ashpër.  Gjithësesi në ecje,  ai daravit misterin dhe deziluzionet. Godinat, ministritë, xhamia e Hetem Beut, pallatet, lisat e mbjellë brenda sheshit, mështeknat, ullinjtë, krekzat, dhe lulet e vjeshtës karshi – karshi, i bëjnë shoqëri njëra – tjetrës,  e sikur me sy e vetull bëjnë shënja e thonë fjalë.  Xhevahir Spahiun e ledhaton një erë e lehtë që vjen pas monumetit të Skënderbeut.  Dhe unë pyes veten: – Përse është kaq i braktisur poeti? Ç’u bënë miqtë e tij?  Ku janë ata që Xhevahir Spahiu i ka marrë dikur nga dhitë në male dhe i pruri në Tiranë?  “Cjepët” e malit janë bërë milonerë.

 Poeti nuk u beson më njerëzve

Ujku dhe gjarpëri i duken më fisnikë. Dhe u kthehet baladave të lumit të Osumit. Nën hijen e një gorrice dikur po flinte në vapë i zoti i një gorrice me rrush. Një gjarpër në çatallin e gorricës po e ruante njeriun që po flinte. Priste që ai të hapte sytë dhe pastaj ta kafshonte. Në çastin që njeriu i hapi sytë gjarpëri zbriti nëpër trungun e gorricës dhe u afrua te koka e njeriut. Por i zoti i gorricës qe trim. I donte gjarpërinjtë dhe nisi të luajë me të. Ai i mbylli vetëtimthi sytë. Gjarpëri e bëri me dhjetra herë ngjitjen dhe zbritjen nga gorrica. Nuk e kafshonte njeriun në gjumë. Ishte “fisnik” në gjuetinë e tij. Nuk e preu në “besë” të zotin e gorricës që flinte gjumë. Lojën me gjarpërin e zgjidhi vetë i zoti i gorricës. Ai i zgjati gjarpërit kërrabën. Gjarpëri u mblodh kulaç dhe ai pa e vrarë e la në majën e një shkoze në anë të pyllit. Poeti Xhevahir Spahiu i pakonkurueshëm si poet i tretur nga acidi i temperamentit e ndjen instiktivisht se po e zhbën dhembja. Pas tij  belbëzoj me zë të ulët atë që ka thënë Borgesi: – “Unë vazhdoj të bëj sikur nuk jam i verbër. Vazhdoj të blej libra e të mbush shtëpinë time”. Xhevahir Spahiu u kthen krahët ministrive dhe ndalon tek shkëmbinjtë para monumetit të Skënderbeut. Ndalon tek një shkëmb i kuqërremtë sa një dem. Dorën e djathtë e mbështet mbi kreshtën e shkëmbit dhe mendohet. E kisha dëgjuar nga goja e tij se poeti u kishte kërkuar ndërtuesve të sheshit t’i tregonin se cili shkëmb ishte marë në malin e Tomorrit. Unë nuk e di u kishte thënë poeti, por ky shkëmb është nga rradhojtë e malit të Tomorrit. I njoh mirë gurët dhe shkëmbinjtë e malit të shenjtë. Mos ma prekni Tomorrin e thotë ai ashiqare. Prej Tomorrit nuk fal asnjë milimetër. Një fotografi të shkrepur nga Eqerem Bej Vlora në Ujanik  poeti e ruan në bibliotekën e tij. Tani poeti nuk shkon në Tomorr dhe çdo ditë shmallet me shkëmbin e kuqërremtë në një cep të sheshit  “Skënderbej”.  I vjen rrotull shkëmbit e sikur i përzë ca makthe kobëzeza. Në një moment poeti ndalon dhe e kthen kokën pikërisht tek vendi ku dikur ka qenë shtatorja e Enver Hoxhës. Vështron kot më kot sikur përpara do t’i dalë monumenti. Një kritikë e Enver Hoxhës e dërrmoi Xhevahir Spahiun. Në këtë fraksion të sekondës mua më shfaqet pozicioni fatal i rrëzimit të monumentit. Pa i ndarë sytë nga poeti sjell në kujtesë atë që ma ka thënë një bjeshkëtar në kreshtën më të lartë  të Lumit të Gashit në Tropojë. Bjeshkëtari më tha se, sipas kanunit, Enver Hoxhën, kur e rrëzuan nga monumenti, ai, ra në krah të majtë. Prandaj dhe ne si popull u dëmtuam, por nuk u shuam. Po qe se  monumenti i Enver Hoxhës do të kishte rënë përmbys prej mallkimit të tij do të qemë bërë katran si bjeshka e djegur. Mbase bjeshkëtari asokohe nuk ka pasur të drejtë i broçkullisë vetes. Bjeshkëtari ishte ndofta në një çast emocional.

   Poeti nis sërish të lëvizë 

 

Po kush e mban në këmbë kaq krenar? Malindi. Atje i ka rrënjët. Dhe mbi ato rrënjë çapon. I qasem afër. Është i vetmuari i madh. Kush e mbolli gjithë këtë mëri më ka thënë para disa ditësh poeti. Dhe më ka treguar një ngjarje nga jeta e Kanan Mazes. Ishin bërë disa vite që Kanan Bukurisë nuk i fliste e motra. Dhe një ditë Kanan Mazja i hipën kalit dhe shkon tek shtëpia e së motrës. E përqafon motrën dhe i thotë fjalë të ëmbla pajtimi. Por e motra vë tiganin në zjarr e nis të pjek petulla. Petullat në tigan ja bënin “cërr”dhe ajo nuk i ngrinte vetullat. Dhe Kanan Mazja ia mori këngës: – /Ngrimi lart ato vetulla/ /Moj të dhjefsha mu në petulla!/. Poeti i padeshifrueshëm Xhevahir Spahiu gërmë pas gërme formon fjalën e fjalinë për njeriun e mirë që mungon. Gozhda e urrejtjes është e nxehtë dhe poetit nuk i veton mendimi. Jeta ka tjetër kuptim. “Zëri i Popullit”, ku poeti narcist shkëlqeu, e ka shndërruar atë në një qenie imagjinare. Trishtimi murrëtohet në fytyrën e tij të fildishtë.                               Rrokaqielli shqiptar është mbushur plot me drama. Një milon njerëz sipas një sondazhi nuk kishin lexuar asnjë libër. 1. 7. milion shqiptar sipas GALLUPIT duan të largohen jashtë vendit. Njëqind mijë euro e kishte blerë makinën një dekan universiteti. Edhe Xhevon që është bari i shpirtrave nuk e lexojnë si dikur kur ai shkruante se : – ”gurin e varrit e shes/ /të laj borxhet/. Poetit i dalin në gjumë udhët e Malindit të cilave nuk ua harroi kurrë emrat. Por i shfaqen edhe llojet e gjëmbave që e pickonin si të ishin nepërka. Ai sjell në mendje gjithashtu mëmën që bënte “kirurgen” dhe ia nxirrte gjëmbat me “gjilpëra” nga thuprat e thanës  së thatë të kthyera në “bisturi” me biçak. I gjithë indi lidhor i veprës së poetit Xhevahir Spahiu mbështillet pas fatit të atdheut e legjendave të tij. Po erdhi një “mortje” dhe ndryshuan legjendat e baladat. Sot qarkullojnë të tjera bëma. Poeti merr vesh se vajzën e bukur të një malësori e kishin shitur si prostitutë në Itali. Malësori e mëson se kush ishte autori që ja kishte bërë gjëmën. Ai i dërgon lajmin që t’ja gjente vajzën dhe një nga të shtatë djemtë ta merrte atë për nuse. Nëse jo, që të shtatë djemtë do të përfundonin në hellin e plumbit. Dhe rrëmbyesi nuk gjeti udhë tjetër. Një nga të shtatë djemtë sipas shortit e merr atë për grua. “Prostituta” ka lindur dy djem. I shoqi ka përfunduar në pijanec e udhëve të Tiranës këndon një këngë pa mbarim për të shoqen e bukur, për të cilën u katandis në drogaxhi. Nga këto legjenda dëgjon nëpër tavolina. Nuk ka më Muj e Halil. Nuk do t’ja dijë njeri për Miro Tërbaçin e për Maro Mokrën.

I shoqëroj veprimet e poetit gjurmë pas gjurme. Nëpër xhamat e dritareve të Bibliotekës Kombëtare janë varur postera të Lumo Skëndos. Një kalimtar e pyeti për Lumo Skëndon, por poeti nuk dha përgjigje. Për fat, ndërsa poeti vështron posterat e Lumo Skëndos, diagonal me Bibliotekën Kombëtare kalon gruaja e Shefqet Musarajt, Erveheja, 92 vjeçe.  Ajo ecën ngadalë si një ortek dëbore i lodhur nga rrokullima nëpër mal. E pash një ditë me librin e të shoqit “Epopeja e Ballit Kombëtar”. Sa më shumë sulmohet ky libër nga njerëzit e Lumo Skëndos aq më shumë lexues ka. O zot! Çfarë mendon Xhevahir Spahiu për varrosjen e Mit’hat Frashërit pranë vëllezërve Frashëri? “Kush e di”?, thotë në fund të  poezisë, “Autobiografi”, poeti turk Nazim Hikmet. Ç’është kjo shetitje me pamje mendimtari e poetit të ngrysur? Malindasit nuk bëjnë zhurmë nëpër korie kur mëllënjat ngrohin vezët për të nxjerr të vegjëlit. Ata gjithashtu qysh moti me të dëgjuar këngën e qyqes ngrihen në këmbë. Poeti e kupton se në Shqipëri ka ndodhur një vidhisje e madhe. Edhe thënien e Mitrush Kutelit se, “Tereni i letërsisë është një tokë ku gëlojnë gjarpërinjtë”, poeti e shikon si një filozofi të një kohe të përfunduar. Tani nuk bëhet fjalë për letërsi të mirfilltë. Sot po ke para shpallesh Pasternak. S’lexon dot një poezi, një tregim apo novelë. Të bëjnë shkrimtar “mal” kur nuk je as “kodër”. Xhevahir Spahiu e kupton gjithashtu se ai jeton në Tiranë sikur të jetë alien e jo si një poet klasik i papërsëritshëm. Poeti i pangjashëm me askënd po e sfilitin manierat dhe misteret e një kohe të çuditëshme. Neokirurgu anglez me emër të madh, Hanry Marsh, shkon në punë me biçikletë dhe e respektojnë jashtë mase pacientët, kurse në Tiranë një palo ministër të shtyp me mjete që kostojnë miliona euro. Poeti ankthoz banon tek Pazari i Ri në një shtëpi të thjeshtë i rrethuar nga paniku se çdo të ndodh me këtë vend. I ndodhur mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës spikama e tij nuk ka më forcë. Si për ironi të kësaj mynxyre në një qoshe të sheshit një klarinetist ja thotë një melodie me të qarë. Poeti shpenzon energji që ta kalojë me jetë të keqen makthore, por trishtimi i thekshëm nuk i ndahet.  Ç’është kjo gjëmë? Vetëm në Vlorë shënohen 80 raste zhdukjesh, rrëmbimesh e vrasjesh. Në fushën e emigrimit jemi më përpara se shteti i Haitit. Intelektualët mezi nxjerrin lekët e bukës e një “kapter” bëhet oligark e drejton një medja  gjigante.  Xhevahir Spahiu nuk pi më, as raki, dhe as verë. Gjatë gjithë kohës ai është esëll. Kjo ia bën edhe më dramatike përballimin e gjëmave të përditshme. Para shumë motesh poeti po shkonte në Qafën e Botës në Sarandë. Ai ndalon afër Mursisë, ku ishte një pllakë shkëmbore në formën e një lëmi. Mbi faqet e pllakës së gjerë, udhëtarët kishin shkruar emrat dhe mbresat e tyre. Një bari nga Progonati, që veronte tufën me dele në pllajën me emrin, Mesare, kishte shkruar këto vargje: /Jam çoban në  Mesare/ /Është të dhjeç!/ /Po ku të veç?/. Xhevahiri kur e kishte lexuar poezinë me tre vargje në bllokun e tij kishte shkruar emrin e autorit. Tani në duhinë e prushit poeti nuk prajt e në këtë kaos shikon të rinj që rendin pas alkolit, cigare, hashash, rrahje, vjedhje, prostitucion, rrëmbime, ngrehosje cubash, lider pa mend në kokë, urrejtje raciste, botime të kota e gazeta të shkundura. Popullsia po shuhet çikë e nga një çikë. O zot mos po firohemi më thoshte një ditë Xhevahir Spahiu. Po zhdukemi si racë. Tjetër popull do banojë në Tiranë.  Skënderbeun do ta heqin nga monumenti.  Dhe eshtrat do t’ia shkulin nga varri Migjenit dhe Naim Frashërit. Në sheshe e kafene nuk do të flitet shqip. Po sikur serbët të ngrenë tek shtatorja e Skënderbeut atë të Millosheviçit?! Në vend të këngës labe do të gjëmojnë mandolinatat greke e Vlora do të banohet nga italianët. Nuk do të shkojnë me pelegrinët në festën e Abaz Ali Tomorrit. Jo! Jo! Nuk e besoj më kthehet ai. Zëre se pash një ëndërr të keqe. Atë e kishte mahnitur një skenë një mëngjes që do ta linte pa mend. Ishte hapur semafori. Lumi i makinave qe nisur nga Ura e Hotel Dajtit. Por ndodhi çudia. Një burrë i moçëm i veshur me kostum kombëtar u nis mes për mes bulevardit në drejtimin nga po vinte stuhia e makinave. Njeriu me kostum të bardhë nuk donte t’ja dinte. Ecte rëndë – rëndë. Makinat e para ndaluan. Edhe të pasmet po ashtu. Binin boritë. Disa nisën të bëjnë vidjo. Po burri me kostum të bardhë nuk bënte njeri për burrë. Bulevardi ishte bjeshka e tij. Dhe mund të bënte çfarë të donte. Vinte nga një tjetër kohë. S’dinte ç’po bënte dhe as ku shkonte. Mbase është banori i fundit që vjen nga shpellat kishte belbëzuar me vete poeti. Mos pastë tjetër pas tij.

            Nesër do lexoni:

“Tmerri i të mos shkruarit mund të jetë po aq i papërballueshëm sa ai i të mos shikuarit”

poetët si Dritero Agolli, Fatos Arapi, Ismail Kadare, Moikom Zeqo, Frederik Rreshpja e të tjerë janë “specie”

“GAZAVAJ” kështu ka qenë jeta e Xhevahir Spahiut, gëzim dhe hidhërim bashkë.

-Fjalën “Gazavaj” e gjeta në fjalorin themeltar të gjuhës shqipe në faqen 539″.

-Ajo fjalë ishte gjithashtu dhe në fjalorët e Çabejt.